Eko Higjiena

Mjegulla e dialogut

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Milaim Shefkiu – Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar të rëndohet, të bëhet më kompleks, më i pamarrëvesh, më i pazbërthyeshëm dhe më i palogjikshëm. Nuk po dihet saktë se “sa po shkon pasuli në tregun” e Brukselit.

Aq shumë është bërë kompleks sa që në shikim të parë të krijohet përshtypja se dialogu politik është shndërruar në një monolog ndërmjet dy kryeministrave.

Kjo logjikë e funksionimit po i shkon për shtati edhe Brukselit, madje është krijuar përshtypja se edhe ndërmjetësja e bisedimeve, baronesha Catherine Ashton është bërë si ajo plaka e lodhur që donte të tjerrte lesh. Kur e pyetën: “Loke a po mundesh me ja gjet fijen?. Jo – tha, – se më ka humbur lëmshi”. Edhe baroneshës evropiane i ka humbur diçka.

Është rrethi i pestë negociator që u zhvillua në Bruksel, ndërsa asnjë detaj nuk u dha nga ndërmjetësja. Nuk e di apo i shkon për shtati edhe asaj, apo nuk po mund “t’u bjerë në fije” se çka po negociojnë dy armiqtë më të mëdhenj të Ballkanit.

Në rrethin e pestë negociator nuk u lëshua asnjë deklaratë, përveç dy-tre rreshtave të Brukselit, sikurse në njoftimin e faqeve të fundit të gazetave për ndonjë vdekje, të pame apo përkujtim. U tha se takimi përfundoi…, ishte shumë konstruktiv…, marrëveshje nuk pati…, takimi i radhës mbahet në mars. Demagogji dhe deklaratë miope.

Nëse nuk është terr, atëherë krijo sa të mundësh mjegull, që të mos shihet asgjë. Me këtë logjikë funksionoi Brukseli deri sot. Mirëpo me të dalë dielli, mjegulla hiqet dhe demagogjitë dalin në fushë.

Mobi Casa

Vetë personazhi i bisedimeve, Hashim Thaçi pranoi se në Bruksel janë marrë vesh për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Në Bruksel pra janë marrë vesh. Ka marrëveshje për komunat serbe, edhe pse nuk është shpallur. Është e kotë të mbahet në konspiracion diçka që nuk mund të fshihet. Kjo është sikurse një shtatzënë të mos e pranoj faktin se ka bërë seks.

Ajo mund të fsheh aktin, por jo edhe lindjen. Në këtë tragjikomedi negociuese nuk po tregohet saktë se çka është ai asociacion. Si do të menaxhohen ato komuna, çfarë kompetenca do të ketë, etj., etj. Por, në rregull. Edhe nëse janë brenda Pakos së Ahtistait, për të cilën nuk dyshojmë, por pse po mbahen në fshehtësi.

Ndërsa koordinatori që nuk dihet se çka koordinon, Blerim Shala, tha se strukturave serbe në veri u kanë mbetur edhe pak muaj. Nëse u kanë mbetur edhe pak muaj, çka do të ndodhë me ta? A do të legalizohen, a do të amnistohen, do të burgosen, MUP-i serb të kthehet në Serbi? Të gjitha këto pyetje kanë mbetur dilema pa përgjigje. Pavarësisht deklaratave se do të ketë transparencë në dialog, deri tash është vërtetuar e kundërta.

Bajram Rexhepi, ndërkaq, tha se strukturat ilegale serbe do të legalizohen dhe disa nga ata, që janë “kosovarë”, do të hyjnë në Policinë e Kosovës. Nëse strukturat paralele hyjnë në polici, si do të shkojë procedura e trajnimit dhe inkuadrimit brenda sistemit policor? A do t’i nënshtrohen këta policë zinxhirit komandues të Prishtinës, apo do të dalin kundër sikurse Miloje Millosheviq, i cili merrte pagë nga Prishtina dhe i shërbente Beogradit?

Në këtë lloj drame, ka mbetur pa folur veç edhe Agim Çeku për të treguar se sa serbë të veriut, që kanë qenë struktura ilegale, kanë për të hyrë në FSK.
Gjithçka gjatë pesë raundeve ka qenë e mjegulluar, si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi dhe nga vetë Brukseli.

Prandaj qytetarët e Kosovës duan më shumë transparencë, si nga kryeministri Hashim Thaçi, po ashtu edhe nga koordinatorët e të koordinuarit që flasin në emër të popullit. Gjithashtu njëherë e përgjithmonë në logjikën qeverisëse duhet të hiqet mentaliteti i mostransparencës. Edhe nëse është e hidhur, duhet ngrënë…