Ai që nuk është frikësuar nga tigrat, nuk ka se si të frikësohet nga macja !
Nga Nazmi Musa – Si një petardë e vitit të ri , nga zyra e Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së , nga kryetari i kësaj shoqate , i nderuari zoti Ahmet Daku, nxori në dritë lajmin , jo vetëm ecurinë e rrjedhjes së konkurrueseve për statusin e veteranëve , por edhe na i paska identifikuar edhe disa kandidatë që na paskan qenë bashkëpunëtorë të UDB-së, gjegjësisht, bashkëpunëtorë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.
Sipas këtij “veterani” për statusin e veteranit paskan aplikuar edhe prestarë” të njëfarë ministrie të famshme që na paskan luftuar nga Gjermania dhe anasjelltas”dhe, këto struktura “udbashe” na e paskan lënduar shumë shpirtin e tij patriotik. Eu… sa keq paskemi bërë!
Mesazhi është më se i qartë edhe pse nuk flet me emra dhe mbiemra andaj për hir të opinionit, i cili veç e dinë dhe do të flasë për ju dhe për këta “Udbashat”, siç i përgojoni ju, do t”ju them pak fjalë z. Daku:
E para, për të mësuar se kush janë dhe kush kanë qenë bashkëpunëtorë të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror serb do të duhej të ketë qenë vetë pjesëmarrës ose “regrut” i tij. Për ty nuk e di por, unë nuk kam qenë.
E dyta, ata qe nuk e kanë njohur Deklaratën të 2 Korrikut, Referendumin gjithë popullor, Qeverinë e Kosovës, Sistemin e Arsimit, Sistemin e shëndetësisë, kontributin e mërgatës shqiptare, braktisjen e të gjitha organeve të pushtetit okupator serb, dhe krijuam bazat e pavarësisë së Kosovës dhe këtij shteti që po vuan nga skandalet më të çuditshme, e një kaste më të keqe qeverisëse, janë dhe kanë qenë shërbëtorët më të devotshëm të pushtetit serb dhe të keqes së Kosovës.. Deklarata jote akoma mbajtka mesazhet e kësaj kategorie njerëzish që i luftonin dhe i luftojnë fëlliqtë edhe sot veprat dhe angazhimet e tyre për lirinë e Kosovës.
Ju , në atë zyre, zoti Daku, jeni të caktuar vetëm si shërbyes të çështjes dhe duhet t’i kryeni detyrat që ka kjo zyre e, jo të jepni vlerësime e të njollosni njerëz. Nëse keni këtë punë si detyrë shtesë, nga kushdo qoftë, atëherë dëshmoni shumëfish më tepër këtë që ju thash më lart. Me mendimet tuaja, denigruese, bëni pjesë në kategorinë e atyre njerëzve që urreni më shumë se gjysmën e popullit tënd, në të cilin thirresh dhe të ngjallë” dhimbje”.
Kjo , ndër të tjera dëshmon se akoma je i mbushur me urrejtje e pezëm jo vetëm të rrjedhave historike dhe proceseve politike që janë zhvilluar nëpër dekada të historisë, e në veçanti në vitet ’90-ta dhe këtyre njerëzve që kanë qenë pjesë e zhvillimeve deri me sot.
Zoti Ahmet Daku, pa dashur të polemizoj me ty, më duhet të them se ai i cili nuk ju ka frikësuar tigrit, nuk ka pse t’i frikësohet maces. Unë jam krenar me punën time, në radhë të parë familjare, arsimore, politike e atdhetare , prandaj ju e shumë kush tjetër mbeteni nën hijen time të sakrificës për këtë ditë. Veshja me uniforme ushtarake dhe ikja maleve të Zhegocit dhe strehimet nëpër familje shqiptare të Marecit e të Gollakut, vendlindjes sime, nuk të japin epitetin e çlirimtarit e as të drejtën më të vogël për të njollosur njerëzit publikisht . Këtë e bëjnë vetëm njerëzit e vegjël dhe servilë .
Me UDB-në,z. Daku, kam pasur takime në vitet 1981, kur ata, që i përmend t`i me kaq endje, më përjashtuan nga procesi mësimor po, edhe në vitin 1989 kur me burgosin dhe me akuzojnë për planifikim e tentim vrasjeje të udhëheqjes se atëhershme krahinor (Rr.M ).
As unë nuk kam jetuar në kohën e heronjve tanë që e kanë bërë historinë e lavdishme të popullit tonë , por kam mësuar e jam frymëzuar që t’i dua e adhuroj për trimëri. Edhe t`i zotëri shfleto e mëso se kush ka vepruar e punuar para se ta kishe veshur uniformën e UÇK-së . Unë kurrë nuk kam luftuar pas shpine , as në pabesi dhe nuk e kam fyer popullin dhe veprat e atyre që, sadopak, kanë kontribuuar për lirinë e Kosovës. Jam krenar që kam qenë pjesë e institucioneve të para të shtetit shqiptar të Republikës së Kosovës. Jam krenar që bashkë me kolegët e mi, mësimdhënës në tërë Kosovën, kem nënshkruar dokumentet e para me stemën e Republikës së Kosovës ( Dëftesa e Diploma) që për kohën nuk ishte e lehtë. Ju nuk e njihni dhe s’doni ta njihni atë Kosovë e cila, përherë të parë, zgjodhi institucionet e veta duke u bërë me Kryetar, Qeveri e Ministri.
Duke vepruar në kushte dhe rrethana të ndërlikuara okupimi të viteve 1990 ,Ministria e Republikës së Kosovë, të cilën ju nuk e njihni as nuk i keni njohur institucionet e Kosovës, nëpër të gjitha komunat e Kosovës formoi Shtabet e Mbrojtjes Territoriale me qellim të mbrojtjes se popullit dhe pragun e shtëpisë.
Më 15 shtator të vitit 1991 edhe në Gjilan formohet Shtabi i Mbrojtjes Territoriale, pikërisht në shtëpinë time pra, jo maleve dhe në shtëpitë tjera duke ju rrezikuar familjet e tjetërkujt po, së pari timen. Për shkak të rrethanave ekzistuese dhe rrezikut të të gjithë atyre që ishin pjesë e këtyre strukturave, të gjitha veprimet janë mbajtur në sekret për t’u mbrojtur prej atyre që na luftonin dhe na luftojnë edhe sot. Ky shtab nuk punonte krye në vete por, me urdhra dhe komandën e hierarkisë edhe politike edhe ushtarake.
Pra , lufta nuk paska filluar me ty e mendimtarët tuaj por, edhe me herët. Më vjen keq të ta them por, nuk je t`i personi që më ke sjellë lirinë dhe ty nuk të takon të cenosh autoritetin dhe integritetin e askujt dhe më se paku timin, se nuk ke arsye. Po ju që na paskëshit qenë në krye të luftës çlirimtare dhe flet në emër të saj , të pyes ty se, përse nuk i mobilizuat të gjitha këto segmente ushtarake që kanë qenë në themelim dhe që mirë i kanë ditur eproret tuaj komandues.?
Këto struktura që po konkurrojnë sot, ishin këtu dhe vepronin aktivisht në teren, po ju nuk i shiheshit nga pylli i dendur i urrejtjes dhe strehimit larg tyre. T`i, që minimizon mërgatën shqiptare, nga kush i merrshi paratë, nga kush e marrshi armatimin, kush ju furnizonte me ushqim? T`i kujton se unë nuk i di, apo jo? Unë nuk kam vepruar për medalje as lëvdata, as poste, por dëshmoj veprimtarinë time në jetë për këtë ditë . Përfituesit e luftës po i shohin të gjithë, edhe t`i,z. Daku.
I dëftova këto pak të dhëna sa për opinion, zotni Daku, jo për ty e shokët tuaj që s’pushoni me këto lëvdata që me duket se do t’i dëmtoni mushkëritë duke rrahur gjoksin për këto merita patriotike e sjellje lirie si dhuratë këtij populli që na paska qenë në gjumë dhe sapo paskan hapur sytë në agim, paskan prekur ëndrrën e lirisë.
Nazmi Musa,(ish pjesëtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe komandant i Shtabit të Mbrojtjes Territoriale për Gjilan)
Mbetesh me shëndet z. Daku!


