KKVITI

Po të kuptoj, ama tatimi në pronë është rritur ekstremisht zoti Nuhiu!

/ 12 minuta lexim
ARKATANA

Nga Avni Rudaku – Me Ligjin mbi vendosjen e tatimit në pronën e paluajtshme në Kosovë, të vitit 2003, shkalla tatimore ishte prej 0.05 % dhe 1 %. Neni 6, Shkalla Tatimore, paragrafi 6.1. “Asambleja Komunale e çdo komuneje do t’i vendosë shkallën tatimore të tatimit mbi pronën në baza vjetore ndërmjet 0.05% dhe 1% të vlerës së pronës.” (http://www.assembly-kosova.org).

Ndërsa, ky ligj ndryshon në vitin 2010, por vetëm në vitin 2012 rritet ekstremisht shifra tatimore, me Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme Nr. 03/L-204, Neni 7, Shkalla e tatimit, paragrafi 1: “Kuvendi komunal i çdo komune i cakton tarifat tatimore mbi pronën në bazë vjetore në shkallën tatimore prej zero pikë pesëmbëdhjetë përqind (0.15 %) deri një përqind (1 %) të vlerës së pronës në treg.” (http://www.assembly-kosova.org/?cid=1,191,899).

Pra, secili që ka qasje në internet dhe ligjet parlamentare, mund ta sheh këtë rritje. Madje, nëse shkojmë me analiza precize statistikore, ka një rritje për një 200 % krahasuar me ngarkesën minimale paraprake, sepse deri më 2012, minimumi ka qenë 0.05 %, ndërsa nga janari 2013, minimum 0.15 %, mirëpo ne e kemi llogaritur 100 përqind dhe mbi 100 përqind, duke marrë për bazë parimin e mesatares apriori teorike, ngase për kategori të ndryshme tarifat e tatimit lëvizin brenda kategorive si: prona rezidenciale, komerciale, industriale, e të tjera e të tjera.

Mora shkas leximin e reagimit të drejtorit për buxhet dhe financa, z. Nuhi Nuhiu, pas panosë sonë ekspozuese me parulla të larmishme rreth tri çështjeve kryesore: 1) kundër ngritjes së tatimit në pronë deri në 100 përqind; 2) dyshimet rreth rritjes së shumëfishtë të projekteve tenderuese në komunë, si bie fjala, mirëmbajtja e rrugëve, parqeve etj. nga viti në vit, dhe 3) rritja e çmimit të qerasë për zejtarët e grupet shumë të ndjeshme socio-profesionale. Emëruesi i përbashkët i tri këtyre çështjeve të të njëjtit ‘folder’ mbetet rritja progresive dhe kontinuele. Këto rritje nuk janë abstrakte, as nuk ndjehet nevoja për të studiuar ekonominë e për t’i kuptuar, as nuk duhet të jesh vetëm drejtor për buxhet dhe financa. Teksa shfaqëm këtë pano me kryetemën: “Kundër ngritjes së tatimit në pronë 100 % “, një tatimpagues erdhi dhe u afrua me fletëpagesë në dorë.

– Më falni kush e ka organizuar këtë protestë?! – pyeti me mllef zemërimi një mezoburrë.
– Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE në Gjilan! – iu përgjigja.
– Aha! Shumë ia pasni ba mirë! Edhe unë do të shkoj të ankohem dhe kam pritur që po organizoni edhe ndonjë protestë. Çmimi na është dyfishuar nga 70 euro në mbi 140 euro. Na ka ardhur shumë shtrenjtë. Ja shikoje edhe vetë…
E mora fletpagesën dhe e lexova të njëjtën gjë që më deklaroi para sysh.
– A bën ta fotografojmë këtë letër?! – e pyeta.
– Po, patjetër – ma ktheu.

Dhe e fotografova, prandaj këtë e kemi si dokument dhe mund ta shihni kur të doni.

Sipas qëndrimit të drejtorit Nuhiu, ai qytetar do të duhej të na shfaqte pakënaqësinë me terme ekonomike dhe financiare, përkundrazi, nuk do të ishte valide. Cinizmi i pushtetit kërkon që tatimpaguesi kalimtar do të duhej të më shpjegonte dyfishimin e tatimit në pronë me nocione nga “Financat Publike”, “Kontabiliteti financiar”, “Tatimet dhe taksat” e drejtimet specifike ekonomike. Bie fjala, ai duhej të më thoshte se ka parë “ngarkesë tatimore” dhe mund të ndodhë edhe “evazioni tatimor” nëse nuk bie kjo ngarkesë. Gjuha e qytetarit është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, konkrete dhe mjaft ‘ekonomizuese’.

Prandaj, politikanët dhe aktivistët e çështjeve publike nuk flasin me gjuhë tepër të strukturuar dhe zbërthim konceptesh nga drejtimet përkatëse, por me gjuhën e qytetarit, ashtu siç e kupton më lehtë dhe më shpejtë, ngase ne bëjmë përpjekje të jemi zëri i qytetarëve. Së këndejmi, xhepi i qytetarit apo kartela e tij bankare tregon se çfarë po rritet tek ai/ajo si detyrim financiar, si obligim tatimor, si taksë e të tjera ngarkesa specifike që ka i ndaj komunës e shtetit. Pra, më shumë se qytetari që e ndjen praktikisht pasojën e një politike të caktuar tatimore, fiskale, ekonomike apo çfarëdo qoftë, askush tjetër, ngase tek ai/ajo mbetet efekti më i drejtpërdrejtë dhe më i kushtueshëm. Dhe këtu mbaron zhvendosja e reagimit të drejtorit në çështje periferike.

Së dyti, deklarata ime e lexuar nuk është dhënë në tërësi gjatë performancës simbolike-politike, meqë gazetarët kanë të drejtën e tyre të përzgjedhin paragrafët e sendërtimit të tekstit të lajmit, ndonëse këtu nuk qëndron aq problemi, sesa mbetet faji te përgjegjësia që bie në komunikimin cinik dhe ironizues të cilin e ka instaluar që moti pushteti lokal në Gjilan dhe drejtori gjegjës. Kur fliste ekonomisti ynë, po ky drejtor akuzonte atë se nuk po i njeh problemet ekonomike dhe të njëjtën gjë ia thotë secilit kritikues. Drejtori në fjalë është shumë sensitiv dhe shpesh po përdorë gjuhë të vrazhdë, të ashpër dhe ekscentrike, por kjo është irelevante për qytetarin.

Së treti, reagimi i drejtorit mbetet krejtësisht kundërthënës, jo koherent në shpalimin ideor dhe me diskrepancë të thellë qëndrimesh të njëpasnjëshme. Do të ndalemi në disa paragrafë ilustrues për të konstatuar qëndrimet tona:

“Nuhiu ka sqaruar për opinionin, por edhe për Rudakun se çmimet e Tatimit në Pronë nuk janë rritur ashtu siç thotë ai para qytetarëve sepse kjo nuk është e vërtet se janë rritë çmimet…” Pra, drejtori thotë se nuk ka pasur rritje çmimi.
“Nuhiu tha se arsyeja e ngritjes qëndron në atë se si Komunë e kemi pasur normën tatimore më të ulët në nivelin e Republikës së Kosovës.” Në këtë paragraf tjetër, tregon arsyet e ngritjes!

“Tani në Kosovë pragu më i ultë i këtij çmimi norme është 0.15. dmth ,,çmimi” norma tatimore në Gjilan ka qenë 0.08 ndërsa në komuna të tjera ka qenë deri në 0.12. Kjo ngritje është bërë në konsultim të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtarë, se i vetmi burim i qëndrueshëm i të hyrave vetanake është tatimi në pronë kurse taksat e bizneseve dhe të hyrat e tjera janë të hyra variabile, komunat nuk munden ta kenë një planifikim real i të hyrave vetanake.” (http://www.rajonipress.com/shfleto-artikujt.php?id=7715) .

Dhe në këtë paragraf në po të njëjtin reagim, Nuhiu tregon edhe origjinën e nevojës për rritje, sugjerimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar, e gjer te nevoja për siguri financiare dhe arkëtim në komunë.

FIDANISHTJA

Gjersa paragrafi 1, na shfaq synimin për ta ndalur dhembjen e qytetarëve (lexo: s’ka rritje) me negacion (mohim) të ngritjes, në të dytin e të tretin e tëhollon sqarimin dhe zbërthen arsyet e rritjes! Kjo në shkrimin akademik quhet moskonsistencë dhe deklaratat si të tilla bien nga karakteri i eseve argumentuese, madje tërësia e reagimeve të Nuhiut nuk mbeten madje as ese të tipit ekspozues.

Pa dyshim se kjo rritje e tatimit në pronë deri në 100 % mund të vërtetohet shumë lehtë nga secili prej nesh, por ne e analizuam reagimin e drejtorit dhe dëshiruam që të sqarohemi edhe më tej, nga përkushtimi ynë që vetëdijshëm kurrë të mos dezinformojmë qytetarët, sikur që bënë pushteti lokal, ngase pikërisht pse ne kritikojmë këtë qeverisje lokale është alternativa jonë që me qytetarin të jemi të sinqertë, transparentë, llogaridhënës, pa asnjë tendencë propaganduese, pa simulime, pa nevojën për t’i thënë këtij apo atij ‘hajn’, ‘i keq’, ‘i poshtër’, ‘injorant’ e të tilla stigma neveritëse.

E thjeshtë, kur të themi se kryetari ka bërë këtë shkelje, apo se drejtori X e ka bërë këtë, thjeshtë të bazohemi në Ligjet ekzistuese, t’ia themi nenet, e të ngjashme. Mirëpo, sinqerisht është vështirë të flasësh dhe të komunikosh me këtë pushtet, sepse gjithmonë ta kthejnë me personalizim, me cinizëm e ironi të konsumuar tashmë.

Në vend se të merret me çështjen e ngritur nga opozita, drejtori më tregon se po u dashka unë të jem ekonomist duke e personalizuar çështjen. Pushteti gjithmonë po përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen nga problemet reale, nga koncepti të dal në personalizime krejt jorelevante për qytetarët. Tek e fundit, shqetësim i qytetarit mbetet dyfishimi i menjëhershëm dhe rritja 100 përqind e tatimit në pronë, e jo “çështja Nuhiu-Rudaku”. Absolutisht, me replika personale duke subjektivizuar rolet tona që kemi në çështjet publike, qytetarin e bëjmë mosbesues, indiferent, e të ngjashme.

Politika, ekonomia dhe sociologjia

Së katërti, në politikë domosdoshmërisht duhet të merreni me ekonomi. Madje, në fillimet e zhvillimeve të ekonomisë, ka qenë më e zhvilluara “ekonomia politike” si nocion/disiplinë/shkencë. Lidhur me shpotitjen jo aq inventive të drejtorit për buxhet dhe financa, ne mund të themi tri gjëra: 1) .Nuk duhet fare të keni studiuar ekonominë, financat, marketingun e të tjera, për të folur rreth çështjeve që shqetësojnë qytetarët nga vendimet dhe rregulloret që dalin nga qeverisja lokale; 2) Mjafton të lexoni ligjet për tatimin në pronë/tatimin për pronën e paluajtshme/ndryshimin e tatimit në pronën e paluajtshme dhe të keni leksionet elementare të gjuhës ekonomike, dhe do të jeni komod për të debatuar mbi temat si tatimi në pronë. Madje, edhe pa to, mund të debatohet; 3) Të jesh ekonomist e të mos e dini ju z. Nuhiu se, sociologjia merret shumë me ekonomi, për faktin se shumë sociologë kanë dhënë interpretime të shumëllojshme mbi raportin shoqëri-ekonomi dhe anasjelltas, madje sociologë të mëdhenj janë figura meritore për kontributin e tyre në teoritë ekonomike si: William Jevons Stanley, Georg Simmel, Max Weber, Karl Marks, Dahrendorf, Fred L. Blloku, Mark Granovetter, Harrison bardhë, Paul DiMaggio, Joel M. Podolny, Richard Swedberg, e shumë të tjerë. Të jesh ekonomist e të mos dihet ky fakt aq i zakonshëm gnoseologjik, tregon shenja të pafuqisë akademike për të hyrë në botën e thellë të ndërlidhjes së disciplinave shkencore dhe profesionale.

Së pesti, ne kemi thënë gjatë deklaratës sonë se, as themeluesi i doktrinës më liberale mbi “dorën e padukshme” në ekonomi, Adam Smith, nuk prêt që njerëzit të paguajnë tatimet pa u bazuar në të ardhurat, aftësitë dhe mundësitë ekonomike të obliguesve tatimorë. Po ashtu, këto ngritje, do të rrisin në anën tjetër edhe mundësinë për evazion tatimor, shmangien nga tatimet. Pra, logjika ekonomike na dërgon në faktin që me rritjen e ngarkesës tatimore rritet edhe rezistenca e pagimit të tatimit.

Në aspektin ekonomik, nga ekspertët thuhet se kufiri i poshtëm i ngarkesës tatimore nga aspekti individual i obliguesit tatimor përcaktohet me lirimin e minimumit të ekzistencës, ndërsa kufiri i lartë i ngarkesës tatimore përcaktohet nga të ardhurat të cilat i ka obliguesi tatimor, e rrallë herë nga pasuria e tij.

Pra, kjo i bie se ju duke mos pasur si qeverisje lokale vizion për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e financiar, ju po shkoni edhe në drejtim të kundërt me vetë principet e tatimeve. Sot qytetarët e komunës së Gjilanit, kanë shumë sfida: papunësinë, varfërinë ekstreme, çmimet shumë të shtrenjta të artikujve bazë, obligimet multipolare për ujë, rrymë, higjienë, tatim në pronë, taksë ekologjike etj., etj.

Rregulla bazë e logjikës së tatimeve është se tatimet duhet të jenë të paktën në përputhje me nivelin e të ardhurave/aftësive/mundësive ekonomike. Prandaj, nëse ne tërheqim vërejtjen z. Nuhiu, ne e kemi më së paku për ndonjë arsye tjetër, përveç shqetësimit nga nevoja jonë për të qenë të dobishëm për shoqërinë, për të jetuar në një komunë me mirëqenie më të mirë, me politika të racionalizimit të shpenzimeve komunale, me taksa/tatime/tarifa/gjoba/ngarkesa sa më të vogla për qytetarin, apo kompatibile me mundësitë e qytetarit. Vetëm kujtoni se sa pasoja ka shkaktuar deindustrializimi dhe privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në komunën e Gjilanit, pa harruar edhe renditjen e komunës sonë në krye të listës për shkelje procedurash në tenderë, sms-ët e kryetarit që i ka botuar “gazeta jetanëkosovë”, nepotizmin në komunë, gjobitjen për konflikt interesi deri në 700 euro nga AKK-ja kundër kryetarit të komunës, e shumë pasoja të tjera nga kjo mënyrë e qeverisjes.

Tek e fundit, z. Nuhiu, me pak empati, do të duhej edhe ju ta shfaqnit ndjeshmërinë për gjendjen e rëndë të secilit qytetar, i cili sot nuk jeton, por mbijeton! Të tjerat, nuk janë me rëndësi! Sa herë të reagoni ndaj kritikave tona opozitare dhe qytetare, hiçni këtë gjuhë pushteti që personalizon! Qytetari le të jetë në qendër, hiçu meje e teje! Se harrova edhe njëherë: tatimi në pronë është rritur 100 % dhe kjo duhet të ndryshojë sa më parë, para se të shfaqet frustracioni shoqëror dhe qytetar në forma të tjera demokratike. Ngjashëm siç ndodhi në Bullgari, e dolën në rrugë! Ngjashëm si në Spanjë, Greqi… Emërues i tyre i përbashkët ishte kriza sociale, papunësia, rritja e çmimeve, tatimeve, tarifave, taksave, ngarkesave, gjobave, kamatave, borxheve…

Avni Rudaku-nënkryetar i dytë i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! – Gjilan