UBT

Krijimi i zonave ekonomike determinon dhe ndihmon zhvillimin ekonomik

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Burim Haliti – Sfida aktuale e shtetit të Kosovës është rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi i standardit jetësor të qytetarëve tonë, sepse ky popull e meriton që të ketë një jetë më të mirë dhe më të lumtur në aspektin ekonomik, politik, social dhe juridik.

Zhvillimi ekonomik i vendit është parakusht për të krijuar një paqe sociale me qytetarët të cilët që një kohë të gjatë janë duke e pritur këtë shpresë për të jetuar në një standard më të mirë jetësor. Ne si shoqëri kemi bërë shumë për të zhvilluar shtetin dhe shoqërinë, por duhet të bëjmë edhe më shumë në këtë drejtim e sidomos në atë të zhvillimit ekonomik.

Një nga format më të rëndësishme të cilat nxitin dhe determinojnë zhvillimin ekonomik të vendit janë edhe krijimi i zonave ekonomike të cilat janë shumë me rëndësi në aspektin ekonomik dhe social. Në aspektin ekonomik krijojnë parakushte të zhvillimit ekonomik ndërsa në aspektin social krijimi i zonave ekonomike është me rëndësi sepse krijon vende të reja punë dhe rrit standardin jetësor për një rajon të caktuar.

Republika e Kosovës ka bazë relative në aspektin juridik për të krijuar zona ekonomike sepse më 30 prill 2009 ka miratuar ligjin për zonat ekonomik, një ligj i cili është shumë me rëndësi në aspektin e krijimit të tyre sepse po me këtë ligj rregullohen këto çështje: krijimi i zonave ekonomike në territorin e Republikës e Kosovës, veprimtaria e lejuar në zonat ekonomike, kushtet për krijimin e një zone ekonomike, nisma për krijimin e zonave ekonomike, shpallja e zonave ekonomike, e drejta e pronësisë në zonën ekonomike, heqja ose ndryshimi i vendimit, institucioni përgjegjës, kompetencat e institucionit përgjegjës, funksionimi i zonave ekonomike, funksionimi i zonave ekonomike, zhvilluesi, operatorit menaxhues dhe shfrytëzuesi, afati për fillimin e zhvillimit të zonës ekonomike dhe gjobat.

Qëllimi i krijimit të zonave ekonomike është i shumëfishuar dhe së pari ato duhet të jenë në harmoni me interesat dhe të drejtat e qytetarëve të atij rajoni, sepse në të kundërtën nuk e ka efektin as ekonomik dhe as social. Ne duhet ta dimë se krijimi i zonave ekonomike nënkupton të kemi më shumë nxitje të investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë për të investuar në Republikën e Kosovës, zhvillohet sektori ekonomik-privat, hapen vende të reja pune dhe qytetarët realizojnë të ardhura të mira, ofrohen shërbime ekonomike më të mira për qytetarët, investohet në teknologji të përparuar, akumulohen shumë biznese në një vend dhe po ashtu edhe shërbimet ekonomike janë më efikase, bizneset arrijnë të bashkëpunojnë më mirë mes veti sepse janë në një zonë të caktuar ku kanë mundësi të komunikojnë dhe bashkëpunojnë më mirë, sektori publik dhe institucionet shtetërore iu krijojnë kushte më të mira të shërbimeve publike sektorit privat si në transport, ujë, energji elektrike, furnizime të ndryshme dhe shërbime tjera dhe bizneset përmes krijimit të zonave ekonomike tregojnë një konkurrencë të drejtpërdrejtë mes veti e kjo është në të mirën e bizneseve dhe qytetarëve.

Në Republikën e Kosovës krijimi i zonave ekonomike është në kompetencën e ministrisë së tregtisë dhe industrisë ku kërkesa mund të vije nga katër subjekte për ta krijuar një zonë ekonomike sipas legjislacionit në fuqi: Kuvendet Komunale, Komuniteti i Bizneseve, Partneriteti publiko-privat dhe Ministria mund të jetë nismëtare vetëm nëse zona ekonomike financohet nga buxheti i Kosovës dhe është me interes publik (shih Ligji Nr. 03/L-129 për zonat ekonomike, neni 6, paragrafi 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4).

Duhet të hartojmë plane të mirëfillta si në nivelin qendror po ashtu edhe në nivelin lokal për të krijuar dhe zhvilluar zonat ekonomike të cilat duhet të jenë parimore, efikase që sjellin zhvillim ekonomik dhe që në aspektin juridiko financiar janë në nivelin perëndimor duke u bazuar në legjislaturë shtetërore dhe përfitime financiare dhe ekonomike.

Fundamenti

Koncepti bashkëkohor për krijimin e zonave ekonomike determinon parimisht zhvillimin ekonomik të vendit dhe përmes zhvillimit ekonomik të krijohet një standard më i lartë i jetës, kjo ka qenë e suksesshme në botën perëndimorë sepse sipas statistikave të ndryshme botërore mbi 60 milion njerëz në gjithë botën janë të punësuar nëpër zonat ekonomike të cilat janë krijuar nëpër shtete të ndryshme të botës.

Praktika ndërkombëtare e krijimit të zonave ekonomike ka dëshmuar se këto janë më se të domosdoshme në zhvillimin ekonomik të vendit dhe sa më shumë që vonohemi në krijimin e këtyre zonave ekonomike aq më shumë vonohemi në zhvillimin ekonomik të vendit, andaj më shpejtësi të lartë të punës duhet intervenuar për të krijuar zona ekonomike të cilat janë në interesin e qytetarëve dhe jo si ato të cilat deri më tani kanë qenë jofunksionale.

Ne si shoqëri duhet ti ndërmarrim disa masa të cilat janë të domosdoshme si në aspektin ligjor, ekonomik, planifikues – strategjike:

Në aspektin ligjor ne duhet parapa që edhe investitorët e jashtëm të jenë pjesë e këtyre zonave ekonomike, të krijohen lehtësira tatimore, fiskale dhe doganore për bizneset të cilat janë pjesë e zonave ekonomike.

Në aspektin ekonomik për të krijuar zona ekonomike ne duhet inkurajuar bizneset që të ndërmarrin iniciativa të tilla në mënyrë që të ndikojnë në hapjen e vendeve të punës, fitimin e të ardhurave të majme dhe ofrimin e shërbimeve më të mira ekonomik për një rajon të caktuar dhe në aspektin planifikues – strategjik ne si shoqëri duhet hartuar një plan të mirëfilltë se ku duhet të krijojmë zona ekonomik, çfarë lloji të veprimtarive ekonomike duhet zhvilluar në atë zonë, cilat janë resurset vendore natyrore, të mos jenë larg qendrave të banimit – qyteteve d.m.th të jenë në periferi të qyteteve të mëdha, etj.

Ma.Sc. Burim Haliti (Master i shkencave juridiko-financiare).