Dega e AKR -së shpall zgjedhjet e brendshme në Gjilan
Gjilan – Në mbledhjen e përbashkët të këshillit drejtues, kryesisë së forumit rinor dhe kryesisë së forumit të gruas së degës së AKR-së në Gjilan, ku të pranishëm ishin edhe anëtarë të kryesisë qendrore, Shefki Abdullahu, koordinator për zgjedhjet në AKR, zonja Myzejne Selmani dhe Bejtush Gashi, zyrtarisht u shpallën zgjedhjet për strukturat e degës së AKR-së në të gjitha nivelet.
Zgjedhjet do të organizohen në të gjitha nëndegët ekzistuese të AKR-së dhe ato nëndegë të reja që do të themelohen tha Arben Dubova sekretar.
Sipas tij me këtë proces dega e AKR-së pretendon t`i zgjedh organet e reja drejtuese të partisë duke pretenduar gjithashtu edhe shtrirjen dhe zgjerimin e sajë të mëtutjeshëm me anëtarësimin e një numri të madh të anëtarëve të rinj të cilët tanimë veç e kanë konfirmuar se janë të gatshëm t`i bashkohen programit politik të AKR-së.
Sipas Dubovës dega e AKR-së në Gjilan është cilësuar si njëra ndër degët me prioritet të presidentit të saj Bengjet Pacollit i cili ka premtuar përkrahje më të madhe dhe përkushtim maksimal për Gjilanin dhe Anamoravën.
“Atë që partitë tjera nuk e kanë bërë për vite me radhë për rajonin e Anamoravës, Gollakut dhe Karadakut, duke e lënë krejtësisht anash këtë trevë në aspektin e investimeve, AKR me presidentin e sajë Behgjet Pacolli i cili vjen nga kjo trevë, premton përkrahje ekonomike duke ia kthyer dinjitetin e munguar me vite kësaj pjese të harruar të Kosovës” tha Dubova.
Dega e AKR-së në Gjilan fton të gjithë qytetarët e Gjilanit që t`i bashkohen programit të sajë politik duke u kyçur tani në procesin zgjedhor në mënyrë që t`i krijohet mundësia secilit i cili ka vullnet dhe kapacitete që të angazhohet në strukturat e degës.
AKR i siguron të gjithë se do ta zhvillojë një proces zgjedhor tejet transparent duke krijuar mundësi që të zgjidhen më të mirët nëpërmjet procesit të votimit në të gjitha nivelet e degës.
Përndryshe, sipas statutit të AKR-së, kuvendet e nëndegëve do të zgjedhin kryesitë e nëndegëve dhe delegatët për kuvendin zgjedhor të degës, i cili mandej zgjedh kryesinë dhe kryetarin e degës, ndërsa kryetarët e nëndegëve së bashku me kryesinë përbëjnë këshillin drejtues të degës ka sqaruar Dubova.
Paralelisht me zgjedhjet në degë, do të mbahen edhe zgjedhjet për forumin rinor dhe atë të gruas. Kuvendi zgjedhor i degës së AKR-së, planifikohet të mbahet në fillim të muajit prill, i cili gjithashtu do t`i zgjedh edhe delegatët e degës për kuvendin zgjedhor të partisë, i cili planifikohet të mbahet kah gjysma e muajit prill tha Dubova./rajonipress/


