Haziri : Thaçi gaboi
Kryeministri Hashim Thaçi ka gabuar kur llogariti se dialogu politik me Serbinë mund t’i sjellë dhurata në procesin e integrimeve europiane. Ai duhet të ndëshkojë njerëzit e Qeverisë që nuk realizuan detyrat e BE’së për liberalizimin e vizave. Nëse nuk e bën këtë, duhet të zgjidhet një Qeveri e re që çon përpara proceset. Kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Europiane, Lutfi Haziri, flet për Express.
Express: Z. Haziri kemi edhe një raport negativ të KE’së për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe sundimin e ligjit, ndërkohë Kryeministri Hashim Thaçi po fajëson Brukselin për këtë. Sa është e drejtë kjo?
L. Haziri: Ky raport, me vetë faktin që ka nxjerrë 70 rekomandime të reja apo bllok rekomandime në mënyrë që Kosova të përfitojë të drejtën elementare që e garanton BE’ja në qarkullimin e lirë të njerëzve, bën me dije që Kosova ka problem serioz dhe arritja e standardit në fushën e sundimit të ligjit e largon çdo lloj ndikimi dhe çdo lloj faji që mund të gjendet apo mund të kërkohet në Bruksel.
E vetmja peshë që mund të vlerësohet në rolin e Brukselit sa i përket liberalizimit të vizave është mospranimi i peshë shteteve anëtare të BE’së të pavarësisë së Kosovës, por mos harroni se shtetet si Greqia, Sllovakia i kanë pranuar pasaportat e Kosovës, kanë pranuar të drejtën e Kosovës për të qarkulluar, kështu që në të vërtetë me vetë faktin që ata nuk kanë problem me pranimin e dokumenteve civile të Kosovës tregon qartë që faji nuk mund të kërkohet në Bruksel.
Express: Por, Kryeministri Thaçi e ka ndërlidhur raportin që e sollën europianët me faktin që Brukseli nuk ka një politikë unike ndaj Kosovës, edhe pse siç dihet është pikërisht kjo BE që është pajtuar që Kosovës t’i jepet udhërrëfyesi …
L. Haziri: Jo, absolutisht. Problemin më të madh ne e kemi me shtetet anëtare që janë mike të Kosovës, që janë shtete partnere të Kosovës siç është Franca, Belgjika, Austria, Suedia, sepse në këto vende fluksi i azilkërkuesve është edhe më tutje kërcënues për liberalizim të vizave. Në këto shtete, për shkak të legjislacionit liberal ndaj të huajve edhe më tutje ka azilkërkues nga Kosova . Nuk ka problem Sllovakia ekskluziv ose Greqia sepse mënyrën me negociu me shtetet anëtare e ka Komisioni Europian, nuk është kërkuar që Kosova të bisedojë për këtë çështje me shtetet që nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës. Komisioni Europian negocion, komisionari Stefan Fule ose Presidenti Jose Manuel Baroso apo edhe drejtorët e departamenteve janë ata që negociojnë në baza ditore. Problemi kryesor është të nxirren rezultatet në fushën e sundimit të ligjit e që duhet të nxirren në Prishtinë. Lufta kundër krimeve dhe korrupsioneve është barometri kryesor, pra është matësi kryesor që Kosova të përfitojë në procesin e liberalizimit të vizave dhe azilkërkimi apo politika e re e integrimi, se edhe ata që kërkojnë azil në momentin që refuzohet duhet të kthehet mbrapa dhe duhet të ri-integrohet në shtetin amë. Kështu që dy problemet kryesore që janë evidentu, skandali i pasaportave dhe skandali me mjetet për ri-integrim kanë qenë njolla të zeza në këtë proces, por edhe bllok rekomandimet e reja që kërkojnë angazhim serioz të institucioneve në procesin e reformimeve, në procesin e adaptimeve, tregon qartë që faji kryesor është në kryeqytetin tonë, Prishtinën apo në Republikën e Kosovës e jo në Bruksel.
Express: A mund ta dëmtojnë deklaratat e tilla raportin e Kosovës me BE’në apo ato do të merren si diçka e rastit?
L. Haziri: Më lejoni ta them kështu. Kosova ka katër lloj dialogje që i ka ndërtuar si mekanizma të përbashkët me BE’në, është dialogu për stabilizim asociim, i cili po përkthehet tash pas studimit të fizibilitetit në marrëveshje për stabilizim asocim, i cili pritet ta merr dritën jeshile më 14 prill të këtij viti.
Këshilli i Ministrave ka kërkuar që Kosova t’i plotësojë kushtet afatshkurta në mënyrë që ta marrë mandatin dhe rekomandimin pozitiv nga Këshilli i Ministrave. Dialogu i dytë është dialogu për liberalizim të vizave, i cili po ashtu i rëndësishëm dhe po ashtu është i zhvilluar nga ana jonë me Brukselin, na është thanë që nuk ka “dhuratë” në këtë proces sepse Kosova duhet me i përafrua edhe duhet me i standardizuar dhe me kriju ambient të plotë të sigurisë së dokumenteve e të sigurisë në përgjithësi në mënyrë që me përfitu liberalizim të vizave. Nuk janë dy milionë banorë problem për një Europë kaq të madhe, po problem që njerëz nga krimi i organizuar dhe njerëz të involvuar në lloje të krimeve të ndryshme dhe njerëz që janë të involvuar në trafikim të narkotikëve dhe të njerëzve të mos kenë mundësi ta shfrytëzojnë këtë të drejtë blanko prej Kosovës drejt Europës. Dialogu i tretë është dialog për sundim të ligjit, i cili është kritik dhe është shtylla kryesore me të cilën vlerësohet arritja e sundimit të ligjit në Kosovë në mënyrë që me përfitu në proceset tjera dhe dialogu i fundit politik që fasilitohet prej BE’së është dialogu me Serbinë apo dialogu për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, i cili udhëhiqet nga vetë Kryeministri Thaçi me mandat të Kuvendit të Republikës dhe natyrisht që është i rëndësishëm në kuptimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por që BE’ja është sponsori kryesor. Natyrisht që SHBA’ja e ka një rol kritik në mbarëvajtjen e këtij procesi, por fasilatori i vetëm mbetet Komisioni Europian, respektivisht Baronesha Catherine Ashton, e cila në emër të institucioneve të BE’së po e ndihmon apo po e lehtëson këtë proces.
Atëherë Kryeministri Thaçi duke qenë bashkëpunues dhe kooperues në dialogun e katërt, natyrisht që ka prit rezultatet më të prekshme në fushën e dialogut për liberalizim të vizave me BE’në në mënyrë që shpaguhet konstruktiviteti, por ka qenë kalkulim i gabuar sepse BE’ja ka bërë të qartë më 12 qershor të vitit të kaluar në takimin e parë të dialogut për liberalizim të vizave se procesi apo nga procesi mund të përfitojnë qytetarët e Republikës së Kosovës vetëm atëherë kur krijohen kushte të pranueshme edhe kushte nuk janë të lehta, nuk janë vetëm teknike, në mënyrë që Kosova si vend i fundit në Ballkanin Perëndimor të përfshihet në listën e bardhë të Schengenit.


