ARKATANA

Daci: Ramushi është lideri numër një i ardhshëm

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Prishtinë – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD), Nexhat Daci ka deklaruar për Telegrafin se LDD pretendon të hyjë e vetme në garë, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.Për të, oferta e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për bashkimin e spektrit të djathtë ka qenë ide jo e menduar mirë. Ndërsa, ofertën për shkrirjen e LDD-së në LDK e quan joserioze.

Sipas tij, rikonfirmimi i Thaçit në krye të PDK-së nuk është i rastësishëm, sepse Thaçi ka qenë lider i pakontestueshëm që prej janarit 2006. Ramush Haradinajn e vlerëson si lider të së ardhmes, ndërsa opozitën e sotshme e cilëson për “kurrfarë hiç”.

I pari i dardanëve ka thënë se oferta e kryetarit të LDK-së për bashkimin e së djathtës ishte e qëlluar, por jo e menduar mirë, ndërsa shton se nuk ka ekzistuar as serioziteti në unifikimin e spektrit të djathtë nga ana e kryetarit Mustafa.

“Ka qenë më tepër një vullnet i degëve të LDK-së, që të punohet në bashkimin e së djathtës, por oligarkia udhëheqëse në atë parti nuk ka qenë e përgatitur për unifikim e së djathtës”, thotë Daci.

Sipas tij, oferta për shkrirjen e LDD-së në LDK ka ekzistuar që prej vitit 2006. Për Dacin ideja e tillë as që do të shqyrtohet.

“Problemet që kanë ekzistuar mes LDD-së dhe LDK-së janë tejkaluar që nga ardhja e Isa Mustafës në krye të partisë. Mirëpo, sa i përket politikës, Isa po ecën me shpejtësinë e traktorit, që do të thotë se LDK-ja po ecën mbrapa”.

Akademik Daci ka thënë se LDD-ja është e gatshme për bashkëpunim me LDK-në, por e mirëpret edhe bashkëpunimin me AAK-në, nëse do të jetë “i sinqertë, i mirëfilltë dhe pa kërkesa individuale”.

Vendimin e krerëve politikë që Kosova të ketë një zonë zgjedhore, Daci e justifikon duke thënë se kjo i përshtatet rrethanave në Kosovë. Sipas tij, krijimi i më shumë zonave zgjedhore do të krijonte mundësi që të zhvillohej një luftë e egër “mes bandave në regjione të ndryshme të Kosovës”.

Daci e ka vlerësuar pragun e tanishëm zgjedhor prej 5 për qind si mekanizëm që pengon një popullatë ose një komunitet dhe që fuqizon deri në stratosferë një komunitet tjetër.

Hidromorava

“Është e padrejtë që një pakicë kombëtare në Kosovë, me më pak se një për qind të popullsisë, e i cili në zgjedhje i fiton 200 vota, t’i mundësohet hyrja në Parlamentin e Kosovës e jo një subjekti shqiptar që fiton 40 mijë vota. Kjo është ngufatje e demokracisë”, tha Daci.

Sipas tij, pretendimet e PDK-së se është parti ku zhvillohet demokracia janë qesharake.

“Është ironike të thuhet se një parti që ka dalë nga lufta është demokratike ose ka qenë demokratike”, thotë ai.

“Rizgjedhja e Thaçit në krye të PDK-së nuk është rastësi. Bindja ime e thellë është se Hashim Thaçi ka qene lideri i pakontestueshëm që prej janarit të 2006 e deri tani. Me aq sa i njoh rrethanat në PDK ,Thaçi është i pa konkurrencë”.

Kryetari i LDD-së ka theksuar se dëshiron që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj , të garojë i vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sepse për të ai ka përvojë, dije dhe shpirtgjerësi.

“Nëse Ramushi do të kishte deklaruar menjëherë në fillim atë që e paraqiti tash, autoriteti i tij do të ishte shumëfish më i lartë. Nuk besoj se do të ketë rënie të elektoratit për AAK-në. Unë personalisht ju them se prej te gjithë liderëve, Ramushin e kam ma të afërmin. Besoj se Ramushi është lideri numër një i ardhshëm”.

Për Dacin, opozita aktuale në Kosovë është “opozitë që bën politikë të mëhallëve, pra kurrfare hiç”.

“Opozita në Kosovë nuk meriton notë pozitive për punën që ka bërë deri tash. Opozita nuk është formuar për shkak se Kosova ende është në fillimet e konsolidimit të demokracisë”, tha Daci.