Mobi Casa

Borchardt, lajmërohu në KEK

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Nga Lavdim Hamidi – Shefi i ri i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX), Bernd Borchardt, do të bënte mirë sikur në ditën e parë të punës së tij në Kosovë ta autorizonte prokurorinë ndërkombëtare për nisjen e hetimeve rreth privatizimit dhe investimeve që po ndodhin në distribucionin e energjisë së KEK-ut.

Menaxhmenti i Korporatës me “izën” e Qeverisë po investon më shumë se 8 milionë euro në vendosjen e njehsorëve të rinj digjitalë në distribucionin, të cilin që nga viti i kaluar e ka blerë kompania turke “Limak”. Pa dyshim se ky investim milionësh po bëhet si dhuratë për kompaninë turke, pasi që nuk ka kurrfarë logjike ekonomike që në një kompani të privatizuar të vazhdojnë investimet shtetërore.

Kjo është njësoj sikur një qytetar i cili e shet banesën e vet për 26 mijë e 300 euro dhe pas përmbylljes së kontratës me blerësin të investojë edhe 8000 euro në renovimin e saj, apo 1/3 e çmimit të shitjes së banesës t’ia bëjë dhuratë pronarit të ri nëpërmjet zbukurimit të brendshëm të banesës.

Kështu nuk do të vepronte askush me pronën private, madje as ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, e as drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj, ndonëse këta dy po i lejojnë investimet në ndërmarrjen publike, e cila pas dy muajve do të kalojë në duart të blerësit nga Turqia.

“Limak” do ta marrë në muajin maj nën menaxhim distribucionin dhe me siguri po ndjehet i lehtësuar nga investimet që po bëhen në njehsorë digjitalë, pasi që për një gjë të tillë po kujdeset menaxhmenti aktual i KEK-ut.

Hidromorava

Do të ishte gjithçka në rregull sikur këto investime të përfundonin pa filluar procesi i privatizimit të distribucionit, të cilat njëkohësisht të ndikonin në rritjen e vlerës së kompanisë publike.

Mirëpo, nëse zgjidhja e problemit me njehsorët digjitalë nuk është bërë më herët nga menaxhmenti, por është pritur të ndodhë pas privatizimit të distribucionit, atëherë në këtë mes ekziston diçka djallëzore, e cila duhet të hetohet nga policia dhe prokuroria.

Dyshimet janë se nga investimet në këtë periudhë transitore dikush mund të përfitojë nga njehsorët digjitalë, përkatësisht të marrë përqindje nga furnitorët, ose po ndahet “talli” bashkë me turqit e “Limak”-ut.

Prandaj, shefi i EULEX-it nëse dëshiron të mbahet në mend nga kosovarët për luftën e pakompromis ndaj korrupsionit, për dallim nga paraardhësit e tij që nuk e bënë një gjë të tillë pavarësisht zotimeve, atëherë në vend se t’i vizitojë zyrtarët institucionalë, do të ishte më mirë që t’i vizitojë kompanitë publike, të cilat janë shndërruar në burim të korrupsionit në vend.

Borchardt duhet ta ndjejë për obligim që t’i nisë hetimet në këtë kompani, pasi që rreth 500 milionë euro të taksapaguesve evropianë janë investuar në sektorin energjetik të Kosovës, ndërsa në anketat e UNDP-së edhe më tutje KEK-u radhitet në krye të listës në perceptimet e qytetarëve për shkallën më të lartë të korrupsionit.