Punët e pakryera të kryeministrit
Nga Ibrahim Rexhepi – Ideja për rritjen e pagave është tentim për zhvendosjen e vëmendjes nga punët ë pabëra nga Qeveria e Kosovës: Ndërtimin e TC “Kosova e Re”, aktivizimin e “Trepçës” dhe konsolidimin e ndërmarrjeve publikeJanë të dukshëm hapat në reformën fiskale, sa do që ata kryesisht kanë sjellë përfitime për komunitetin e biznesit, e jo edhe për konsumatorët.
Pra, Qeveria e Kosovës po synon që ta forcoj biznesin, i cili një ditë të jetë bartës i procesit të zhvillimit ekonomik. Mirëpo,ecjet janë të ngadalshme, apo edhe të padukshme, meqenëse ende mbetet i bllokuar prodhimi, përkatësisht rritja e ofertës së brendshme si për tregun vendor, apo për eksport. Zhgënjimi i parë del kur kemi parasysh deficitin tregtar, i cili vjet ishte 2.5 miliardë euro, meqenëse importi u rrit 6 për qind, kurse eksporti ra 5 për qind. Prandaj, ky është treguesi më i mirë se reformat nuk po ecin si duhet dhe ende nuk ka sinjale të besueshme se do të ketë efekte në rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe të mirëqenies së qytetarëve.Është fakt se ka rritje të të hyrave në buxhet, por sërish burimi kryesor mbetet kufiri.
Kjo do të thotë se në koncept politikat fiskale nuk po ndryshojë asgjë, meqenëse, importi është i vetmi instrument i sigurisë për të hyra buxhetore. Ta zëmë, edhe më tutje 74 për qind e TVSH-së mblidhet në kufi, aq sa ishte edhe në vitin 2015. Pra, nuk ka ndonjë lëvizje që tregon se trendi i rritjes së të hyrave nga burimet e brendshme është më i lartë se atyre në kufi. Duke pasur parasysh këto trende, atëherë edhe siguria buxhetore është e paqëndrueshme, meqenesë ajo është nën ndikim të madh të lëkundjeve që mund të ndodhin në tregun ndërkombëtar.
Në këto rrethana, është krejtësisht e pa pranueshme madje edhe të mendohet për rritje të pagave dhe të përfitimeve të tjera sociale, meqenëse një vendim i këtillë nuk do të mbështetej në rritjen ekonomike dhe të të hyrave në buxhet, por vetëm në logjikën elektorale. Madje, një vendim i tillë është edhe më i papranueshëm kur kemi parasysh se sa e lartë ishte ngritja e pagave në muajt e fundit të qeverisje Thaçi, e cila nuk mbështetej në asnjë parametër ekonomik. Prandaj, nuk duhet përsëritur gabimet e njëjta, meqenëse rritja e pagave për 82 mijë veta që financohen nga buxheti nuk është problem akut, meqenëse edhe ashtu, së paku në këtë rrafsh, Kosova qëndron shumë më mirë se disa vende të rajonit, të cilat kanë më pak varfëri dhe GDP shumë më të lartë.
Edhe sikur të gjitha rrethanat e tjera të lejonin ngritjen e pagave, kjo nuk do të duhej të ndodhë përderisa nuk bëhet reformimi i administratës publike, si edhe nuk bëhet vlerësimi i performancës.
Duket shumë e qartë se vet ideja për rritjen e pagave është një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet shumë serioze me të cilat ballafaqohet vendi për sa kohë, zgjidhja e të cilave njëherit ishin edhe premtime të kësaj qeverie.Tejkalimi i problemeve në energjetikë është ngushtë i lidhur me nderimin e termocentralit “Kosova e Re”. Me vite të tëra thuhet se “kjo çështje është prioritet në agjendën qeveritare”, apo se “jemi para nënshkrimit të kontratës”, megjithatë nuk ka ndonjë indikacion shpesdhënës se gjërat kanë filluar të ecin. Ndërkaq, çdo ditë vonesë nuk është asgjë tjetër, pos humbej e shansit për zhvillim të përgjithshëm.
Ky zhvillim jo që do të vjen vetëm nga investimi i një miliard eurove, prodhimi i 500 megavatëve më shumë, apo punësimi i 500-600 vetave, por nga krijimi i sigurisë për furnim cilësor dhe të qëndrueshëm me energji elektrike. Sa do që me 500 megavat më shumë energjie nuk arrihet nivel i lartë i sigurisë energjetike, por , megjithatë, ai mund të jetë më i lartë se tani. Ndërkaq, duhet pasur parasysh se mungesa e energjisë elektrike është faktor limitues për zhvillimin ekonomik. E tillë, duket se do të jetë edhe për një kohë të gjatë.Edhe çështja e “Trepçës” nuk është në dinamikën e premtuar. Heshtja po mbretëron që nga miratimi i ligjet që mundëson transformimin pronësor të këtij kompleksi, si edhe të heq atë nga zona e rrezikut për likuidim. Por, këto veprime nuk janë të mjaftueshme, meqenëse “Trepça” duhet të jetë aktive, ashtu që të vërehet ndikimi i saj në zhvillimi ekonomik, uljen e papunësisë, përmirësimin e bilancit tregtar, etj.
Ndërkaq, deri më tani qeveria nuk ka bërë asgjë, pos miratimit të ligjit- asaj i mungon vizioni dhe strategjia se si të veproj më tutje.Edhe ndërmarrjet publike mbeten qendra të shumë problemeve dhe dukurive të jashtlgjshme- duke filluar bordet e kompletuara me njerëz jokompetent, punësimi pa asnjë kriter dhe i rezervuar vetëm për akomodimin akraballëkut, apo militantëve partiak dhe i keqpërdorimit të parasë përmes tenderëve dhe shpenzimeve të paarsyeshme. Në të njëjtën kohë po bie cilësia e shërbimeve që ato duhet të ofrojnë, ndërsa profitabiliteti mbetet i cenueshëm.Që të gjitha janë probleme që po barten prej një garniture qeverisëse, te tjera. Asnjëra nuk dëshmoj gatishmëri që njëherë e përgjithmonë të heq nga rendi i ditë këto çështje, ashtu që ato të mos mbeten pengesë e përhershme drejt zhvillimit ekonomik.


