Mobi Casa

Kriza në Maqedoni, larg zgjidhjes

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lisen Bashkurti – Prej disa vitesh kemi analizuar zhvillimet në Maqedoni. Këto zhvillime kanë dhënë prej kohësh sindromat e përkeqësimit në rritje në shumë aspekte doktrinare, politike, korruptive, kriminale, besimi të brendshëm, raporteve ndëretnike, marrëdhënieve me fqinjët, orientimeve gjeopolitike dhe reputacionit ndërkombëtar.

1. Krizë doktrinare
Në Maqedoni kriza ka rrënjë të thella doktrinare. Qysh në gjenezën e saj VMRO-DPMNE e drejtuar nga Nikolla Gruevski u mbështet në doktrinën e IMRO të fillimit të shekullit 20. Kjo doktrinë është vazhduesja e fundit e nacionalizmit, racizmit dhe segregativizmit në Ballkanin Perëndimor.
Udhëheqësi i kësaj doktrine, Gruevski arriti ta krijojë opinionin se “Maqedonia është e kërcënuar nga armiq të shumtë që kërkojnë zhdukjen e saj nga harta e Ballkanit”…
Me anë të këtij manipulimi Gruevski arriti të homogjenizonte sentimentet iracionale, sipas të cilave “vetëm VMRO-DPMNE dhe lideri i saj mund të mbrojnë Maqedoninë nga rreziku i zhdukjes”. Në këtë mënyrë VMRO-DPMNE dhe Gruevski ngritën platformën e tyre antieuroatlantike në projekt shtetëror. U krijua kështu një shtet diskriminativ në tërë aspektet.

2. Krizë politike
Diskriminimi doktrinar në Maqedoni gradualisht ka prekur edhe vetë shoqërinë e komunitetit maqedonas. Kryesisht thyerja e madhe nisi midis alternativave qytetare euroatlantike të prira nga LSDM e Zaevit dhe alternatives të së kaluarës së IMRO dhe vazhdueses së saj VMRO-DPMNE të Gruevskit.
Kriza prodhoi kështu një çarje të madhe midis vetë komunitetit të maqedonëve. Kjo çarje erdhi duke u thelluar e kontradiktuar deri në ballafaqime konfrontuese e të dhunshme ndërmaqedone.

3. Krizë morale
Qeverisja e gjatë e VMRO-DPMNE me Gruevskin kryeministër erdhi duke degjeneruar në një grup interesi korruptiv dhe të inkriminuar që ‘doktrinën’ filloi ta përdorte vetëm si mbulesë të keqqeverisjes.
Kriza mori kështu përmasat e luftës për pushtet të klaneve të korruptuara dhe të inkriminuara me Gruevskin në krye.
Këtyre klaneve iu bashkëngjit edhe Presidenti Ivanov, i cili mbështeti idenë e amnistisë të së keqes. Më këtë bashkëfajësi Ivanov i hodhi benzinë zjarrit midis Qeverisë se Gruevskit dhe opozitës politike dhe qytetare.

4. Krizë besimi shtet – qytetar
E venë përballë presionit politik dhe qytetarë në rritje, Qeveria Gruevski shpërdoroi institucionet shtetërore për të kontrolluar dhe shantazhuar kundërshtarët e saj politikë.

Gruevski organizoi dhe udhëhoqi procesin famëkeq të përgjimeve. Ky veprim inkuizitiv i tipit fashist irritoi jashtë mase mbarë qytetarët e Maqedonisë.
Përdorimi i shtetit si makineri inkuizitive fashiste uli në minimum besimin politikë dhe qytetarë ndaj shtetit. U thye kështu marrëdhënia qytetar-shtet.

5. Krizë ndëretnike
Marrëdhënia ndëretnike asnjëherë nuk u vendos mbi baza besimi dhe respekti reciprok në Maqedoni. Kjo marrëdhënie ka ecur me ulje-ngritje pa arritur të stabilizohej asnjëherë.

Kulmin konfrontues marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni e arritën në gjysmën e parë të vitit 2001. Konflikti ndëretnik prodhoi luftë të armatosur shqiptaro-maqedone.
Kriza e vitit 2001 solli në fund të saj ‘Marrëveshjen Kuadër të Ohrit’. Kjo marrëveshje krijoi kuadrin kushtetues e ligjor për normalizimin e marrëdhënieve ndëretnike shqiptaro-maqedone. Në themel të normalizimit qëndronin respektimi i të drejtave të njeriut dhe i pakicave etnike sipas parimeve euroatlantike.
Vitet e para pas 2001 pati një evoluim pozitiv të procesit të Ohrit. Por me ardhjen në pushtet të VMRO-DPMNE dhe Gruevskit filloi një proces ngadalësimi dhe kthimi prapa nga zbatimi i detyrimeve nga Marrëveshja Kuadër e Ohrit.
Marrëveshja u mbulua me pluhur harrese. BE, ShBA dhe shtetet demokratike herë pas herë kritikonin Qeverinë maqedone për moszbatimin e Marrëveshjes Kuadër të Ohrit. Por këto zëra euroatlantik ranë në veshë të shurdhër te Gruevskit e Ivanovit.

FIDANISHTJA

Të dy së bashku, Kryeministri Gruevski dhe Presidenti Ivanov dukej të ishin në akord të plotë për injorimin e zbatimit të detyrimeve të Marrëveshjes Kuadër të Ohrit.
Ata së bashku akuzuan shqiptarët etnikë si ‘kërcënues të unitarizmit të Maqedonisë’. Ata së bashku i quanin kërkesat legjitime të shqiptarëve për gjuhën shqipe si gjuhë të dytë në nivel shtetëror si ‘shkatërrim i Maqedonisë’ dhe si ‘krijim i shtetit të tretë shqiptar në Ballkan’.

6. Krizë me fqinjët
Të zhytur në krizë serioze të brendshme VMRO-DPMNE e dyshes Gruevski-Ivanov filloi të transferonte shkaqet e brendshme tek fqinjët e saj. Qeveria Gruevski dhe Presidenti Ivanov akuzuan Bullgarinë për injorim të identitetit maqedon, akuzuan Greqinë për mohim të historisë së lashtë sllavo-maqedone se fundi akuzuan Shqipërinë për inspirimin e ‘platformës shqiptare’ të zgjedhjeve të dhjetorit 2016 dhe për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.

Më këto qëndrime ndaj fqinjëve të saj Maqedonia e dyshes Gruevski-Ivanov ka ngritur një mur fobishë me rrezikshmëri të lartë për gjithë Ballkanin Perëndimor. Pasojat e kësaj fobie mund të riciklojnë konflikte me përmasa Ballkanike.

7. Krizë orientimi gjeopolitik
Liderët e Maqedonisë Gruevski-Ivanov e kanë thelluar krizën e tyre edhe në planin gjeopolitik. Gruevski dhe Ivanovi po luhaten midis euroatlantizmit BE,NATO, ShBA dhe euroaziatizmit Federatës Ruse dhe aleatëve të saj.
Kohët e fundit duket se graviteti gjeopolitik i dyshes Gruevski-Ivanov po anon me shumë drejt doktrinarit gjeopoliticien Rus, Aleksander Dugin dhe liderit Rus, Putin. Liderët Gruevski-Ivanov me politikat e tyre i janë larguar ndjeshëm orientimit gjeopolitik euroatlantik.

8. Krizë reputacioni ndërkombëtar
Tejzgjatja në kohë e krizës se Maqedonisë dhe kompleksiteti i saj kanë bërë që të rritet skepticizmi në arenën ndërkombëtare për të ardhmen e këtij shteti. Kudo në qarqe politike, diplomatike dhe mediatike prestigjioze po shtrohet pyetja: “Maqedonia make or break?”.
Kjo dilemë ndërkombëtare e ka ulur përtokë reputacionin ndërkombëtar të Maqedonisë në kohët tona. Në mënyrë kulmore reputacionin ndërkombëtar të Maqedonisë e kanë goditur ngjarjet e dhunshme e të përgjakshme në Parlamentin e saj.

Në këto ngjarje u pa qartësisht ndërkombëtarisht se VMRO-DPMNE e Gruevskit dhe Ivanovi tanimë po aktivizojnë kategoritë fanatike politike dhe grupet vandale e kriminale për të penguar krijimin e institucioneve demokratike të dala nga zgjedhjet politike të dhjetorit 2016.

Në këto rrethana kritike për Maqedoninë dhe mbarë Ballkanin vetëm ndërhyrja e shpejt dhe e fuqishme euroatlantike mund të ndryshojë kursin e zhvillimeve në favor të stabilitetit, demokracisë dhe integrimit.
Uashingtoni dhe Brukseli në akord ndërmjet tyre mund të mbajnë në trendin e duhur Maqedoninë e dilemave të mëdha dhe të rrezikshme. Gjithsesi kriza e Maqedonisë duket të jetë larg zgjidhjes se saj. Prandaj dhe vigjilenca ndaj këtij shteti Ballkanik lypet të jetë e lartë.