Albin Kurti, një manipulues i fakteve dhe masës !
Nga Reshat Sahitaj – Fillimisht VV-ja ishte një lëvizje që si moto e kishte çështjen kombëtare, pa synime që të themelohej si parti, mirëpo shumë më herët Fatos Aliu (vëllai i Liburnit), Fehmi Ramadani, unë dhe disa të tjerë ishim themeluesit e ‘Vetëvendosjes’. Albinin e njihja që nga Unioni i Studentëve, kur edhe ia kisha bërë disa takime në institucionet evropiane, ia kisha organizuar një konferencë për medie I.P.C. , intervistë në gazetën prestigjioze belge “Le Soir” takime të shumta më eurodeputetë…
Më arrestimin e tij, kisha intervenuar te shumë personalitete evropiane për lirimin e tij, madje z. Kofi Anan me një kërkesë zyrtare iu është drejtuar kryetarja e Senatit të Belgjikës, në favor të Albin Kurtit dhe shumë demarshe të tjera të karakterit diplomatik që janë dërguar Milosheviqit, për lirimin e Albinit. Tani pas gati dy dekadave, Albinit dhe të tjerëve do t’u duket gjë normale, dhe ndoshta të parëndësishme, mirëpo secili shef i shtetit në botë kur për në problem merr letrare nga një shef i shtetit tjetër, ai do të ketë tjetër qasje ndaj atij problemi.
Albini, lideri që nuk pajtohej me asnjë parti politike
Më qëndrimin e tij, më postin e tij gjatë luftës që i qëndronte Adem Demaçit afër, pas intervistës nga burgu i Serbisë dhe pas lirimit nga burgu, Albini po shndërrohej në lider rebel, që në pamje të parë dukej se nuk pajtohej me asnjë parti politike që është kundër interesave kombëtare. Duke e njohur për së afërmi kisha besim total, sepse parimet e tij ishin të ngjashme me të miat dhe të te gjithë atyre që nuk pajtoheshin që nga një sundues i huaj të binim në një sundues të pjellës sonë. Fjalimet e Albinit ishin të zjarrta dhe shumë patriotike, gjë që ndikonte te të rinjtë, të cilët e kishin shijuar lirinë dhe çdo tentativë për t’ua kufizuar atë pak liri ishte e kotë. Andaj, VV-ja fitonte gjithnjë e më shumë pjesën e shëndoshë të rinisë dhe shumë intelektualë. Asokohe kisha takime të shpeshta më Albinin, si dhe i rekomandoja shumë nga intelektualët tanë që të afrohen në VV. Më kalimin e kohës, VV u forcua në saje të famës që merrte çdo ditë e më tepër si reagim kundër partive që nënshkruanin krijimin e enklavave serbe, privatizimin e Telekomit të Kosovës, e shumë vendimeve kapitale, për çka nuk ishte sakrifikuar komandanti legjendar Adem Jashari dhe shumë dëshmorë që ranë në altarin e lirisë.
Kisha takime të rregullta më Albin Kurtin dhe shokët e tij, Visarin, Liburnin e të tjerë, të cilit i thosha se që nga Lëvizja të themelonte partinë, ngase çështjet kombëtare nuk rregullohen më manifestime të stilit të tij dhe se Kuvendi është vendi ku ndikohet, e jo rruga. Një mendim të tillë ia kishin thënë edhe shokët e mi: Ekrem Krasniqi (aktualisht analist i një gazete prestigjioze evropiane) dhe Afrim Gjonbalaj (aktualisht zyrtar në NATO), se kushtet për themelimin e një partie të re ishin ideale. Pak kohë më vonë Albini që është një individ, i cili i pyet njëqind vetë e vepron si do vetë, e zyrtarizoi Lëvizjen në parti, ku në prapavijë kishte: Fatos Aliun, Fehmi Ramadanin, Ekremin, Reshat Sahitaj, Sadri Fetiun (ish-drejtorin e Institutit Albanologjik) e shumë intelektualë të tjerë që e përkrahnim ( pa e ditur se po manipuloheshim), përmes shkrimeve tona, bisedave, kontakteve… Në takimet që organizonte Albini, duhej të ftohen sa më shumë intelektualë e të vihen në rendin e parë, të rekrutohen të rinj e të reja militante dhe këta të vlerësohen në takime të ngushta, që pastaj të përdoren për akte të ndryshme. Qëllimi i Albinit ishte dhe ende është që intelektualët të përdoren si krahu i simpatizantëve, të cilët me shkrime e tyre ndikonin pozitivisht , por atyre të mos u jepet kurrë asnjë fuqi e kompetencë.
Kompetencat dhe ngritja ishte dhe ende është ekskluzivisht të rezervuara përjetshëm për pesëshen e parë të VV-së. Pesëshja e parë është truri që vendos kë partia duhet ngritur, që zakonisht kjo celulë kujdesët për ngritjen e individëve anonimë, në mënyrë që kurrë të mos u rrezikohet posti dhe vendimet e celulës partiake. Vendimi për të qenë në garë zgjedhore parlamentare ishte hap i guximshëm, për këtë Albin Kurti kishte strategjinë sekrete që në listë të fuste personalitete dhe emra të pakorruptuar, si: Behare Rexhepi që njihej si veprimtare e kamotshme në Parlamentin Evropian për internacionalizimin e dramës kosovare, Alma Lama që ishte emër i njohur në publicistikë, Rushit Ramabajën emër i njohur në letërsi, e shumë të tjerë që pa asnjë dyshim VV-së i sollën elektorat, duke e radhitur si forcë politike e pakontestueshme. Kandidatët anonim nuk mund t’i sillnin partisë vota përveç të familjeve të tyre, ndërsa Behare Rexhepi kishte mbi 15 mijë vota, ku vetëm në Prishtinë mbi 762, në Therandë në saje të Behares VV-ja ia kaloi AAK-së, pa i llogaritur qytetet tjera: Prizrenin, Gjakovën, Malishevën, Gjilanin …. Gjersa po numëroheshin fletëvotimet, nga qendra vinin telefonata se Behare Rexhepi ishte kandidate potenciale që kishte grumbulluar vota jo larg liderëve të partisë, mirëpo ditën kur zyrtarisht VV shpalli fituesit Beharja nuk figuronte askund. Për të humbur gjurmët e vjedhjes së votave brenda partisë, militantët e Albinit e kishin rrahur fizikisht aktivistin e tyre të një fshati afër Therandës dhe iu kishin kërcënuar me vdekje nëse do të tregonte numrin e votave të Behare Rexhepit në Suharekë, që të njëjtën gjë e pësoi edhe një aktivist tjetër nga Podujeva.
Ngritja e VV-së mbi gjakun e militantëve
Pesëshja e parë e VV-së në mënyrë perfide e kanë hartuar strategjinë e kapjes së partisë duke e ngulfatur demokracinë në favor të centralizmit dhe të instalimit të sistemit totalitar të brendshëm, për ç’gjë më vonë do të jepte dorëheqje Alma Lama e disa të tjerë, ngase aty vlerësohet vetëm militantizmi gueril dhe rebel, nga të cilët kërkohet: hedhje vezë ambasadorëve të shteteve pa të cilat nuk do kishim fituar lirinë, gjuajtje më gurë në xhama të institucioneve (thuajse xhamat e tullat na paskan faj), ngritje në revoltë ekstreme të militantëve ku katër prej tyre vdiqën gjatë manifestimit të 10 shkurtit 2007 u vranë dy militantë nga plumbat e policisë në qendër të Prishtinës; kurse Astrit Dehari dhe vëllai i tij e dhanë jetën në rrethana ende misterioze. Katër militantë u sakrifikuan, në Kosovën e çliruar nga pushtuesit serbë, që VV-ja të ngrihej mbi gjakun e tyre! Ngritja duke i sakrifikuar militantët e një grupi, një lëvizje, një partie politike apo të një sekti është praktikë vjet që nuk e ka zanafillën te VV, por që nga koha e Platonit, dhe do të jetë aktuale përgjithnjë.
VV-ja ndryshoi strukturën e Kuvendit të Kosovës, ku fëmijët u bënë deputetë e deputete
Nga ardhja në Kuvend e VV-së është ndryshuar Parlamenti i Kosovës për nga struktura e moshës, ku u bënë deputetë jo vetëm persona të panjohur, por shumë të rinj që nuk ekziston në asnjë shtet të botës, madje as në Tanzani. U ndryshua struktura e Kuvendit po ashtu për nga përgatitja universitare, ku për VV-në nuk duhej shkolla për të qene deputet apo ministër, por “guxim” për të hedhur gurë xhamave të Qeverisë. Në Kuvend u ndryshua edhe mënyra e diskutimeve të parlamentarëve, ku tanimë nga deputeti nuk kërkohet: mençuri, diplomaci, intelektualizëm, urtësi… por VVja si deputet i mirë e quajnë atë që është agresiv, forcë fizike, shkathtësi për të futur ilegalisht në Kuvend armë apo guxim për hedhje të gazit helmues. Është për t’u habitur rasti kur Visar Ymeri e krahason Donika Kada Bujupin më Shote Galicën, mirëpo hedhja e gazit lotsjellës helmues në VV klasifikohet akt patriotik! Hedhja e vezëve mbi personalitete politike, çmohet si vlerë patriotike! Gjuajtja më predhë mbi ndërtesën e Parlamentit të Kosovës (që as krimineli Milosheviq nuk e ka bërë) merret akt heroik kombëtar! Thyerja e reklamave dhe rrokullisja e veturave private e institucionale, në VV konsiderohen akte kombëtare! Më çfarë mundët të krahasohet Donika më Shota Galicën?! Sa për ilustrim t’i kthehemi për pak çaste ngjarjeve historike. Pas vrasjes së nënës së Azemit, Shota Galica pa i treguar burrit të saj niset për në Mitrovicë dhe hyn në shtëpinë e komandantit të policës të cilin e vranë. Shota ka bërë edhe shumë akte të tilla kundër pushtuesve serbë. C’bëri Donika Kada dhe ku ishte gjatë kohës së luftës?! Si u ngjit majave të AAK-së në kohën e Bujar Dugollit dhe Ethem Çekut?! Si iku nga AAK-ja për t’iu bashkangjitur VV-së?!
Andaj, të krahasosh Donikën me Shotën është e turpshme, është neveritëse dhe e degradim për heroinën kombëtare Shota Galicën. Një krahasim më Shotën do t’i shkonte Xhevë Lladrovcit dhe Fehmi Lladrovcit me Azem Galicën, mirëpo kundër Fehmiut dhe Xhevës u organizuan komplote pikërisht nga disa shefa të UÇK-së. Glorifikimi i tejskajshëm i figurës së Donikës është një gjest që përbuzë dhe injoron të gjitha ato femra shqiptare që luftuan kundër pushtuesit serb, qoftë me pushkë, qoftë më diplomaci, qoftë më pendë… Lehtë është të gjuash gurë e të fusim gjëra të ndaluara në Kuvendin e Kosovës, kur ke policë shqiptarë. Sikur të ishte Kuvendi me forca serbe, këto gjeste nuk do ishin bërë se populli thotë: “Xhixha, buba!”. Femrat që gjatë luftës treguan veten se nuk trembën nga “Xhixha, buba!”, VV-ja i largon dhe i shënjestron për të keq.
KUsh është i besueshëm për VV-në ?
Gjatë kohës që takoheshim më Albinin, për gjëra që mua më dukeshin jonormale, ai përgjigjej:”Reshat, po imagjinon filma”. Me forcimin e pozitës se tij politike si lider i faktorizuar, relacionet tona u ftohën e në mesazhin tim telefonik të fundit më të i shkrova: “Dikush ngrihet për të mos zbritur kurrë nga majat e historisë kombëtare, e dikush ngrihet e më vonë nga majat rrokullisët për t’u mos ngritur kurrë më!” Ishte një porosi e imja nga zhgënjimi se ai po afronte rreth VV-së persona të dyshimtë. Më afrimin e personave të tillë ngrihet në lartësi një individ, por të njëjtët janë që e zbresin me shpejtësi të paimagjinueshme. Në fakt kë afron VV dhe çfarë kriteresh kanë për t’i futur në parti individët. Si në manifestime edhe në diskutime në Kuvend dhe në fjalime partiake të hapura, Albin Kurti e manipulon masën duke folur kundër vendimeve të qeverisë nga të cilat vendime përfitojnë serbët.
Kjo është metodë klasike dhe shumë mirë elaburohet në veprën e Makiavelit dhe në shumë vepra tjera të filozofëve dhe sociologë të njohur mbi manipulimin e masave. Pa fije dyshimi Albini një pjesë të këtyre veprave i ka lexuar. Leximi i literaturës së tillë nuk mund të quhet pasurim i njohurisë së artit manipulues, nëse ato nuk analizohen dhe nuk deshifrohen. Aplikimi i teorive të tilla në praktikë e veçmas në Kosovë është i pamundur për shumë arsyeje. E para, Kosova ende nuk konsiderohet shtet më të gjitha premisat e një shteti plotësisht i pavarur; e dyta, Kosova nuk u çlirua me forca të veta, por me ndihmën e aleatëve tanë; e treta, Kosova nuk ka sipërfaqe dhe popullsi si Gjermania apo Franca; e katërta, Kosova nuk ka ushtri dhe asnjërën prej katër shtyllave që e përbëjnë një shtet të fortë; e pesta, Kosova nuk ka armatim as të sofistikuar e as të thjeshtë, pa asnjë pilot, pa asnjë tankist e lëri më pajisjet tjera të sofistikuara; e gjashta, popullin e Kosovës mund ta manipulojnë përkohësisht liderët tanë , por jo t’ia ngulfatin demokracinë. Pra, teoritë e mësuara të Albin Kurtit nga literatura e manipulimit të masës.
(Kosova Sot)


