Eko Higjiena

Vallja e Gjilanit

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Demir Krasniqi – Vallet popullore burimore nga regjioni i Anamoravës , pa dyshim qe janë ndër perlat më të bukura të artit të vallëzimit popullor në trojet shqiptare . Ato përbëjnë një thesar shumë të çmueshëm dhe të begatshëm në trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore.

Arti i vallëzimit tradicional popullor në regjionin e Anamoravës , ka qenë shumë i zhvilluar brez pas brezi dhe kjo traditë vazhdon të ruhet e të kultivohet me besnikëri të madhe edhe në ditët e sotme.

Regjioni i Anamoravës , duke përfshirë këtu qytetet : Gjilan, Viti, Kamenicë, Bujanovc , Preshevë , Kumanovë , Malësinë e Karadakut deri te Shkupi dhe Malësinë e Gollakut deri tek Medvegja , është shumë i pasur me valle të ndryshme popullore , që kanë një kolorit shumë të begatshëm , si nga ana melodike , ashtu edhe nga ana ritmike . Ato dallojnë dukshëm edhe për kah mënyra e vallëzimit , nga vallet tradicionale të krahinave tjera shqiptare.

Meloditë e valleve popullore të Anamoravës janë shumë të zhvilluara , kurse ritmet i kanë të përziera dhe në masat katërpjesore , në të cilat karakteristikë e veçantë është përdorimi i vazhdueshëm i trioleteve , të cilat ua shtojnë edhe më tepër begatinë e tyre artistike .

Vallet popullore të Anamoravës , kryesisht janë valle burrash me karaktere luftarake dhe ato vallëzohen në rresht : krah për krahu , brez për brezi dhe dorë për dore .
Në mesin e dhjetëra valleve popullore burimore nga regjioni i Anamoravës , të cilat kryesisht mbajnë emërtimet në bazë të vendbanimeve prej nga kanë lindur ato , pa dyshim se vallja më e bukur , më e preferuar dhe më e popullarizuar është “Vallja e Gjilanit”, apo siç e quan populli:”Gjilanka”.

Kjo valle është e krijuar në masën ritmike 4/4 , e cila fund e krye është e zbukuruar me triolete . Ka një melodi shumë të zhvilluar në katër fraza muzikore e cila shtrihet në një ambitus brenda një oktave . Ka karakter luftarak dhe luhet ekskluzivisht nga grupet e burrave . Ajo përcillet zakonisht me surle e tupanë , por edhe më bukur tingëllon kur përcillet me formacione orkestrale nga instrumentet e fabrikuara .

Arsyeja kryesore e cila më shtyri që të merrem me këtë temë, është fakti se këtë valle të bukur autoktone shqiptare , kohë pas kohe janë munduar që ta përvetësojnë si pronë të vetën : serbët , maqedonët , turqit dhe romët ?!

Duke pasur parasysh këto tendenca, si dhe trendet aktuale të rrymave të muzikës moderne elektronike , të cilat herë pas here po i lënë nën hije vlerat e mirëfillta tradicionale , më lindi ideja që melodisë së kësaj valleje të bukur , t’ ia përshtati dhe t’ia shtoj edhe një tekst adekuat , ku gjatë vallëzimit të kësaj valleje – valltarët mund edhe të këndojnë .
Me aplikimin e tekstit të kësaj valleje , shpresoj se do të ringjallet një këngë e bukur e vallëzuar , e cila do t’ia zgjas jetën së pakut edhe për një shekull “Valles së Gjilanit”!

Pra, teksti i adaptuar në bazë të melodisë së kësaj valleje , përfshinë një tërësi prej katër strofash , mu ashtu si që i ka katër fraza melodike , në këtë mënyrë që tërësia prej katër strofave paraqet një bllok si strofë të parë të këngës .
Brenda këtyre shenjave I: – :I , vargjet përsëriten nga dy herë .

I.

I: Jehojnë fushat dhe bregoret
Në Moravë e në Malësi…
Plot dasmorë janë mbushë oborret ,
Valon shqipja kuq e zi .:I

Fundamenti

I: T’ rijë e t’ reja dorë për dore,
Hedhim valle burrërore,
Të gëzuar jemi prore ,
Krah për krah e brez për brez –
Që nga mbrëmja deri n’ mëngjes !:I

Krismave të tupanit, hej,
Larg u shkon jehona…
Vallja e Gjilanit, hej,
Në këtë vend , den baba den –
Është valle e jona !

I: T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,
Të gëzuar do t’ këndojmë ,
Ne traditat s’i harrojmë ,
Qysh na mësuan të parët tonë ,
Ruajmë me mburrje çdo zakon !:I

I: Zoti , ne na ka bekuar –
T’ lidhim besë e t’ jem unik ;
Se kur jemi të bashkuar
Vëllai me vëlla , miku me mik –
S’ ka ç’ na banë asnjë armik !:I

II.

I: Vallet tona janë krenare ,
Plot me art e trimëri ,
Kujtojnë luftërat çlirimtare –
Për Kosovë e Shqipëri !:I

I: T’ rijë e t’ reja dorë për dore ,
Hedhim vallet burrërore ,
Të gëzuar jemi prore –
Në Preshevë e Karadak ,
Në Medvegjë e në Gollak…:I

Krismave të tupanit, hej,
Larg iu shkon jehona…
Vallja e Gjilanit, hej,
Në këtë vend den baba den –
Është valle e jona !

I: T’ rijë e t’ reja do t’ vallëzojmë ,
Amanetin n’ vend ta çojmë –
Pushkët prej dorës nuk i lëshojmë ,
Mbrojmë kufij e mbrojmë Atdhe –
Valon shqipja lartë mbi ne !:I

I: Zoti , ne na ka bekuar –
T’ jem Ilirë – popull i parë ,
T’ jem besnik e t’ jem bujarë ,
T’ jemi trima luftëtarë,
T’ jem krenarë që jem shqiptarë !:I

*****
Autor i tekstit të kësaj kënge është Demir Krasniqi .