Ujdia Thaçi – Mustafa
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe ai LDK-së, Isa Mustafa, kanë pajtuar në parim që cilido që i fiton zgjedhjet e parakohshme të zgjedhë mes postit të kryeministrit dhe atij të presidentit.
Hashim Thaçi e Isa Mustafa janë ndarë të kënaqur nga takimi që kanë zhvilluar më 14 shkurt në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Jo pse aty janë marrë vesh që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në qershor, e aq më pak që janë dakorduar për përshpejtimin e reformës zgjedhore, por për një arsye krejt tjetër.
Një nga të pranishmit në atë takim, ka konfirmuar për Tribunën se krerët e dy partive janë pajtuar në parim se mund të bashkëqeverisin në mandatin e ardhshëm. Kanë folur edhe për poste.
Në kalkulim, sipas tij, e kanë futur edhe postin e presidentit. “Ata (Thaçi e Mustafa) janë pajtuar që cilido që del fitues në zgjedhje, të ketë mundësinë e zgjedhjes mes dy pozicioneve, kryeministër apo president”, ka thënë ky zyrtar i lartë – shkruan gazeta Tribuna.
Fakti se presidentja Jahjaga ka mandat kushtetues deri në vitin 2015, sipas tij, nuk paraqet ndonjë problem.

