Uji Dea

Pritet qëndrimi i Këshillit euro-atlantik për mandatin e FSK-së

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Forca e Sigurisë së Kosovës e formuar në janar të vitit 2009, shumë shpejtë pritet të këtë një emër të ri atë të Forcës së Armatosur të Kosovës, e që mendohet të jetë ushtria e ardhshme e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në përvjetorin e 6-të të pavarësisë. Shoqëria civile po e sheh edhe si element të fushatës, me që Kosova sivjet është në vitin zgjedhor. Por, një pjesë e opozitës këtë po e sheh si proces të domosdoshëm për Kosovën, pa i dhënë ngjyrime politike.

“Kjo është parada e fundit e FSK-së me këtë emër, është çështje javësh apo muajsh për tu formuar Forca e re, e cila do të jetë Forca e Armatosur e Kosovës”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

Me këtë Thaçi, pikërisht në përvjetorin e 6-të të pavarësisë së Kosovës, la të kuptohet se FSK shumë shpejt do të ketë një mandat dhe mision të ri, e që po mendohet të jetë forcë e mbrojtjes e cila do të garantonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Këtë deklaratë të kryeministrit Thaçi po e përcjellin më shumë vëmendje misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR. Në një përgjigje elektronike për RTK, zëdhënësi i KFOR-it, koloneli Angjello Morcella ka thënë se për rishikim të mandatit të FSK-së po presin qëndrim nga këshilli euro-atlantik.

“Ne e kemi parasysh deklaratën e Thaçit. Kjo është çështje e brendshme që u përket institucioneve lokale. NATO aktualisht mbështetë zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në mandatin dhe misionin e saj origjinal, përmes ekipit këshillues të NATO-s. Se a duhet të ndryshoj mandati dhe misioni i FSK-së, ne duhet të presim nga Këshilli Euro-Atlantik që të rishqyrtoj nivelin e angazhimit të NATO-s në Kosovë”, thuhet në deklaratë të KFOR-it.

Rishikimi i mandatit dhe misionit të FSK-së ka filluar para një viti e gjysmë, kur edhe kishte filluar ri-shikimi i strategjisë së sigurisë. Krejt ky proces është mbështetur posaçërisht nga njësiti ushtarak amerikan DEERS, si dhe ka qenë në koordinim në forcat euro-atlantike, thotë kryetari i komisionit për siguri në Kuvendin e Kosovës Ahmet Isufi. “Gjatë tërë kohës, Kosova ka pasur koordinim të plotë me KFOR, NATO dhe SHBA-të”, thekson Isufi.

Ri-shikimi i mandatit të FSK-së pas 5 vitesh funksionimi është i paraparë edhe me pako të Ahtisarit.

Mobi Casa

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Florian Qehaja, vlerëson ky proces ka qenë i domosdoshëm. Sipas tij, Kosova do të duhej të ketë një ushtri të vogël profesionale, me që ushtria është edhe atribut i një shteti. Por ai dyshon se kjo punë do të marr shumë kohë.

“Kosova nuk ka mundësi që të krijoj mbase ushtri që kërkojnë qytetarët, por një ushtri mund të krijoj një ushtri e cila në të ardhmen mund të jap kontribute në misionet paqeruajtëse në botë. Ushtria do duhej të krijohet në mënyrë graduale, dhe unë mendoj se Forca e Armatosur e Kosovës mund të jetë funksionale diku në vitin 2018”, theksoi Qehaja për RTK-në.

Qehaja, jep vërejtje për mungesë të transparencës në krejt këtë proces, ndërsa vlerëson se kjo nguti po bëhet për të kreditë politike. Por, Ahmet Isufi, ndonëse është opozitë, këtij procesi nuk i jep nuanca politike.

Për mandatin e ri të FSK-së kërkohet rivizionim i legjislacionit për strukturën e re si dhe ndryshimet kushtetuese sa i përket rolit të presidentit dhe FSK-së.

Ndonëse formimi i Forcës së Armatosur të Kosovës mendohet se do të jetë një hap përpara integrimit të Kosovës në NATO, megjithëkëtë Florian Qehaja vlerëson se Kosova ka dështuar në lobimin e saj në këtë drejtim. Ndërsa deputeti Ahmet Isufi pret mbështetje të fuqishme nga NATO.

Forca e Sigurisë së Kosovës është formuar në janar të vitit 2009 dhe misioni i saj është që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t’i ndihmoj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

Për FSK-në nga buxheti vjetor i Kosovës janë ndarë 37 milionë euro, që janë më pak se 1% e buxhetit. Për formimin e forcës së armatosur do të duhet të ndahet buxhet më i madh për çfarë do të varet edhe niveli i armatimit që do të ketë në dispozicion forca e re, vlerësojnë deputetët. /Telegrafi/