Rritja e pagave, premtim elektoral i Thaçit
Premtimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se në prill të këtij viti do t’i rrisë pagat në sektorin publik, për njëzet për qind, sipas ekspertëve dhe opozitës, është një premtim elektoral dhe si i tillë nuk ka të bëjë asgjë me mundësitë reale.
Ekspertët e ekonomisë dhe anëtarët partive opozitare janë të bindur se ajo që e ka deklaruar shefi i qeverisë është kryekëput përpjekje e tij për të fituar vota në zgjedhjet që tashmë dihet se do të mbahen në mesin e këtij viti.
Eksperti i ekonomisë, Lumir Abdixhiku, thotë se nuk ka asnjë dyshim që kryeministri Thaçi gjatë fushatës parazgjedhore do t’i përdorë premtimet e tija të shumta, siç ka bërë në dy palë zgjedhje të kaluara, për të mbledh sa më shumë vota nga qytetarët.
“Madje natyra e premtimeve mbetet saktësisht e njëjtë dhe duket se kryeministri nuk ka investuar shumë në ide kreative përtej shablloneve të deritanishme gjithsesi të papërmbushura”, thotë ai.
Ai thekson se pothuajse është e pamundur që të rriten pagat ashtu siç ka paralajmëruar kryeministri në intervistën në RTK.
“Unë besoj se kosovarët kanë aftësi të dallojnë listën e dëshirave prej mundësive reale. Nuk është se Kosova ka një xhep të pafund parash ku kryeministri mund të marrë sa të dojë e kur të dojë për të akomoduar në këmbim pëlqimin për vota. Vendi ynë gjendet në një restrikcion serioz financiar dhe pa potencë të madhe zhvillimore. Prandaj, dhuratat financiare do të jenë të mundshme vetëm falë një zhvillimi paralel ekonomik, çfarë nuk e kemi pasur deri më tani”, thotë Abdixhiku.
Abdixhiku ironizon me premtimin e kryeministrit, duke nënvizuar se edhe premtimi për rritje njëzet për qind të pagave, do ta ketë fatin e njëjtë sikurse premtimi për liberazim vizave për pesëmbëdhjetë muaj, apo miliardat e premtuara nëpër komuna, siç ka thënë ai, që nuk u panë kurrë.
Ngjashëm shprehet edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaron se premtimet e kryeministrit janë vetëm për qëllime elektorale.
“Vete deklaratat e tij kontradiktore, herë premton rritje njëqind për qind, herë pesëshet për qind, e herë njëzet për qind, tregon se sa joserioze dhe te paqëndrueshme janë këto premtime.
“Për më tepër, pagat mund të rriten vetëm nëse rritet buxheti për paga, dhe ky nuk është vendim që mund ta marrë një kryeministër, por vendimi i Kuvendit të Kosovës. Në buxhetin e vitit 2014 që e miratuam, kjo rritje nuk figuron askund, që dëshmon se Thaçi ka premtuar vetëm për qëllime elektorale”, thotë ajo.
Osmani madje është e bindur se pas zgjedhjeve të ardhshme nacionale partia e kryeministrit nuk do ta ketë fare shumicën në Kuvend, prandaj, rritja s’do të ketë mundësi të bëhet nga ai.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albana Fetoshi, beson se pretendimi i kryeministrit për t’i rritur pagat është keqpërdorim dhe shfrytëzim i qytetarëve për t’ua marrë votat, dhe asgjë më shumë.
“Jo rastësisht kur është miratuar buxheti për vitin 2014 kjo qeveri ka paraparë një shumë prej dyzetepesë milion euro në buxhet për rritje të rrogave, por nuk është përcaktuar se për cilën kategori do të ketë rritje. Ne nuk e dimë se për cilat kategori do të ketë rritje të pagave dhe sa do të jetë ajo rritje. Prandaj një premtim i tillë është mashtrim për qytetarët e vendit, dhe blerje e votave në një vit elektoral”, thotë ajo.
Fetoshi thekson se pagat është dashtë të rriten ri rezultat i zhvillimit ekonomik, siç ka thënë ajo, që do të vinte përmes prodhimit./GazetaBlic/


