ARKATANA

Pavarësia si P.

/ 7 minuta lexim
KKVITI

Nga Baton Haxhiu – Shkrimin për këtë përvjetor të pavarësisë dua t”ua kushtoj: Tina Kaidanows, Vlora Çitakut, Bekim Çollakut dhe Kadri Veselit. Dedikim të veçantë edhe për televizionin Klan nga Shqipëria. Për kontributin dhe meritat e tyre nuk u shkrua asnjëherë.

Në gjashtë vjetorin e pavarësisë kam edhe një përvjetor tjetër, Klan Kosovën. Dhe ndoshta në punën time kjo është mrekullia më e mirë, pa modesti, pas pavarësisë, dialogut me BE dhe Serbinë si dhe autostradën.

Por ana njerëzore e ndodhive është goxha e errët.
Kur më tha Arbeni se duhet të shkruaja për Pavarësinë e kisha siklet sepse nuk mund të shkruaja për tre personazhe shumë të rëndësishëm të këtij procesi. Nuk mund të shkruaja të gjithë atë që kisha përjetuar gjatë punës sime në gazetari prej kaq vjetësh. Mendoja se duhet një distancë historike për të shkruar për detajet e Pavarësisë.

Sigurisht në momente të tilla të reflektimit ka edhe dilema, dyshime, paqartësi.

Është bërë e zakontë të dëgjojmë heroizma të paqenë dhe situata të papërjetuara. Të dëgjoja rrëfime për atë se kush e vendosi dhe kush ishte meritor.

Qytetarët dinë histori të dëgjuara. Histori “të vërtetë” ku krijohen personazhe dhe ngjarje prej së “vërteti”. E di që qytetarët kërkojnë historinë e vërtetë sepse kam lexuar dhe dëgjuar se ngjarjet janë ndërtuar nga individë jashtë ngjarjeve origjinale dhe për qytetarët ato janë shndërruar në ngjarje të vërteta, sepse as nuk i kanë lexuar si të vërteta e as përjetuar si të tilla.

Disa personazhe dhe disa ngjarje janë bërë në njëfarë mënyre kolektivisht të vërteta, sepse mediat dhe thashethemet i kanë bërë ata, përgjatë viteve me investime pasionante.

Fërkimet politike të të gjitha ideologjive dhe debatet që kisha dëgjuar nëpër situata mediale dhe nëpër kafe e media më kishin futur shpesh në dilema për të vërtetën e pavarësisë. Por tre emra janë të rëndësishëm… Përveç tre aktorëve që kanë shpall dhe deklaruar Pavarësinë, (dy prej tyre kanë qenë të informuar, por jo ndërtues të ngjarjes) aktorë me rëndësi janë: Vlora Çitaku, Kadri Veseli, dhe Bekim Çollaku. Për ta askush s`ka shkruar por në një kohë tjetër do të bëhet një rrëfim tjetër se si erdhi Pavarësia dhe si u përgatit ajo dhe si ishte roli i tyre. Por ajo që duhet thënë troç është fakti se zgjedhjet e vitit 2007 dhe fitorja e PDK-së ishin decisive, ndryshe shumëçka nuk do të ishte ashtu si ndodhi.

Për një kohe tjetër mendoj se do të shkruaj me një ftohtësi dhe një distancë të gjitha ato që di dhe i kam përjetuar. Nuk do t’i shkruaj tash, sepse atë që kisha përjetuar nuk mund ta zbukuroj e as ta bëj ndryshe. As të shes mend se çfarë dhe si do të duhej të ishte sikur…

Shumë herë i rraskapitur nga debatet dhe nga të panjohurat që dilnin rrugës, kisha bindjen se megjithatë që do dilnim fitues nga kjo betejë. Vendi, ato ditë ishte i ngarkuar nga intrigat, keqkuptimet se kush është patriot dhe kush është tradhtar. Kush është shqiptar dhe kush pro serb, që fatkeqësisht, përbënin gjuhën e keqkuptimeve më normale të asaj kohe. Mbi këtë gjuhë komunikimi jam ndeshur shumë herë me persona që pos regjimit serb kishin urrejtje po aq të madhe për njëri- tjetrin, edhe pse ishin shqiptarë dhe kishin po të njëjtin armik.

ARKATANA

Kjo gjuhë ishte pasojë e papjekurisë shpirtërore të të dyja taborëve, por ishte edhe pasojë e zvetënimit moral të gjithë popullatës së Kosovës, e cila po përjetonte deri në palcë frikën se nuk do të ndodhte pavarësia.

Kisha kuptuar prej kohësh se në politikën kosovare një pjesë e njerëzve kanë hyrë nga kureshtja, por edhe për të shitur mend, e disa edhe më keq: për të ngatërruar punë. Rrethanë e mjedis më ideal për njerëz të tillë se Kosova as që mund të mendohej.

Kosova pas pavarësisë për disa ka qenë një tmerr, për disa ka qenë një dhimbje dhe është ende dhimbje. Ndërkaq për disa të tjerë ka qenë dhe vazhdon të jetë biznes. Kosova ka qenë vendi më një kakofoni të pabesueshme dhe vend më një idiotizëm mendimesh.
Unë i kam shijuar plotësisht kënaqësitë, por edhe hidhërimet e shumta që na solli ky sukses i papritur i pavarësisë, që mund të matet me mrekulli. Dhe, vetëm përjetimi i kësaj mrekullie ishte i mjaftueshëm për mua.

Imazhe të rreme, pa personazhe të trilluar dhe pa distancë historike dhe analizë të pasme të ndërtuar në rrethana të tjera. Krejt çfarë kam shkruar atëherë janë emra të vërtetë dhe fakte të vërteta.

Dua të them se në Kosovën e pas pavarësisë kam përjetuar gjëra të tmerrshme. Duke trajtuar këtë vend dhe këto gjëra, kam vënë re se për disa gjëra duhet të jesh oportunist, i pafytyrë, i poshtër, injorant. E kam parë zhvillimin e situatave dhe të njerëzve. Por, në asnjë vend si Kosovën nuk kam parë nevojën kaq të madhe të njerëzve që të jenë aq hipokritë dhe pa moral. Kam parë që mashtruesit dhe proserbët të shndërrohen në patriotë më të mëdhenj. Marksistët të bëhen demokratë të pashembullt, spiunët që akuzonin të tjerët për spiunllëk, atë që ishin fshehur në birë të miut të krekosen se kanë luftuar, gazetarët që s’e kanë parë malin dhe luftën të flasin për luftën…

Një shtrembërim total vlerash.

Kam vetëm për të thënë se jam i edukuar të mos akuzoj të tjerët për gënjeshtra, se e konsideroj edukatë njerëzore dhe moral shoqëror që nuk duhet të gënjesh për gjërat që publikisht janë të ditura, të përjetuara dhe të njohura.

E vërteta është se për një vend që kurrë nuk ka jetuar në një rend demokratik, në një rend qytetërimi, në një rregull demokracie, është e natyrshme të gjesh këso strukture fituese. Është e natyrshme që njerëzit që nuk prodhojnë asnjëherë ide dhe akuzojnë bëhen fitues.

Jam i bindur se Lufta e Kosovës dhe Pavarësia e saj, që ndodhi më 2008, janë mrekullitë e shekullit të kaluar dhe të këtij shekulli. Jam i lumtur që fëmijët e mi do të jetojnë në një Kosovë, ku i ati i tyre sadopak ka kontribuar që ata ta përjetojnë lirinë e merituar.