Uji Dea

UP-ja fundoset dyfish në ranglistën e universiteteve të botës

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Prishtinë – Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është renditur në vendin 8067, në mesin e 22 mijë universiteteve të botës, në rangimin e fundit të “Webometrics”, i bërë në janar të këtij viti.

Në gushtin e vitit 2013, Universiteti i Prishtinës ishte në vendin 4416, ndërsa një vit më herët në vendin 3387. Edhe Universiteti i Tiranës kishte rënë për 655 vende ne 6 muajt e fundit, nga pozita 8012 në atë 8667. Ndërkaq, universitetet tjera publike të kryeqyteteve të rajonit janë ngritur në rangim në raport me vitin e kaluar.

Kësisoj, Universiteti i Lubjanës nga vendi 241 është ngritur në 192, Universiteti i Zagrebit nga 578 në atë 497, Universiteti i Beogradit nga 729 në 509, ai i Shkupit nga vendi 1878 në 1256, i Sarajevës nga vendi 2274 në 1928, si dhe ai i Podgoricës nga 4191 në 3858.

Eksperti i çështjeve të arsimit në Kosovë, Dukagjin Pupovci, përmes një statusi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ka shtruar pyetje se “si ndodh që dy universitete shqiptare të jenë në rënie të vazhdueshme, ndërsa universitetet e kryeqyteteve të tjera të Ballkanit në ngritje, qoftë edhe të lehtë?”.

Pupovci, ka thënë se në veçanti, si ndodhi që UP-ja ta përkeqësojë kaq shpejtë rangimin e vet.

Për profesorin universitar, mbase një pjesë e përgjigjes del nga analiza e kritereve mbi të cilat mbështetet ky rangim.

“Këto kritere i pata publikuar në gushin e vitit të kaluar, ndërsa tani po i publikoj për herë të dytë, me disa komente shtesë. Kriteri i parë (50%) është impakti që ka të bëj me numrin e web faqeve nëpër botë të cilat kanë web faqen e universitetit si link (vegëz). Sa më i rëndësishëm je, aq më shumë të linkojnë, por një arsye për të mos e vënë linkun është se nuk e ke të zhvilluar sa duhet komunikimin në gjuhën angleze, ose nuk kanë fort çka mësojnë nga ne”, ka shkruar Pupovci, teksa ka shtuar se duhet kuptuar se në këtë botë nuk jemi vet dhe se për të tjerët nuk jemi aq të rëndësishëm sa mendojmë se jemi.

Pupovci ka treguar se kriteri i dytë (13.3%) është numri i faqeve brenda ëeb faqes së UP-së që indeksohen nga Google, pra që mund të gjenden drejtpërdrejtë me Google pa hy fare në ëeb faqen e UP-së.

Uji Dea

“Google nuk bën hile, por të gjithë duhet të kontribuojnë të zhvillohen faqet brenda ëeb faqes së UP: fakultetet, profesorët, studentët, etj. Këtë punë nuk mund ta bëj një ose dy ëebmasterë nga Universiteti. Kuptohet, për të bërë web faqe personale duhet të kesh çfarë të publikosh në të, jo vetëm punime, por edhe ligjëratat, prezantimet, e kështu me radhë”, ka shkruar Pupovci.

Kriteri i tretë (13.3%), ku UP-ja, sipas Pupovcit edhe performon më së dobëti, është numri i fajllave që mbajnë emërtimin e Universitetit të Prishtinës dhe publikohen në web faqet që identifikohen nga Google Scholar, e që mund të jenë fajlla të tipit doc, docx, pdf ose ppt.

“Merren parasysh vetëm dokumentet e publikuara në periudhën 2008-2012. Mund të jenë punime, por edhe prezantime të mbajtura në konferenca ose monografi të publikuara. Dhe, kriteri i fundit (13.3%) ka të bëj me punimet shkencore të personelit të UP të publikuara në revista ndërkombëtare. Në fakt, numërohen vetëm ato që bëjnë pjesë në mesin e 10 % të punimeve më të cituara në botë. Do të isha i lumtur nëse në UP janë 2-3 persona që hyjnë në këtë kategori”, ka shkruar Pupovci.

Sipas Pupovcit, shihet se duhet shumë angazhim për t’i përmbushur këto kritere dhe kjo punë, përveç, deri diku, te kriteri i dytë, nuk është punë teknike.

Ndërkaq, faktori tjetër që ndikon në përkeqësim të rangimit të UP-së, sipas Pupovcit, është vullneti i jashtëzakonshëm për t’i maskuar problemet evidente, dhe për ta zbukuruar gjendjen reale.

“Elozhe për Universitetin e Prishtinës dëgjojmë nga të gjitha anët, duke filluar nga vet institucioni e deri tek Kuvendi i Kosovës. Për shembull, me dhjetëra herë kemi dëgjuar pohimin, me asgjë të argumentuar, se arsimi i lartë në Kosovë është më i miri në rajon dhe tani synojmë arritjen e standardeve evropiane”, ka thënë Pupovci. “Webometrics po na tregon se nuk është kështu, ndërsa koha do të tregojë se a do të vazhdojmë të shtiremi se nuk po i vërejmë dobësitë, apo do të merremi me evitimin e tyre”, ka shtuar më tej ai.

Universieti i Prishtinës po kalon në një krizë, pas skandaleve që kanë plasur kur rektori i UP-së, Ibrahim Gashi ishte ngritur në grada shkencore duke paraqitur si të arritur pesë punime, tri prej të cilave të botuara në një revistë të rreme shkencore në Indi. Pas presionit publik Gashi kishte dhënë dorëheqje, bashkë me të gjithë prorektorët. Dorëheqje kanë dhënë edhe 4 anëtarë të Këshillit Drejtues./kohanet/