Shtohen ambiciet për rrëzimin e Qeverisë
Fakti se koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën në Kuvend duket se u ka dhënë zemër partive opozitare.
Partitë opozitare, edhe pse të bëra pikë e pesë, kanë shtuar ambiciet për ta rrëzuar qeverinë ‘Thaçi 2’. Duket se fakti se koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën në Kuvend u ka dhënë “zemër” partive opozitare – shkruan gazeta ‘Zëri’.
LDK-së i janë shtuar ambiciet për ta marrë pushtetin tani kur e ka nomunuar kryetarin e saj, Isa Mustafa, për kryeministër, ndërsa lideri i AAK-së Ramush Haradinaj me t’u kthyer nga ShBA-të i kërkoi presidentës Atifete Jahjaga të caktohet koha e zgjedhjeve, për shkak të, siç ka thënë ai, pluralizimit të institucioneve.
“Nuk besoj se kjo Qeveri e kalon gjysmën e këtij viti. Mocionin do ta bëjmë atëherë kur ta kemi të sigurt”, ka thënë Ismet Beqiri, nënkryetar i LDK-së.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i ‘Vetëvendosje’, Erzen Vraniqi, ka thënë: “Opozita mund ta rrëzojë Qeverinë ‘Thaçi 2’, aq më tepë tani që nga PDK dolën edhe disa deputetë, mirëpo në vend se të koordinohen me ne për rrëzimin e Qeverisë, AAK dhe LDK po i shkojnë Thaçit në takime joformale ku po bisedojnë për datën e zgjedhjeve”.


