ARKATANA

Koha është për heqjen e maskave politike në Luginë!

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Nehat Hyseni – Mospjesëmarrja e partive politike shqiptare të Luginës së Preshevës në zgjedhjet parlamentare të Serbisë ishte shkaktuar gjithherë nga politika e tyre kalkulanteske, meqë ato nuk kishin shtrirje në tri komunat shqiptare dhe nuk mund ta fitonin mandatin e deputetin karshi PVD-së, e cila ishte e vetmja parti politike me shtrirje të mirëfilltë organizative në tri komunat me shumicë shqiptare në Serbi.

Partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës, që nga fillimet e pluralizmit politik të viteve të 90-ta në trojet e ish Jugosllavisë, karakterizoheshin me polarizime të ashpra dhe me mospajtime politike. Fillimisht, Shoqata e Pavarur Demokratike, e cila së shpejti u shndërrua nga shoqata në parti politike, duke zëvendësuar vendin e germave në emërtim: nga SHPD në PDSH (Partia Demokratike Shqiptare). Ata qysh nga fillimi kundërshtuan edhepse nuk i bojkotuan zgjedhjet e para parlamentare për Kuvendin e Serbisë, duke pretenduar se “nuk e njohin integritetin territorial të Serbisë”!

Një vit më vonë, dmth. nga marsi i vitit 1992 ata morën pjesë në të gjitha zgjedhjet lokale në Serbi, duke i mbetur borxh popullit dhe anëtarësisë partiake shpjegimin se çka ndryshoi në fakt: A thua, vallë, ndryshoi Serbia apo këta vet ndryshuan konceptin rreth (mos)pranimit të integritetit të Serbisë, por “pa e bërë të madhe” këtë punë.

Pra, e bënë këtë kthesë heshtazi, pa zhurmë, sikur “nuk ndodhi asgjë”. Ashtu vepruan edhe me zgjedhjet parlamentare dy vjet më vonë, kur nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja u zgjodhën dy deputetë: Behlul Nasufi (PVD) dhe Tahir Dalipi (PDSH). Madje, për pak vota nuk u arrit edhe mandati i tretë i deputetit.

ARKATANA

Pra, me këtë veprim PDSH kishte braktisur qëndrimin rreth (mos)pranimit të integritetit territorial të Serbisë, pasi që e kishte shfrytëzuar e kapitalizuar maksimalisht tezën e vet (kuazi)patriotike në atmosferën e atëhershme euforike të skenës politike shqiptare. Me mëkëmbjen dhe këndelljen e pushtetit lokal nga inflacioni marramendës 15 shifrorë, që kishte rrënuar rrogat e punëtorëve të administratës dhe sektorit publik në 5-10 marka gjermane, që i bie 2,5-5 euro në muaj, u shtua edhe motivimi material për angazhime dhe punësime në sektorin publik dhe në komunë. Kështu, zgjedhjet lokale nuk u bojkotuan më asnjëherë nga PDSH dhe partitë satelite të saj.

Përkundrazi, fushata bëhej gjithnjë e më e egër, madje duke blerë në mënyrë “industriale” votën, meqë mbështeteshin nga disa firma private sponzoruese të tyre, të cilat e shihnin interesin e tyre biznesor nga përfitimet nga pushteti lokal e qendror i Serbisë, duke ia dhënë shpeshë vulën e zhvillimeve politike retrogarde, e herë-herë dramatike në Luginë dhe eksodin e madh të shqiptarëve nga këto troje të tyre stërgjyshore. Mospjesêmarrja e tyre ishte shkaktuar gjithherë me politikën e tyre kalkulanteske, sepse nuk kishin shtrierje në tri komunat shqiptare dhe nuk mund ta fitonin mandatin e deputetit, karshi PVD-së, e cila ishte e vetmja parti politike me shtrirje organizative në tri komunat. Kjo logjikë e tyre u aplikua edhe me rastin e votimeve për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve më 6.06. 2010, duke thyer gjithnjë unitetin politik të shqiptarve të Luginës me parulla dhe veprime kontradiktore e kalkulanteske. Pra, nga pamundësia për ta fituar shumicën në nivel të Luginës së Preshevës, PDSH me satelitët e saj i ka bllokuar aktivitetet e gjithmbarshme unike të shqiptarëve në Luginë.

Edhe kësaj radhe mund të jetë keqkuptuar qëllimi djallëzor i tyre, të cilët në pamundësi për të fituar në nivel të Luginës, i quanin tradhtare aktivitetet përbashkëta! Madje, këtë e bënin me floskula e patetizëm “patriotik”, duke iu bashkëngjitur fuqishëm idesë për ndarjen e Kosovës, kinse me pretendimet për realizimin e Referendumit për bashkëngjitje Kosovës! Pra, siç po e shohim, nuk kanë qenë në pyetje parimet politike të tyre se kinse nuk po e “pranojkan Serbinë” , kurse forcat e tilla politike e udhëheqin komunën e Preshevës, madje solidarizohen edhe me mazhorancën e komunës së Bujanocit, që u krijua nga karrieristë shqiptarë të mbështetur nga Serbia, të cilët janë në koalicion me partitë politike serbe më radikale dhe më antishqiptare! Mbledhja e sotme, më 8 shkurt 2014, e partive politike shqiptare do të jetë luftë për postin e deputetit nën maskën e “patriotizmit”.

Poqë se dështojnë, ata do të deklarojnë si puna e dhelprës kur nuk e ka arritur dot rrushin, ka deklaruar se është “i thartë”. Urojmë që sa më parë të hiqen maskat politike dhe demagogjia kontraproduktive, që ua ka vështirësuar deri në absurd jetën shqiptarëve të shkretë të kësaj pjese të gjeografisë shqiptare, të cilët akoma frymojnë si pjesë e pandashme e Shqiptarisë.