UBT

Diplomohen për artistë, vulosen me vulë të Shkollës së Bujqësisë

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Shkolla e Artit Pamor në Gjilan nuk ka probleme me kuadër, pasi vlerësohet të ketë kuadër të mjaftueshëm për tri drejtimet sa janë në këtë shkollë. Por problemi me të cilët ballafaqohen këta nxënës është hapësira shkollore, sikurse edhe problemi i vulave, pasi që, edhe përkundër profesionalizimit të kësaj shkolle, vijojnë të vulosen dokumentet me vula të Shkollës së Bujqësisë, pasi që shkolla e Artit Pamorë ka funksionuar më herët në kuadër të Shkollës së Bujqësisë.

Piktura, dizajni grafik dhe ai i tekstilit janë tri drejtimet e Shkollës së Mesme të Artit Pamor në Gjilan e që është i regjistruar në Ministrinë e Arsimit në vitin 2012. Skulptori, Avni Behluli që është drejtor i kësaj shkolle e vlerëson lartë punën në këtë institucion arsimor, duke pas parasysh punën profesionale që bëhet në këtë shkollë, interesimin e nxënësve dhe kuadrin në këtë shkollë.

“Momentalisht i kemi 14 paralele në të gjitha vitet me 145 nxënës”, ka thënë Behluli për KultPlus, i cili përmend faktin se një shkollë e tillë e profilizuar është vetëm në Pejë dhe kjo në Gjilan.

Ndërkohë, për interesimin e nxënësve në drejtimet e kësaj shkolle, Behluli ka shpjeguar se interesimi është mjaft i madh për të tri drejtimet nga i gjithë rajoni i Gjilanit, dhe, sipas tij, menaxhmenti i kësaj shkolle ka menduar që edhe të zgjerohet në drejtime, pasi që, sipas tij, kuadri ekziston edhe me tituj më të lartë, por pengesa qëndron në hapësirën e shkollës.

Uji Dea

“Vazhdimisht kemi bërë përpjekje për të shtuar drejtime të reja, por nuk ka plane të hartuara nga ana e Ministrisë së Arsimit, mirëpo është edhe problemi i hapësirës në shkollë. Po shpresojmë se do të zgjerohemi edhe me hapësirë, pasi që plani ideor për ndërtimin e shkollës së artit pamor dhe atij muzikor është bërë, dhe jemi në pritje që Ministria e Arsimit të hapë tenderin për ndërtimin e shkollës, pranë shkollës së gjimnazit aty ku edhe janë ndarë 75 ari”, ka thënë Behluli.

Mirëpo, jo vetëm hapësira vazhdon të jetë problem për këtë shkollë që po nxjerrë talent të rinj, të cilët më pas profesionalizohen edhe në shkallë më të larta. Sipas Behlulit, shkolla e Artit Pamorë, që ka funksionuar në kuadër të shkollës së Bujqësisë, vazhdon të vulos diplomat nën ombrellën e Shkollës së Bujqësisë, gjë që paraqet problem, Dhe si pasojë e kësaj, Behluli ka përmendë ndryshimin e emrit të shkollës, çështje që vlerësohet të jetë prioritet, e më pas, pas emërtimit kjo shkollë të pajiset më vulë dhe dokumente përcjellëse adekuate.

Në anën tjetër, duke pas parasysh vështirësitë materiale të artistëve dhe motivin e nxënësve për të vijuar mësimet në këto drejtime, Behluli ka thënë se krejt ky motiv është shumë i qartë.“Motivi është shumë i qartë, sepse këtu punohet më shumë punë praktike dhe në vazhdimësi nxënësit janë në garë, dhe, si rezultat i kësaj bëhet një punë shumë atraktive dhe motivuese për nxënësit, por edhe duke i prezantuar punët e tyre nëpër ekspozita të ndryshme”, ka thënë Behluli, i cili ka shpjeguar më pas se si nxënësit e kësaj shkolle, vitin e kaluar kanë zënë vendin e dytë në garën e Peqinit të Shqipërisë. Behluli ka treguar se në këtë shkollë përgjatë vitit, pos vijimit të rregullt mësimor, ata prezantohen në tri ekspozita brenda shkollës dhe një në Galerinë e Arteve në Gjilan.

“Tani po përgatitemi për ekspozitën e radhës që do të jetë më 17 shkurt, në shënim të përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Behluli i cili si veçanti të nxënësve të kësaj shkolle ka specifikuar edhe nxjerrjen e revistës shkollore të këtij institucioni arsimor./KultPlus.com