“Gjykatë të Nurembergut” edhe për shqiptarët!?
Në një përmbledhje të një draft – dokumentit të siguruar nga “Tribuna” bëhet e ditur se është gati projekti mbi të cilin do të themelohet tribunali për Kosovën.
Dokumenti në formën e draftit i siguruar nga Tribuna, e që ka dalë nga zyra e Baroneshës Ashton në Bruksel (17 faqe), do t’i vihet në dispozicion qeverisë së Kosovës, e cila ka për detyrim ta dërgojë në parlamentin e Kosovës për ta miratuar me dy të tretat e votave.
Ky draftdokumet është i bazuar në raportin e ish – prokurorit zviceran Dick Marty, që ka shkruar, sipas tij, mbi ish krimet që kanë ndodhur në Kosovë.
Mirëpo, nga draftdokumenti dhe nga burimet që janë raportuar edhe më herët në media në Kosovë, e fillimisht në Publiku.net, është marrë vesh se ‘substanca juridike’ që ka hapur dyert e Këshillit të Europës fillimisht për ta miratuar këtë raport, ka ofruar një lëndë të shpikur juridike, siç është raporti mbi organet i ish prokuroit Dick Marty. Vetëm me këtë mënyrë është lëkundur drejtësia ndërkombëtare për t’i siguruar një trajtim të veçantë edhe për krimet e kryera në Kosovë.
Natyrisht kjo strategji e ngarkon Kosovën dhe shqiptarët për herë të parë me një barrë që realisht ata as nuk e kanë bërë e as që janë përballur kurrë. Vënia e shqiptarëve para një drejtësie ndërkombëtare, për herë të parë i vë ata në bankën e zezë dhe njëkohësisht ju thënë krenarin e deritashme, se populli shqiptar nuk i ka ra kujt në qaf.
Dokumenti në formën e draftit i siguruar nga Tribuna, e që ka dalë nga zyra e Baroneshës Ashton në Bruksel, do t’i vihet në dispozicion qeverisë s; Kosovës, e cila ka për detyrim ta dërgojë në parlamentin e Kosovës për ta miratuar me dy të tretat e votave.
Në të vërtetë miratimi i këtij dokumenti ka për qëllim t’i heqë sovranitetin e Kosovës, nenein e 20 të Kushtetutës së Kosovës në raport me tribunalin që do të mbahet për Kosovën.
“Tribunali” do të jetë i vendosur jashtë juridiksionit të sistemit gjyqësor të Kosovës dhe jashtë Kosovës.
Përkthyer në një gjuhë të saktë juridike, ky tribunal për shqiptarët është një Gjykatë e Nurembergut.
—–
Më poshtë, artikulli i plotë i botuar sot në gazetën Tribuna:
Hartohet drafti i statutit të Tribunalit për UÇK-në
Bashkimi Evropian në konsultim me disa shtete anëtare, kanë hartuar draftin mbi bazën e të cilit parashihet krijimi i Tribunalit që do të merret me dyshimet për krimet e kryera në periudhën 1998-2000, e të cilat ndërlidhen me raportin 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të datës 7 janar 2011 të senatorit raportues, Dick Marty.
Në draftin, një kopje të të cilit e ka Tribuna, shpjegohet se Tribunali i ri do të krijohet me kërkesë të vetë qeverisë. Por, për ta bërë funksional këtë Tribunal nevojitet bekimi i Kuvendit të Kosovës, me dy të tretat e votave të deputetëve.
Kjo për faktin se statute i këtij Tribunali përcaktohet si lloj i marrëveshjes ndërkombëtare. Me kushtetutë, marrëveshjet e tilla nuk kalojnë pa 80 vota. Tribunali do të jetë i vendosur jashtë sistemit gjyqësor të Kosovës edhe jashtë Kosovës në mënyrë që të sigurohet pavarësia. Procedimi i shpejtë dhe i drejtë si dhe për ti ndalë mbanë shqetësimeve të sigurisë.
Ai parashihet të vazhdojnë punën e bërë nga Task Forca Special Hetuese e EULEX-it( SITF).
“Tribunali do të jetë një gjykatë “Ad Hoc” e pavarur ndërkombëtare dhe nuk do të jetë pjesë e gjyqësorit apo sistemit gjyqësor të Kosovës”, thuhet në draft.
Nën juridiksionin e tij, Tribunali parashihet të ketë përparësi mbi gjykatat në Kosovë. Në cilëndo fazë të procedurës Tribunali ka të drejtë që formalisht të kërkojë nga prokurori i shtetit apo nga cilado gjykatë në Kosovë që tejkalojë kompetencat te Tribunali në përputhje me statutin e tij dhe me rregullat e punës së Tribunalit.
“Prokurori i shtetit apo gjykata do ti kalojë Tribunalit të gjitha dosjet që i takojnë rastit i cili bie nën juridiksionin e Tribunalit”,definohet në draft.
Tribunali parashihet të ketë juridiksion për rastet që kanë të bëjnë me: gjenocid, krime kundër njerëzimit, krime të luftës, krime të tjera në ligjin e Kosovës si dhe në krime kundër administrimit të drejtësisë. Ky Tribunal është planifikuar të përbëhet nga: gjyqtarët e procedurës paraprake, dhoma e gjykimeve si dhe nga një dhomë e apelit. Në draft është specifikuar që asnjë person nuk duhet ët gjykohet para një gjykate në Kosovë për veprimet për të cilat është gjykuar nga Tribunali.
E kundërta mund të ndodhë me rastet që janë gjykuar në Kosovë. Ata mund të gjykohen nga ana e Tribunalit në rast se ky organ vjen në përfundim se procedurat e gjykatës vendore nuk kanë qenë të paanshme apo të pavarura.
Rehat mund të rrinë vetëm ata që kanë përfunduar punën në Tribunalin e Hagës. Ndaj tyre nuk do të ketë hapje të rasteve nga Tribunali i ri. Përbërja e gjyqtarëve që do të merret me rastet e krimeve, parashihet të jetë e përzier. Trupi do të jetë 15 anëtarësh, por jo më shumë se 3 gjyqtarë mund të jenë nga një shtet.
Prokurori, nga ana tjetër, do të ketë kompetenca që të kërkojë praninë dhe marrjen në pyetje të të dyshuarit, viktimës dhe dëshmitarëve, të mbledhë dhe ekzaminojë evidencat, të realizojë hetime në vend të ngjarjes si dhe të kërkojë bashkëpunim me cilindo shtet apo organizatë ndërqeveritare, ndërkombëtare apo nacionale.
Në rregullat e procedurës dhe dëshmive, Tribunali parashihet të sigurojë mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve,duke përfshirë sigurinë e tyre, mirëqenien fizike dhe psikologjike si dhe dinjitetin dhe privatësinë.
Në draft është përcaktuar edhe mënyra e zbatimit të dënimeve.
“Dënimi me burg do të ekzekutohet në një shtet të përzgjedhur nga kryetari dhe shtetet që e kanë shprehur vullnetin e tyre për të pranuar personat e dënuar nga Tribunali. Kushtet e burgosjes do të përcaktohen nga legjislacioni I shtetit ku zbatohet vendimi nën mbikëqyrje e Tribunalit apo marrëveshjes së arritur nëse është e zbatueshme për këtë qëllim”. Thuhet në draftin që disponon gazeta.
Shpenzimet e Tribunalit parashihet ti mbulojë vetë Bashkimi Evropian, në bazë të rregullores financiare të BE-së. Tribunali gjithashtu mund të pranojë dhe të përdorë fonde shtesë si dhe kontribute nga shtetet anëtare të BE-së, shteteve të tjera, organizatave ndërkombëtare, korporatave dhe individëve e etniteteve të tjera./Tribuna/Publiku.net/


