Edhe Ferdije Zhushi shefja e akreditimeve ka publikuar punime në revista të rreme
Agjencia që kontrollon cilësinë në Universitete e Kolegje drejtohet nga një profesoreshë që vet ka publikuar punime shkencore në një revistë false. Kjo është Ferdije Zhushi, kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, organ ky i cili ka statusin e Bordit të Agjencisë së Akreditimit.
E, Agjencia është përgjegjëse për “kryerjen e kontrolleve periodike mbi cilësinë e bartësve të licencuar të arsimit të lartë dhe marrjen e vendimit për akreditim apo riakreditim të tyre”, shkruan Koha Ditore.
Emri i kësaj profesoreshe të Fakukltetit të Shkencave Matematikë-Natyrore figuron në një punim të publikuar në volumin e tretë të revistës “International Journal of Scientific and Research Publications”.
Punimi mban titullin “Testimi i indeksit EFI tek lumenjtë e vegjël malorë në vlerësimin e cilësisë në Kosovë”.
Dekani dhe dy profesoresha me publikime në revista të rreme
Edhe Naser Kabashi, dekan i Fakultetit të Arkitekturës, profesoresha Violeta Nushi dhe ligjëruesja Shqipe Nixha, punimet e tyre i kanë publikuar në “David Publishing Company”. Kabashi dhe Nixha janë bashkautorë të publikimit: “Ndikimi i shpejtë i Mbrojtjes, përforcimit dhe riparimit, dhe pasojat nga dëmtimi i strukturës nga zjarri – Hotel Union, Kosovë”, shkruan Tribuna.
Ky është një punim 8 faqesh, me autore kryesore Violeta Nushin, i publikuar në dhjetor të vitit 2011. Në këtë revistë, gjithashtu është publikuar punimi: “Trashëgimia arkitektonike e mbetur në Kosovë, Qëndrueshmëria dhe jetëgjatësia e tyre”, publikim ky prej 13 faqesh, i publikuar në janar të vitit 2012. Autorë të publikimit janë Shqipe Nixha dhe Violeta Nushi nga Universiteti i Kosovës, Fakulteti i Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.
Ndërsa, dyshimet janë edhe më të mëdha për seriozitetin e kësaj reviste, pasi kjo revistë ka deklaruar të dhëna të dyshimta për vendndodhjen e saj. Sipas hartës, në vendin që ka publikuar kjo revistë adresën e saj, “David Publishing Company”, gjendet një ndërmarrje tjetër, që shet produkte ushqimore me shumicë, kompania “Iwei Corporation”.


