Buxhovi: LDK po e keqpërdor kultin e Rugovës
Lidhja Demokratike e Kosovës, pas 20 qershorit 1999, e ka pamjen e një partie politike e jo të një lëvizje, siç e kishte në vitet ’90-ta kur kishte monopol, tha për emisionin “Rubikon” të KTV-së publicisti dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi, i cili është një ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës .
Buxhovi e ka vlerësuar rolin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lideri të saj Ibrahim Rugova, si një lëvizje në krijimin e një pushteti paralel karshi pushtimit serb dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndërsa për LDK-në e tanishme, Buxhovi thotë se nuk mund të quhet fitimtare.
“LDK-ja ka përgjegjësi historike, sepse është partia kryesore”, thotë Buxhovi, duke numëruar mos sukseset e kësaj partie në disa qendra të mëdha të Kosovës, Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë.
Ai tha se LDK është dashur ta fitojë Prizrenin, por jo me një kandidat siç ishte Eqrem Kryeziu.
“LDK po e keqpërdor kultin e Rugovës dhe nuk ka kohezion për një Kosovë evropiane…”, tha ai, duke vlerësuar se LDK me këtë format nuk e ka profilin për të marrë qeverisjen e vendit.
Duke folur për figurën politike të Hashim Thaçit, Buxhovi tha se faktori ndërkombëtar te lideri i PDK-së ka parë politikanin e fuqishëm që mund të garantojë stabilitet në vend.
Lidhu me ambiciet e Fatmir Sejdiut për t’u rikthyer në krye të LDK-së, Buxhovi tha se nuk do të dëshironte të komentojë.
Ai tha se nuk ka ambicie të kthehet në LDK, por do të vazhdojë të jetë një zë kritik për zhvillimet në këtë parti.
Fituese të vetme në zgjedhjet e fundit lokale e sheh AKR-në e Pacollit. Ndërsa, thotë se me votën e tyre qytetarët e Kosovës më shumë kanë shprehur revoltën ndaj subjekteve politike.
Vetëvendosjen e cilëson si një forcë serioze politike, por ka vërejtje nga konvencat e saj që i bëjnë dëm, siç janë populizmi dhe të tregojë respekt për shtetin e Kosovës.
“Vetëvendosje duhet të heq dorë nga injorimi i simboleve dhe thirrjet për bashkim kombëtar. Nuk duhet të manipulohet me bashkimin kombëtar”, tha ai.
Buxhovi tha se nuk sheh ndonjë dallim të madh mes AAK-së dhe PDK-së, duke thënë se lideri i AAK-së, Haradinaj duhet të heq dorë nga militantizmi dhe të kultivojë një politikë të qytetëruar.


