ARKATANA

Mustafa: Rugova, babai shpirtëror e politik i Kosovës

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Po e kujtojmë sot Presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, njeriun që është bërë shenjë dalluese dhe identifikuese e atdheut tonë të dashur, Republikës së Kosovës, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në akademinë përkujtimore në tetë vjetorin e vdekjes së Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se Rugova nuk pushoi së punuari për vendin e tij, për pavarësinë e Kosovës, të cilën pëlqente ta quante Dardani Antike.

“Përpara se të futej në jetën politike, Ibrahim Rugova kishte bërë emër të nderuar në fushën e krijimeve dhe të studimeve letrare. Ndikimi i Ibrahim Rugovës dhe bashkëkohanikëve të tij në studimet albanologjike e kapërceu shpejt dimensionin letrar dhe shkencor, duke u shtrirë fuqishëm edhe në botën e mendimit human e politik shqiptar…”, tha Mustafa.

“Ibrahim Rugova doli në ballë të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci. Që nga ajo datë e deri në frymën e fundit, më 21 janar 2006, Ibrahim Rugova nuk pushoi së punuari për vendin e tij, për Republikën e pavarur, demokratike e sovrane të Kosovës, të cilën ai pëlqente ta quante Dardani antike”, tha lideri i LDK-së.

Më tej Mustafa tha se “Përballë kësaj histerie të paparë antishqiptare, e cila, siç u pa edhe gjatë dy viteve të luftës, më 1998-1999, qëllim kryesor kishte spastrimin etnik të Kosovës dhe pushtimin e saj të tërësishëm nga Serbia, Presidenti Rugova zgjodhi udhën e politikës së urtë e të matur, zgjodhi politikën e paqes e të durimit, e cila ishte tepër e rëndë, por gjithsesi triumfuese..”.

“Krahas punës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, Presidenti Rugova punoi shumë për forcimin e institucioneve të atëhershme të Republikës së Kosovës, të cilat, faktikisht, nën tytat e tankeve serbe, krijuan një sistem të fuqishëm paralel, që mbajti gjallë qenien fizike dhe shpirtërore të popullit të Kosovës në rrethana tepër të rënda”, tha ai .

“Qëndresa e popullit të Kosovës ishte pa dyshim rezultat i besimit të patundur që ai kishte në Prijësin e vet, Presidentin Rugova, i cili, madje edhe sa ishte gjallë, është krahasuar me figurat më të shquara të botës, të cilët kanë formësuar vizionin për demokracinë, paqen dhe dashurinë ndaj popujve të botës, si Gandi, Martin Luter Kingu, Haveli etj.
Në kujtimin e Senatorit Robert Dol, Presidenti Rugova shëmbëllen me Presidentin amerikan Abraham Linkoln, sepse: “Ashtu si Presidenti amerikan Abraham Lincoln, Presidenti Rugova është bërë njeriu i epokave…”.

UBT

“Duke u pajtuar në tërësi me këtë vlerësim të sinqertë e të drejtë të senatorit Dole, ritheksoj se Presidenti Rugova, njeriu i epokave, me vizionin e tij të rrallë, me dijen dhe formimin e veçantë kulturor e politik, krijoi shenjat dallues dhe identitare të Kosovës, nga të cilat LDK-ja nuk do të heqë dorë asnjëherë. Këto shenja, që lidhin traditën me të tashmen, që, si të tilla, hapin horizontin e së ardhmes sonë, janë Flamuri i Dardanisë, me shqiponjën dykrenare në mes, me sfondin e kaltër evropian dhe me diellin ilir, dhe Himni madhështor Kur ka ra kushtrimi n’Kosovë, i cili ka një tekst që më mirë se asnjë tjetër paraqet historinë e jetës dhe të sakrificës së popullit të Kosovës për liri e pavarësi”.

“Sot, me kënaqësi mund të themi se jeta dhe vepra e Presidentit Rugova janë bërë udhërrëfyes i mendimit dhe veprimit politik jo vetëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por i të gjitha forcave që e duan një Kosovë demokratike, një Kosovë shtet të rendit e të ligjit, atdhe të përbashkët e të dashur për të gjithë qytetarët pa dallim kombi e besimi”, tha Mustafa.

“LDK-ja do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje në frymën e Presidentit Rugova, duke u angazhuar pa bërë kurrënjëherë kompromis me asgjë që e cënon këtë frymë, këtë filozofi dhe këtë trashëgimi unike politike”.

“Kosovën e pavarur tashmë e kemi, mirëpo ka ende shumë udhë për të përshkuar derisa të ndërtojmë një shtet të mirëfilltë demokratik, një shtet në të cilin rol përcaktues do të ketë qytetari i Kosovës, sovrani i vetëm i këtij vendi.
LDK-ja, si parti anëtare e Partisë Popullore Evropiane, parti me vlera të dëshmuara demokratike të qendrës së djathtë, do të jetë edhe në të ardhmen zë i fuqishëm i integrimit të Kosovës në familjen e madhe evro-atlantike, së cilës Kosova i përket historikisht, gjeografikisht dhe shpirtërisht. Kosova e pavarur, e integruar në BE dhe në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë platforma politike e Presidentit Rugova, e cila i bashkoi si një trup i vetëm qytetarët e Kosovës pavarësisht bindjeve e ngjyrimeve të tyre politike, në ditët më të vështira të këtij vendi…”, tha kreu i LDK-së.

“Në vitet ’90, idetë vizionare të Presidentit Rugova për Udhën e Kombit, për heqjen e kufijve, për NATO-n në Kosovë dhe për integrimet euro-atlantike oponentët e tij politikë i cilësonin si ide utopike. Jemi gjallë dhe të gjithë po e shohim dhe po e jetojmë realizimin e atyre ideve të Presidentit Rugova…”.

“Ibrahim Rugova, studiuesi dhe dijetari, prijësi e burrështetasi i parë i Kosovës, është dhe do të mbetet babai shpirtëror e politik i Kosovës, dhe frymëzuesi i përjetshëm i lirisë dhe demokracisë së Kosovës”, tha Isa Mustafa. /Telegrafi/