Ismet Beqiri: Vrasësit nuk po zbulohen
Vrasësit duhet të zbulohen, e kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Kështu ka thënë shefi i Grupit Parlamentarë të LDK-së, Ismet Beqiri, i cili nuk ka dashur të komentojë deklaratat e Donika Gërvallës, vajzës së Jusuf Gërvallës.
Beqiri ka thënë se tashmë për këtë ka folur edhe Isa Mustafa, dhe sipas tij, ajo që duhet bërë është të zbulohen vrasësit jo vetëm të vëllezërve Gërvalla, por edhe të Kadri Zekës, e shumë të tjerëve.
“Vrasësit të zbulohen. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur, jo vetëm në këtë rast për vëllezërit Gërvalla, dhe Kadri Zeka, por për një mori tash, një numër jashtëzakonisht të madh të veprimtarëve të LDK-së, njerëz edhe institucional edhe politik njerëz të artit, të shkencës, edhe të kulturës edhe të politikës, nuk ka ndodhur, ne këtë e kemi thënë. Nuk kemi dëshiruar asnjë herë, sepse nuk kemi dëshiruar kapital politik duke kërkuar që të zbulohen vrasësit, por në këtë rast po dua të them edhe është kësisoj, sepse këta kanë qenë veprimtar të LDK-së, dhe asnjë hap në këtë drejtim, sa jemi ne të informuar nuk është bërë, dhe ne kërkojmë që këto vrasje të zbulohen dhe ne nuk jemi ata që e zgjasim gishtin prej këtij apo atij, sido kurdoherë do të del e vërteta në shesh”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, në rrjetin social Facebook, Isa Mustafa ka mbrojtur, Donika Gërvallën për ato që ka thënë, dhe për kundërpërgjigjet që po merr nga të tjerët.
“Demokracia ua mundëson njerëzve të shprehin mendimin e tyre. Edhe ky është fat të cilit duhet t’i gëzohemi. Ajo që nuk më pëlqen është fushata që fillon të zhvillohet kundër Donikës. Jo se atë e dëmton kjo fushatë, por nga fakti se po tregojmë një intolerancë dhe një mungesë të kulturës demokratike”, ka shkruar ai.
Ndërsa, partia e Haradinajt, tashmë e ka quajtur Donika Gërvallën në një deklaratë, si pjesë të strukturave që i kanë vrarë babain.
“Në të njëjtat vija të atyre që vranë babanë e saj, Donika Shëarts, iu bashkua shpifjeve dhe ofendimeve të ulta të kuzhinave ndaj kryetarit Haradinaj dhe AAK-së. Ramush Haradinaj ka respektuar gjithëherë ligjin vendor dhe ndërkombëtar dhe është i pastër para ligjit. Iu drejtohemi organeve të ligjit për mbrojtjen e integritetit të njerëzve të Kosovës nga anëtarja më e re e kuzhinës së Rrahman Morinës dhe nga trashëguesit e JUL-it”, thuhet në reagimin e tyre.
Ndryshe, vajza e poetit të njohur Jusuf Gërvalla, Donika Gërvalla, ka akuzuar qeveritarë të sotëm të Kosovës (pa dhënë emra) si të përfshirë në ekzekutimin e babait të saj, në Gjermani, në vitin 1982, ku komandën, sipas saj, e ka pasur UDB-ja.
Në një intervistë, ajo e quan Ramush Haradinaj një kriminel ordiner të pasluftës (këtë ide e ka mbrojtur qysh në vitin 2005). Albin Kurtin e quan komunisto-enverist. Thotë se PDK-ja është e keqja e madhe e Kosovës dhe se LDK-ja duhet të vijë në pushtet./express/


