ARKATANA

Një monografi për Rexhep Malën, figurën e madhe të kombit

/ 9 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ditë më parë, Gjimnazi “Zenel Hajdini” i Gjilanit pati një festë të rrallë. Vërtetë, ishte festë e rrallë. E rrallë dhe shumë domethënëse. Pse jo? U përurua monografia për Rexhep Malën. Një manifestim i librit kushtuar dëshmorit të kombit.

Andaj, kjo festë ishte e lidhur me 30-vjetorin e rënies heroike të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, dy figura të mëdha të kombit tonë. Shih për këtë përvjetor të rëndësishëm, u bë edhe promovimi i Monografisë me titull: “Rexhep Malaj- zjarr lufte që nuk shuhet”, i autorit Agim Sylejmani.

Liza Rexhepi, maturante e këtij gjimnazi, tha se, sot jemi të respektuar të gjithë, si shkollë dhe si shkollarë e si mysafirë këtu ku bëhet përurimi i monografisë kushtuar dëshmorit dhe heroit të kombit, Rexhep Malaj, i cili, 30 vjet më parë, së bashku me militantin, Nuhi Berisha, pas një përleshje të armatosur të gjatë dhe të pabarabartë, kundër milicëve dhe UDB-ashëve të Jugosllavisë, ranë në altarin e lirisë, në Prishtinë, në lagjen që sot quhet “Kodra e Trimave”.

Ishte kohë e rëndë. Kohë e vendimeve të mëdha. Populli përgjonte dhe nuk bënte gjumë të qetë. Rinia përballej me padrejtësitë që i bëheshin. Me këtë rast duam t’i nderojmë këta heronj të mëdhenj të kombit. U bë një minutë heshtje për heronjtë tanë dhe gjithë ata që ranë në altarin e lirisë, për të fituar pavdekësinë. Aty, fjalën e mori Sami Hoxha, drejtor i gjimnazit të Gjilanit.

Ai që në fillim tha se, sot është më tepër se festë. Festë për dëshmorin e kombit Rexhep Malën, por edhe festë e madhe për librin – monografinë e shkruar për heroin e kombit. “Kjo flet shumë. Sot është tjetër ditë nga dje, për faktin se, këtu po na nderojnë edhe disa mysafirë të ardhur nga Shqipëria, nga Maqedonia (Tetova) e mese tjera shqiptare. Kjo festë po shënohet me një kulturë libri. S’ka më denjësisht se të adhurohet libri, ai i cili po i shënon këto ngjarje tona, të cilat po na bëjnë t’i nderojmë heronjtë tanë, të cilët, si një, dhanë më të shtrenjtën e tyre, jetën. Kur është fjala për gjimnazin, ku sot po e bëjmë përurimin e monografiës së militantit të kombit, Rexhep Malën, një figurë e madhe e kombit, s’ka se si mos te përmendet ky tempull i dijes e i diturisë për fakin se, mu këtu Rexhepi i mori dituritë e parë të atdhetarizmit.

Ai nga këtu nisi shkëndija e para të lirisë. Ky moment na ka bashkuar sot për ta nderuar heroin e kombit, i cili, edhe ne sot jemi tubuar si një për ta përuruar librin e Agim Sylejmanti, një publicist dhe personalitet i dalluar i jetës politike e atdhetare. Babai i tij, Taip Sylejmani, ishte një pedagog i shquar i një kohe të hershme. Tash ky njeri punon si këshilltar kundër dhunës së meshkujve në Luzern të Zvicrës. Ishte i burgosur në disa burgje të ish Jugosllavisë. Por, Agimi pati fatin që pjesën më të madhe ta kalojë bashkë me njërën nga figurat më të rëndësishme të organizimit të luftës çlirimtare klandestine në Kosovë, me Rexhep Malën. Dhe jo vetëm kaq.

Ai (Agimi) na solli monografinë kushtuar Rexhep Malës, e cila monografi ndriçon tërë veprimtarinë e dëshmorit të kombit, tha Sami Hoxha, drejtor i gjimnazit të Gjilanit. Hidajet Hyseni, një zë i kësaj kohe tha se, jemi në acarin e acart. “Mu në këtë kohë, para 30 vjetësh, Rexhepi, Nuhiu e shumë të tjerë luftuan për sot. Për sot që po flasim shqip, por edhe kur po i nderojmë figurat e një kohe të rëndë, të cilën kohë nuk duhet ta harrojmë, por atë duhet përgjithmonë ta përkujtojmë. “Unë jam i nderuar, edhe kur përmendet emri im, por edhe kur përmenden emrat e shokëve të kësaj lëvizje çlirimtare. Siç dihet, thelbi i lëvizjes ka qenë çlirimi i vendit dhe i popullit nga kthetrrat e të huajve. Prandaj, kjo vepër apo monografi e Agim Sylejmanit na ka bashkuar dhe në këtë manifestim, po i rikujtojmë disa nga momentet e asaj kohe. Sa e sa monografi i kam pasur nëpër dorë, si ajo për Hasan Prishtinë, Gjon Sereqin, Isa Boletinin e të tjera, të cilat, në një mënyrë, e kanë ndriçuar të kaluarën tonë. Unë ndjehem shumë i kënaqur kur shoh sot në këtë përurim të librit se janë ardhur miq e vëllezër nga Tirana, Prishtina, Tetova e mese tjera. Le të mësojnë për Rexhep Malën se ishte një figurë e madhe e kombit.

Ai bëri një veprimtari të madhe atdhetare. Të rrallë janë ata si Rexhepi, i cili nuk diti të frikësohet në asnjë moment e në asnjë rrethanë. Kur më pat thënë Agim Sylejmani se donte të shkruajë një libër monografik për Rexhep Malajn, nuk e mbaj mend se si i jam përgjigjur dhe as se di si i është dukur Agimit reagimi im, por, në të vërtetë, përshtypja që m’u krijua ishte një ndjenjë kënaqësie për idenë për të shkruar për heroin Rexhep Mala.

KKVITI

Ai na solli kësaj here portretin, figurën dhe shpirtin e heroit Rexhe Malaj. Kjo figurë do të rrezatojë përgjithmonë në zemrat e çdo shqiptari”. Fazli Veliu, një veprimtar nga Maqedonia tha se, e kemi nderin e madh që sot gjendem në këtë festë të librit që iu është kushtuar një atdhetari të madh të komit, Rexhep Malajt. Ky moment po më bën të ndjehem shumë afër jo vetëm të këtij tempulli të dijes ku ka mësuar i madhi Rexhep Mala, por po shoh miq e shumë të afërm që po e nderojmë një atdhetar të shquar të kombit. “Agim Sylejmani ka bërë një punë të madhe në ndriçimin e figurës së Rexhep Malës. Kjo monografi është edhe një dëshmi e gjallë se heronjtë tanë nuk duhet të harrohen, por ata përherë duhet të respektohen dhe të adhurohen, duke i përkujtuar me libra e me vepra të tilla publicistike”.

Raif Gashi, ish i dënuar politik, ka folur për autorin dhe librin në fjalë, ku, ndër të tjerash, ai tha se vetë Agim Sylejmani, si autor i librit ishte pjesëtar i atij zjarri që kurrë nuk u shua, përderisa Rexhep Malën ai e quajti vigan i revolucionit të Kosovës. “Në këtë zjarr që nuk u shua kurrë, bënte pjesë edhe autori i librit në fjalë Agim Sylejmani, ku derisa ishte mbajtje të dënimit nëpër burgje të ndryshme të ish-Jugosllavisë, ku pati fatin që pjesën më të madhe të kalojë bashkë me njërën nga figurat e rëndësishme të organizimit të luftës çlirimtare në Kosovë Rexhep Malaj. Me fjalë të tjera, Rexhepi është vigan i revolucionit të Kosovës. Ai nuk u shua, por do të jetojë sa të jetojë njerëzimi. Tha edhe këtë: dëshmorët e kombit do të jetojnë sa do të jetojnë populli i tij”.

Ndërsa, autori i këtij libri, Agim Sylejmani tha se është bërë traditë që ditët e janarit të përkujtohen, prandaj jo thjesht, sot po bëhet ky promovim libri, për të përkujtuar hapat e kësaj figure të shquar të kombit. Sylejmani shtoi se kemi pritur që shumë sheshe e institucione të kenë emrin e këtij heroi kombëtar, mirëpo kjo fatkeqësisht nuk ndodhi. “Me të vërtetë është bërë traditë që janarët e Janarit për vite të përkujtohen, prandaj jo thjesht, sot promovohet ky libër për heroin tonë Rexhep Malaj. Kemi pritur që sado pak sheshet apo institucionet shkollore të marrin këtë emër por kjo nuk ndodhi”, tha Sylejman.

Ndryshe, Agim Sylejmani rrjedh nga fshati Përlepnicë, por u lind më 18 tetor 1956 në fshatin Zhegër të Gjilanit. Monografia “Rexhep Malaj- zjarr lufte që nuk shuhet” është libri i tij i dytë i tij dhe botohet me rastin e 30 vjetorit të rënies heroike të Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës më 12 janar 1984.

Agim Sylejmani, autori i librit tha se, libri ndahet në disa kapituj, me përmbajtje të veçanta faktografike dhe trajton procesin e jetës përgjatë viteve sa jetoi heroi Rexhep Malaj mbështetur në kapacitetet njerëzore. Libri karakterizohet me shumë argumente pamore, fotografi dhe lista konkrete të sakrificës së përgjithshme njerëzore për çlirimin e Kosovës të heroit Rexhep Malaj.

Ky libër dokumentar ka 425 faqe, shumë dokumuente dhe fotografi. Është një monografi e denjë e shkruar nga një publicist që premton në këtë fushë të dijes. Autori tha edhe këtë se, nëse gjilanasit nuk bëjnë diçka me këtë emër duke pagëzuar sheshe, rrugë, institucione e të tjera, ne do ti grabisim këto figura dhe do ti marrim në Prishtinë, aty ku ranë dëshmorë më 1984.

Mëkat kjo shkollë elite që nuk e ka emrin e këtij veprimtari, i cili u shkollua dhe bëri emër e veprimtari shembull për të mirën e këtij populli që sot e gëzon lirinë e shtrenjtë. Unë, tha autori i librit, nuk fola për librin, atë ua fala juve miq e shokë që ta lexoni dhe ta mësoni atdhetarizmin e Rexhep Malës, të cilin, gjeneratat e ardhshme do të mësojnë se si duhet të luftohet për të ardhur gjer te liria e vendit./Tefik Selimi/rajonipress/