Feja në shkolla ‘prek’ Kushtetutën
Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon të këmbëngulë në futjen e lëndës fetare nëpër shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Ky institucion po konsideron se futja e kësaj lënde do të ndihmonte pozitivisht në edukimin e fëmijëve. Mirëpo një kërkesë e drejtuar nga Bashkësia Islame e Kosovës në adresë të Ministrisë së Arsimit, në lidhje me këtë çështje, asnjëherë nuk ka marrë përgjigje.
Zyrtari për informim në BIK, Ahmet Sadriu, thotë se për këtë çështje disa herë kanë kërkuar sqarim nga Ministria e Arsimit. Por përpjekjet kanë qenë të kota. Sipas tij, kjo ministri asnjëherë nuk ka marrë mundin t’ua kthejë një përgjigje në lidhje me kërkesën e bërë. “Ne kemi kërkuar që edukata fetare të futet si lëndë nëpër shkollat, t’i quaj laike. Ne po kërkojmë që lënda fetare të futet jo vetëm në shkollat e mesme, por duke filluar nga cikli i ulët. Kjo kërkesë vazhdon ende, pasi nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Sadriu.
Ai ka shtuar se në çdo takim që ata kanë pasur, e kanë theksuar këtë çështje, por prapë nuk kanë marrë përgjigje. “Kërkesa jonë po vazhdon të hasë në vesh të shurdhër”, ka thënë ai. Sadriu ka paralajmëruar se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore, derisa t’ia arrijnë qëllimin për futjen e kësaj lënde nëpër shkolla…(Tribuna).

