Eko Higjiena

Kthehen nga vendlindja

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ata mezi presin që të vijë përsëri koha e pushimeve. Dashuria për atdheun i mund të gjitha: vështirësitë e rrugës së gjatë, pritjet në kufi, çmimet e biletave, shpenzimet e mëdha…

Pasi përfunduan festat e fundvitit, përfundoi edhe pushimi për mërgimtarët që kishin shkuar në vendlindjen e tyre. Rruga e gjatë dhe pritjet e gjata në kolonë, janë mund dhe lodhje. Kolonat e veturave të mërgimtarëve ishin të gjata madje arrinin 3 kilometra gjatësi, derisa pritjet e tyre zgjatnin edhe nga 3 – 4 orë.

Një ndër bashkatdhetarët e shumtë që ishin nisur me automobil nga Kosova, është edhe Bujar Zajmi nga Gjilani. Ai thotë se rruga për në Kosovë ishte shumë më e mundimshme. Ajo i kishte marrë gjithsej 33 orë.

“Për në Kosovë ,rrugë me automobil i kam bërë 33 orë, kurse në drejtimin e kundërt, nga Zvicra kam shkuar shumë më shpejtë. Ndër ndryshimet që çdo herë i shoh në Kosovë, është shtimi i shpejtë i banesave të ndërtuara rishtas. Çdo herë shoh të tjera dhe reja. Tregu i kafshëve ishte hequr dhe kishin rregulluar një park. Çdo herë ndryshon diçka përveç çmimit të makiatove që është gjithmonë i njëjtë dhe është i vetmi që “s`po din me u shtrejtu”, thotë Zajmi

Mirëpo jo të gjithë kanë shkuar në vendlindje me automjete. Shumë kanë zgjedhur që të fluturojnë me aeroplan përkundër çmimit të lartë të biletave. Për fluturim nuk ishin problem kolonat, por mjegulla ishte ajo që shumë mërgimtarë i kishte detyruar të fluturonin një ditë tjetër.

Në mëngjesin e kësaj të shtune, kishin dalë shumë shqiptarë qe t`i pritnin të afërmit e tyre ne aeroportin e Cyrihut.

“Shumë, me të vërtetë janë shumë të larta çmimet e biletave të aeroplanit. Kemi paguar për 3 persona 1600 Fr. dhe me këto të holla njeriu mund të bëjë një pushim luksi ne Turki, dhe i ki te gjitha të gatshme, kurse ne për në Kosovë vetëm biletat i paguajmë po aq shtrejt” thot Nehat Ademi nga Ferizaj.

Ademi kishte dalë në aeroportin e Cyrihut, për t`i pritur gruan dhe dy fëmijët e tij që vinin nga Kosova, kurse ky vetë kishte qenë atje para një muaji. Ai thotë se gjendja ekonomike ne Kosove është shumë e rëndë, dhe më së shumti i vjen keq për fëmijët që dalin rrugës për të punuar.

FIDANISHTJA

“Isha duke pirë kafe, në një restorant në Ferizaj, dhe erdhi një fëmijë duke shitur çamçakëza duke më thënë se e kishte ditëlindjen dhe kërkonte lëmoshë. Por pas disa ditëve vjen përsëri i njëjti fëmijë dhe përsëri më thotë: sot e kam ditëlindjen. Më vjen shumë keq që fëmijët dhe qytetarët në Kosovë janë në këtë gjendje ” tha Ademi.

Në përgjithësi të gjithë bashkatdhetarët që po ktheheshin nga vendlindja e tyre, e që albinfo.ch i intervistoi në aeroportin e Cyrihut, ishin thuajse të njëjtit mendim. Ata shprehnin keqardhjen për gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë, por edhe habinë se si restorantet atje ishin përplot të mbushura me njerëz. Mirëpo të rinjtë nuk i shohin gjërat njësoj si më të moshuarit.

Fitore Azemi (17) që sapo doli nga aeroporti, u përqafua me babanë e saj, Bajramin (45) i cili kishte dalë për ta pritur. Fitorja është e lindur në Zvicër. Por ajo thotë se në Kosovë i pëlqen të shkojë edhe për ta respektuar babanë dhe vendlindjen e tij.

“Atje kam kaluar shumë mirë, unë kur të shkoj atje kënaqem. Ka njerëz shumë janë më të afërt, dhe kafiteritë janë te mbushura. Në Kosovë shkoj rregullisht, dhe këtë e bëj jo vetëm se kaloj shumë mirë atje, por se dua që ta respektoj vendlindjen e babit tim ” thotë Fitorja.

Një bashkatdhetar tjetër nga Tropoja Lirim Selimaj që sapo mbërriti në aeroport me gruan dhe dy fëmijët, thotë se, përveç rrymës që ndalet në Tropojë dhe rrugët që janë pa shenja, në vendlindje është gjithmonë kënaqësi.

“E keqja është se rryma ndalet nganjëherë dhe rrugët janë pa shenja, ndryshe, të qëndrosh atje është me të vërtet kënaqësi. Njerëzit janë më të bashkuar, kanë më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin. Vendi i yt gjithmonë të tërheq, atje kam lindur, atje kam shokë e shoqe”, thotë Selimaj.

Mërgimtarët kanë mall dhe dashuri gjithmonë për vendlindjen dhe atdheun e tyre, dhe kjo dashuri është e natyrshme për njeriun i cili jeton larg vendlindjes së tij. Ata mezi presin që të vijë përsëri koha e pushimeve, dhe dashuria për atdheun i mund të gjitha: vështirësitë e rrugës së gjatë, pritjet në kufi, çmimet e biletave dhe shpenzimet e mëdha…

Të gjithë këta të intervistuar pajtohen, se vendlindja është vendlindje, dhe nuk krahasohet me asgjë./Visar Kryeziu/albinfo/