ARKATANA

Libër me vlera në lëmin e jurisprudencës

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Libri i autorëve Sadik Haxhiu e Flamur Hyseni i titulluar “Sistemi gjyqësor në Republikën e Kosovës” është vlerësuar lartë nga recensentët, vet autorët dhe njohësit e fushës juridike. Në promovimin e librit u tha se ai paraqet një vlerë të madhe në lëmin e jurisprudencës.

Në ambientet e Fakultetit Juridik në Gjilan është promovuar libri i autorëve Sadik Haxhiu e Flamur Hyseni. Para shumë pjesëmarrësve recensenti i librit Fejzullah Berisha tha se ky libër me të drejtë jep një mesazh ofrimi e institucionalizimi të vlerave në lëmin e jurisprudencës.

“Këta dy profesor të nderuar po ju ofrojnë studentëve tekstin universitar i cili është bazamenti kyç për ndërtimin e konceptit dhe marrjen e njohurive elementare në fushën juridike. Ky libër i dedikohet të gjithë studentëve në Universitetet private e Publike e në veçanti libri i dedikohet studentëve të Fakultetit Juridik në Universitetin Publik të Gjilanit”.

Berisha tha se në libër janë trajtuar parimet dhe nocionet bazë lidhur me organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

Autorët sipas Berishës kanë trajtuar periudha të ndryshme kohore duke filluar nga rezistenca e viteve 1989, pastaj lufta e UÇK-së, përpjekjet e UNMIK-ut për ta ndërtuar e konsoliduar sistemin gjyqësor në Kosovë gjatë viteve 1999-2008, pastaj reformimin e sistemit gjyqësor gjatë vitit 2013.

ARKATANA

Librin sipas Berishës e bënë më të larmishëm dhe të pranueshëm për studentët institutet juridike, fjalori i terminologjisë juridike, nocionet e shkurtra e profesionale.

Kurse autorët Sadik Haxhiu e Flamur Hyseni thanë se para studentëve kanë paraqitur këtë libër universitar, ku ata kanë mundësi të marrin njohuri themelore rreth gjykatave e prokurorive, mbi avokaturën edhe Gjykatën Kushtetuese si dhe për institucionet që ndërlidhen me funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë siç janë :Avokatura Shtetërore, Institucioni i Avokatit të Popullit si dhe Gjykatat Evropiane për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Ndërsa Flamur Hyseni duke folur për rëndësinë e librit tha se të flasësh publikisht nënkupton se ke kujdes të shtuar ndaj publikut dhe bartë me vete përgjegjësi, ndërsa të shkruash nënkupton edhe më shumë përgjegjësi, por kur shkruan diçka, si për shembull libër për studentë e veçanërisht për studentët që studiojnë drejtësinë është përgjegjësia edhe më e madhe, sepse ju studentë të juridikut do të studioni parimet dhe nocionet themelore për Sistemin Gjyqësor të Republikës së Kosovës.

“Jam i gëzuar që librin arritëm ta finalizojmë së bashku me profesor Sadik Haxhiun dhe me intensitet të shtuar punuam duke na përcjellë pas secilën ditë përgjegjësia dhe zotimi i dhënë studentëve të vitit të parë, se librin do ta keni pa mbaruar semestri i parë i viti akademik 2013/14. Tani ne po realizojmë një borxh ndaj studentëve, dhe studentë të nderuar tani ju na keni borxh neve, borxhi juaj është angazhimi dhe përkushtimi juaj për studime serioze dhe suksese të larta dhe përgjegjësia e të qenurit jurist dinjitoz dhe profesionist, asnjëherë “konformist” dhe “kompromisaxhi” tha Hyseni.

Dy autorët në fund kanë bashkëbiseduar me studentët e shumtë të pranishëm, por edhe me njohës e ekspert të fushës juridike./rajonipress/