Eko Higjiena

(Pa) Barazia gjinore

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Ardiana Blakçori – Barazia gjinore në shoqërinë tonë është duke u ndeshur çdo ditë e më shumë me probleme të mëdha. Nëse ne e kuptojmë barazinë gjinore vetëm dallimin midis koncepteve burrë dhe grua atëherë nuk do të thotë se ne kemi arritur të bëjmë realizimin e barazisë gjinore, por mbi të gjitha barazia gjinore duhet të bazohet në të drejtat humane/njerëzore që duhet t`i ketë çdo shoqëri apo individ.

Shoqëria jonë e ka mjaft të vështirë që ta bëjë realizimin e barazisë gjinore. Mirëpo duhet gjetur arsye se pse gjithë kjo vështirësi. A mos vallë se ne jemi shoqëri që modernen e pranojmë me vështirësi, a mos vallë ka ndikuar okupimi shumëvjeçar i serbëve, apo vetë ne si shoqëri kemi të konceptuar se gruaja nuk mundet të bëjë gjërat më mirë se sa burri ose ne jemi vazhdimësi e shoqërisë patriarkale dhe nuk mundemi të ballafaqohemi me faktin se duhet hap pas hapi të përqafojmë stadet e zhvillimit shoqëror modern.

Faktet aktuale të ofruara tregojnë se kuota 30% ka qenë e domosdoshme për tu bërë, ngase në të kundërtën as ky numër i vogël i grave nuk do ishte prezent nëpër institucione.

Problematikat sociale të krijuara në vendin tonë kanë bërë që edhe gruaja të jetë viktimë e tyre. Edhe pse kohëve të fundit është vërejtur një ngritje e punësimit edhe të gjinisë femërore prapë se prapë nuk është e një niveli të kënaqshëm.

Dihet mjaft mirë se barazia do të arrihej nëse numri i burrave dhe grave të punësuar/a do të ishte i/e barabartë mirëpo edhe pse ne thërrasim në barazi gjinore e që nënkupton se jo vetëm barazi të ketë vetëm për gratë por edhe për burrat, por në këtë situatë që ne gjendemi shihet shumë kjartë se gruaja është shumë më pak e pavarësuar ekonomikisht se sa mashkulli, e përfaqësuar në institucione shumë më pak, në vendet dhe proceset vendimmarrëse, në udhëheqjen e bizneseve etj.

FIDANISHTJA

E gjithë kjo ka ndikuar që ajo të përfundojë një shtëpiake/amvise e cila mundet shumë lehtë të jetë rast social i dhunës në familje, apo të përfundojë një grua e trafikuar. Shumica e grave sot durojnë dhunën në familje vetëm për shkakun se ato nuk kanë se ku të shkojnë, ngase në të kaluarën ju është mohuar e drejta e shkollimit, e që për pasojë tani nuk mundet as të punësohet. Shumica nga gratë edhe pse gëzojnë një biznes të tyre privat apo merren me kultivimin e kulturave bujqësore ajo pronë nuk është e tyre por e burrave ose vëllezërve të tyre.

Nga kjo mund të nënkuptojmë se edhe përkundër asaj se kemi ligjin për trashëgiminë në pronë ato nuk e gëzojnë atë. Edhe përkundër përpjekjeve të shumta që sot gruaja bënë për tu afirmuar dhe për të arritur krijimin e një personaliteti të mirëfilltë ato prapë se prapë do të hasin në vështirësi përkundër burrave të cilët kanë një ngritje shumë më të theksuar në krahasim me to si në pozitat vendimmarrëse, ato të bizneseve…

Gruaja sot edhe përkundër shumë vështirësive duhet të duartrokitet për guximin që ka, për tu ballafaquar me shumë barriera të krijuara nga shoqëria jonë për tu avancuar. Shoqëria jonë duhet ta ketë këtë guxim të pranoj se gruaja dhe burri janë të barabartë, se gruaja mund të jetë e aftë të udhëheqë një ministri, një komunë, një biznes të madh. Shoqëria jonë duhet të ndihmojë, të lejoj dhe të ballafaqohet me zhvillimin e shoqërisë.

Ky tranzicion kulturor duhet të ndodhë, duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se ky tranzicion kulturor do të krijojë barazi gjinore si në aspektin ekonomik, politik, kulturor etj. Duhet të jemi të gatshëm të pranojmë se si gratë, si burrat munden të jenë të barabartë në punë, karrierë, përfaqësim, vendimmarrje etj.

E ardhmja është e jona, ne jemi ata që mundemi ta ndryshojmë. Jemi shtet ligjor dhe demokratik me të gjitha të drejtat e barabarta, korniza ligjore e krijuar në Kosovë është aq e bollshme dhe nuk mundemi të ankohemi se nuk kemi bazë ligjore për barazi gjinore ku dihet mjaft mirë se Ligji për Barazi Gjinore ekziston, e vetmja brengë e jona duhet të jetë se sa ne jemi duke punuar që ta implementojmë këtë ligj, duhet punë e jashtëzakonshme nga të gjithë ata zyrtarë të cilët janë të thirrur për barazi gjinore dhe vetë shoqërisë sonë që të ndihmojnë në realizimin e kësaj të drejte demokratike. /rajonipress/