FIDANISHTJA

Kërkesat e Luginës reaksion ndaj kërkesave të serbëve në Kosovë

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Kërkesën e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për përfaqësimin e tyre në legjislativin serb përmes ulëseve të rezervuara, analistët kosovarë e vlerësojnë më tepër si një reaksion ndaj kërkesave të serbëve të Kosovës, të cilët po këmbëngulin që ta rrisin prezencën e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Analisti Behlul Beqaj, tha për Telegrafi se shprehja e dëshirës nga ana e liderëve të Luginës që të përfaqësohen në Parlamentin e Serbisë, përmes ulëseve të rezervuara, është një reaksion karshi kërkesave të serbëve të Kosovës.

Sipas tij, kjo është kërkesë jonormale, sikurse që është jonormale shtimi i vendeve të rezervuara për serbët në Parlamentin e Kosovës.

“Me vende të rezervuara këto shtete nuk bëhen më demokratike, përkundrazi, ato bëhen peng të pakicave. Serbisë dhe Kosovës i mjafton vetëm respektimi i Kushtetutës dhe ligjit, i cili mjerisht, në rastet e këtyre shteteve, po anashkalohet”, ka theksuar Beqaj për Telegrafin.

Beqaj tha se “politika kosovare e ka humbur rastin që të kërkojë simetri, fjala bie: Bashkësi të Komunave të Shqiptarëve në Luginë dhe nëse politika kosovare do të kërkonte me kohë simetri, serbët nuk do të kërkonin Bashkësi të Komunave apo vende të rezervuara.

Analisti Shpend Kursani, theksoi se shqiptarët në Luginën e Preshevës kishin kërkuar gjithnjë që çështja e tyre të trajtohet në negociatat e Prishtinës me Beogradin, qysh në kohën e negociatave të Vjenës në vitet 2006-2007.

Ai tha se pala kosovare në asnjë rast nuk ka qenë e gatshme të përballet me kërkesat e Luginës, jo se nuk kanë dashur, por se në shumicën e kohës gjithnjë kanë qenë në defansivë karshi Serbisë.

Eco Higjiena

“Kërkesa e shqiptarëve të Luginës për ndarjen e ulëseve të rezervuara në parlamentin e Serbisë është reaksionare, sepse një kërkesë konkrete asnjëherë më parë nuk është paraqitur në këtë formë. Për më shumë, kjo vjen pikërisht në kohën kur është ngritur debati në Kosovë për shtimin e ulëseve të rezervuara për pakicat në kuvendin e Kosovës”, tha Kursani për Telegrafin.

Sipas tij, shqiptarët në Luginë kanë nevojë për çështje më thelbësore se sa vendet e rezervuara, siç është: përdorimi i lirshëm i gjuhës, simboleve, reflektimi i identitetit kombëtar të tyre, arsimi i lartë në gjuhën shqipe e kështu me radhë.

“Pra, janë disa të drejta edhe me bazike se sa vendet e rezervuara apo të garantuara në Kuvendin e Serbisë, që ende nuk janë plotësuar. Kështu, kjo kërkesë është vështirë të arrihet para se të respektohen edhe disa të drejta me thelbësore të tyre”, ka theksuar Kursani.

Ai mendon që pala kosovare e ka huq debatin për vendet e rezervuara, si pozita ashtu edhe opozita, duke shtuar se, “problem nuk është numri i madh i vendeve qe komuniteti serb i ka në Kuvendin e Kosovës, por substanca e atyre vendeve”.

“Edhe po t’i kishin serbët vetëm tri vende të rezervuara, me këtë Kushtetutë, edhe po të zgjohet i gjithë Kuvendi 120 anëtarësh në këmbë, nuk do te mund të bëheshin ndryshimet thelbësore të Kushtetutës së Kosovës, pa u pyetur ato tre serbë në ulëset e rezervuara. Këtu nuk e kam fjalën për ndryshimet kushtetuese që i prekin pakicat, por edhe për ndryshimet tjera që janë të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe sigurinë e tij. Pra, Prishtina duhet të fokusohet në atë se çka duhet bërë brenda vetes para se të mendoj për atë se çka do të bëjë jashtë vetes. D.m.th ta bësh një lëshim brenda nuk arsyetohet me kërkesën që një palë tjetër ta bëjë lëshimin e njëjtë, sidomos kur nuk i ke vënë bazën për një gjë të tillë në asnjë moment me herët, si gjatë negociatave të Vjenës po ashtu edhe me ato të Brukselit”, tha Kursani.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë kërkuar që edhe ata t’i kenë vendet e rezervuara në Kuvendin e Serbisë, sikurse përfaqësuesit e serbëve në Kosovë.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Riza Halimi, ka thënë se është mirë që edhe Serbia ta përdorë ketë standard, mirëpo është shprehur shumë skeptik që mund të realizohet kjo ide. /Telegrafi/