Likaj: Ndryshimet në gjuhën shqipe, vetëm për përmirësimin e standardit
Në këtë intervistë, akademiku Ethem Likaj, tregon se po puna deri tani e Këshillit ka qenë në vëmendje për të mos ndryshuar bazën e standardit. Sipas tij, nuk kanë qenë të mendimit në Këshill që të mos bëhet asnjë ndryshim, por të ketë përmirësime në përputhje me nevojat që ka nxjerr vetë gjuha.
Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe e zhvilloi mbledhjen më të fundit para disa ditësh në Prishtinë. Këtë herë pikë qendrore e rendit të ditës ishte diskutimi i materialeve të përgatitura nga komisionet për çështje të morfologjisë në Tiranë dhe në Prishtinë, ku u miratuan dhe disa propozime. I pranishëm në këtë mbledhje ishte dhe akademiku i njohur Ethem Likaj.
Në një kohë kur sërish janë rikthyer debatet, gjuhëtari i njohur Ethem Likaj, shpjegon se pavarësisht zërave kundër, Këshilli Ndërakademik është që të shikohet standardi ekzistues dhe ku ka mundësi të bëhen përmirësime me synimin e vetëm që, duke ruajtur kriteret shkencore, ta bëjë atë më praktik dhe më të lehtë.
Në intervistën dhënë për gazetën, akademiku Ethem Likaj, tregon se po puna deri tani e Këshillit ka qenë në vëmendje për të mos ndryshuar bazën e standardit. Sipas tij, nuk kanë qenë të mendimit në Këshill që të mos bëhet asnjë ndryshim, por të ketë përmirësime në përputhje me nevojat që ka nxjerr vetë gjuha.
Ethem Likaj
-Vetëm para disa ditësh Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe u mblodh në Prishtinë. Por këtë herë çfarë synoi kjo mbledhje? Sipas marrëveshjes, mbledhjet e Këshillit Ndërakademik bëhen herë në Tiranë, herë në Prishtinë. Në këtë mbledhje u diskutuan kryesisht çështje të normës morfologjike të standardit të gjuhës shqipe. Synimi kryesor i këtyre takimeve, që ne bëjmë është të përmirësohet shqipja standarde, por jo të ndryshohet baza e saj. Këtu ka një ndryshim të madh, pasi ne nuk bëjmë një standard të ri, por mbështetemi në standardin e vendosur më 1972. Një standard, i cili i ka jetuar kohës për arsyen e thjeshtë dhe e kuptueshme se ishte një standard që u vendos pas shumë diskutimeve paraprake dhe në një kongres, ku morën pjesë përfaqësuesit më të shquar jo vetëm të gjuhës dhe letërsisë, por dhe kulturës shqiptare. Kanë marrë pjesë përfaqësuesit më të shquar, si: E. Çabej, A. Kostallari, Sh. Demiraj, I. Ajeti, R. Qosja, R. Nesimi, J. Ferrari etj. Por Kongresi i Drejtshkrimit më 1972 la të hapur mundësinë e përmirësimeve dhe të plotësimeve të ardhme të këtij standardi, por pa prekur bazën dialektore të tij. Si bazë e standardit u vendos dialekti tosk. Ndërtimi i standardit u mbështet në kritere të njohura dhe të pranuara nga gjuhësia e përgjithshme; kritere që janë ndjekur edhe nga gjuhë të tjera. Edhe synimi i mbledhjeve që bën Këshilli Ndërakademik është që të shikohet standardi ekzistues dhe ku ka mundësi të bëhen përmirësime me synimin e vetëm që, duke ruajtur kriteret shkencore, ta bëjë atë më praktik dhe më të lehtë. Në mbledhjen e kësaj radhe u panë disa struktura morfologjike dhe u zgjodhën ndër to variantet më të pranueshme, më të lehta dhe më praktike.
-Profesor, që nga koha kur u krijua Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, mbledhjet që janë bërë, ka pasur jo pak zëra kundër nga gjuhëtarë të tjerë që nuk kanë qenë dakord me atë çfarë miraton ky Këshill. Në gjykimin tuaj, pse ndodh kjo? Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe funksionon në këtë mënyrë. Janë ngritur grupe pune sipas fushave përkatëse; grup pune për leksikologjinë, për morfologjinë, për sintaksën, grup pune për stilistikën etj. Këto grupe punojnë, mbledhin materiale, diskutojnë dhe hartojnë një material përfundimtar, i cili më pas diskutohet në Këshillin Ndërakademik. Kështu u veprua edhe këtë herë për problemet e normës morfologjike për përmirësimin e standardit. Grupi i punës nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe grupi i punës nga Akademia e Shkencave të Kosovës përgatitën dy materiale, dhe në Këshill u diskutuan rast pas rasti. Siç ju thashë në fillim, synimi i mbledhjeve që bën Këshilli Ndërakademik është të përmirësojë standardin jo ta ndryshojë atë. Por gjatë kësaj kohe ka pasur mendime të skajshme, një pjesë prej tyre ka qenë që të mos bëhet asnjë ndryshim, pasi koha, sipas tyre, është e shkurtër për të bërë ndryshime, një pjesë tjetër ka qenë e mendimit që të përmirësohet dhe një pjesë ka qenë që të bëhen ndryshime të gjera. Asnjë nga qëndrimet ekstremiste nuk qëndron. Ne jemi përpjekur që të përmirësojmë pa e ndryshuar bazën e standardit. Nuk kemi qenë të mendimit në Këshill që të mos bëhet asnjë ndryshim, por të ketë përmirësime në përputhje me nevojat që ka nxjerr vetë gjuha. Por cila do ta prekte bazën e standardit? Bazën e standardit do ta prekte vendosja e strukturave të tilla morfologjike si, p.sh rasti i paskajores të tipit me punue, me shkrue etj. Megjithatë në mbledhje u diskutua edhe mundësia e futjes së kësaj strukture në standard, por, për arsye se përfshirja e saj do të prekte bazën morfologjike dhe fonetike të këtij standardi, mendimi i përgjithshëm dhe i mirëkuptuar ishte që të mënjanohen. Funksionet e saj i ka përmbushur dhe i përmbush lidhorja e shqipes. Me përfshirjen e kësaj forme foljore do të krijohej edhe një standard tjetër morfologjik e fonetik paralel me standardin ekzistues të vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972.
-Pas diskutimeve për format e shumësit të disa emrave të gjinisë mashkullore që mbarojnë me -i të theksuar të sanksionuar si shumësa me -nj, u arrit përfundimi të propozohet që këta shumësa të përfundojnë me -j. Pse u miratua kjo? Gjithçka për përmirësim, në funksion të lehtësimit të përdorimit të formave përkatëse, sepse në gjendjen e sotme kemi dy variante të asaj që ne quajmë prapashtesë të shumësit. Varianti i sotëm me -nj, p.sh: ullinj, mullinj etj, por, nga ana tjetër, tek i njëjti tip kemi kufij, ku si normë është vendosur si normë – j-ja. Për ta mënjanuar këtë përzirje me nj apo me j, që në shumë raste është e vështirë të diferencohen dhe shpesh bëhen gabime, u mendua që të përgjithësohet forma me j, dhe jo thjeshtë sepse kishte shumicën, por se prirja e formave të këtij lloji është që të kalojë tek -j-ja, ashtu siç ka kaluar edhe -nj-ja në -j te sistemi foljor, nga punonj në punoj.
-Por disa gjuhëtarë përballë këtyre miratimeve, që janë bërë më herët nga Këshilli apo dhe tani pohojnë se po shkatërrohet gjuha shqipe? Nuk shkatërrohet gjuha shqipe, sepse nuk po ndërrohen forma në sistem, por vetëm përzgjedhje të veçanta, që nuk ndikojnë në strukturën morfologjike normative. Sa i takon ndërrimeve të fundit, p. sh. -nj dhe j, janë variante të së njëjtës morfemë dhe të dyja përdoren në shqip, edhe shumësi me -nj dhe me -j, tani është bërë njehsimi. Dhe ky njësim nuk e cënon shqipen standarde. Për zërat kundër, konkretisht nuk është thënë pse po shkatërrohet. Kanë thënë që janë bërë ndërhyrje dhe po shkatërrohet, por konkretisht cili po e shkatërron nuk është thënë. Për mendimin tim standardin nuk e cënon shtrirja e një mjeti gramatikor siç është mbaresa e shumësit j në dëm të nj. Një përfundim tjetër që u arrit në mbledhjen e fundit, ishte edhe përgjithësimi i formës me -s te disa folje, si: përgatis, në vend të përgatit, ujis në vend të ujit etj., të cilat për standardin ekzistues janë pranuar si dysorë normativë; edhe ky përgjithësim besoj se nuk e cënon standardin, sepse tani, pas 40 vjetësh, nga dy format në përdorim zgjidhet vetëm një.
-Që kur ka nisur punën Këshilli Ndërakademik ka pasur mendime që ndoshta nuk është i plotësuar si duhet. Ju si mendoni? Në Këshillin Ndërakademik janë përfshirë specialistët më të mirë të fushave. Megjithatë nuk janë vetëm këta që punojnë, diskutojnë dhe vendosin. Nuk është punë që është bërë vetëm nga anëtarë e Këshillit, por dhe nga grupet e ngritura dhe të drejtuar nga anëtarë të Këshillit Ndërakademik. Në të dyja rastet janë zgjedhur specialistët më të mirë të fushave përkatëse, edhe nëse ka mbetur ndonjë jashtë, kjo nuk do të thotë që nuk vlejnë të tjerët dhe nuk vjen edhe mendimi i tyre. Mund të zgjerohej Këshilli, por është vendosur që në fillim, që përbërja e tij të mos ndryshojë çdo vit.
-Pas këtyre miratimeve që bën Këshilli, çfarë do të ndodhë më pas? Këto janë vendime, por nuk mund të zbatohen menjëherë. Në parim është gjykuar që, pasi të përfundojnë materialet, këto do të paraqiten si propozim; do të hartohen makete të këtyre propozime që do të diskutohen në një rreth më të gjerë, me mësues, përfaqësues të kulturës etj,. Nëse ka kundërshti që mbështeten me argumente shkencore dhe praktike, atëherë mund të rishikohen sërish nga Këshilli Ndërakademik. Pasi të marrin firmë përfundimtare, do të përcaktohet një organizëm që do të vendosë për këto ndryshime. Vendimet e standardit janë marrë nga një kongres gjuhëtarësh që vendosi fillimin e standardit, dhe nuk mund të bëhet një kongres tjetër që të krijojë fillim tjetër. Meqë kemi të bëjmë me përmirësimin e standardit, është ndjekur kjo rrugë: këto përmirësime do të paraqiten si propozime të miratuara, si vendime do të merren në fund dhe më pas për zbatim do të vendosin të tjera instanca që janë kompetente. Sërish e theksoj, i gjithë synimi i Këshillit Ndërakademik është të përmirësohet diçka, pa prishur bazën e standardit. Edhe nëse do të ketë ndryshime, ato do të jenë të pjesshme që nuk prekin bazën e standardit.
-Çfarë do të diskutohet në mbledhjen e radhës të këtij Këshilli? Në mbledhjen e radhës, që besoj do të bëhet nga fillimi i muajit shkurt të 2014, kemi disa çështje që i takojnë morfologjisë; më pas do të fillojmë më sintaksën. Grupi i punës do të hartojë materialet për normën e sintaksës dhe pasi t’i kenë hartuar të dy grupet e punës, edhe i Prishtinës dhe Tiranës, këto materiale do të paraqiten në Këshillin Ndërakademik.(SotNews)


