Uji Dea

Konferenca e Bujanit, konferencë idealesh kombëtare

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Prishtinë – Në ambientët e Kuvendit të Republikës së Kosovës sot është zhvilluar tryeza kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Bujanit, e organizuar nga veteranët e fundit të LNÇ-së, në të cilën merrnin pjesë studiues, akademikë, profesorë e trashëgimtarë të atij brezi. Me këtë rast ka folur kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nën patronatin e të cilit është zhvilluar kjo ngjarje.

Na ka bërë bashkë kujtimi për Kuvendin e Bujanit dhe Rezolutën e tij për bashkimin e kombit shqiptar. Kuvendi është mbajtur këtu e 70 vjet më parë, përkatësisht më 31 dhjetor 1943 e 1 e 2 janar 1944 në Kullën e atdhetarit Salih Mani, në fshatin Bujan të Tropojës. Për të ardhur te Kuvendi i sotëm i Republikës së Kosovës, popullit tonë i është dashur një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, tha Krasniqi me këtë rast, duke i hapur këtë tryezë dhe duke përshëndetur pjesëmarrësit. Kjo rrugë është përcjellë me dhimbje e sakrifica të mëdha, të cilat kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën historike të popullit shqiptar, kanë lënë gjurmë dhe hulli të thella edhe në historinë tonë të lavdishme e të dhimbshme njëkohësisht.

Kuvendet shqiptare, duke filluar nga ai i Lezhës i udhëhequr nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, kuvendet e Matit (1596-1602) dhe Kuvendi i Kuçit (1614) që i tejkalonte kufijtë e shqiptarëve (e kishte karakterin ndërballkanik), Kuvendi i Prizrenit i përgatitur dhe i organizuar nga Rilindësit e mëdhenj, të cilët i kristalizuan kërkesat e kombit shqiptar për një gjuhë, për një komb dhe një atdhe e shtet shqiptar, Kuvendi i Junikut i thirrur nga Luftëtarët e pavarësisë së Shqipërisë me Hasan Prishtinën në krye dhe Kuvendi i Bujanit, i organizuar nga udhëheqësit e Njësive Nacionalçlirimtare të Kosovës e të Shqipërisë, janë parahistoria e lavdishme e historisë sonë moderne, janë pararendësit e këtij Kuvendi të Republikës së Kosovës së sotme, rikujtoi kryeparlamentari Krasniqi. Këto Kuvende edhe pse të mbajtura në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, të përbashkët kanë pasur: bashkimin e mobilizimin e popullit shqiptar, për çlirimin dhe bashkimin, në mesjetë të kombësisë shqiptare e më vonë, në kohën e re të kombit shqiptar.

I terë përqendrimi ynë sot, më të drejt i është kushtuar Kuvendit të Bujanit, mbajtur para 70 vjetësh dhe i cili pretendonte më të drejt të korrigjonte pjesërisht një padrejtësi historike që i ishte bërë kombit tonë këtu e 100 vjet më parë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Në atë Konferencë, në emër të ruajtjes së paqes në Evropë, ishin sakrifikuar më shumë se gjysma e tokave edhe e popullit shqiptar të cilët do të mbesin jashtë trojeve të Shqipërisë Londineze. Me ato vendime të padrejta shqiptarët nuk janë pajtuar kurrë. Për t’ju bërë një korrigjim të pjesshëm atyre vendimeve, kombit tonë iu deshtë një luftë më se një shekullore, në të cilën luftë nuk munguan as sakrificat e flijimet e shumta. Pa atë luftë të vazhdueshme, herë të hapët e herë të fshehtë, pa gatishmërinë e njerëzve tanë për sakrifica e flijime të shumta ne, nuk do ta arrinim këtë që e kemi sot – Republikën e Kosovës të lirë, sovrane dhe demokratike.

Duke përfunduar fjalën e tij, Jakup Krasniqi falënderoi pjesëmarrësit e që po përkujtoheshin të Kuvendit të partizanëve të Luftës Nacional Çlirimtare, të cilët ishin të bindur se pas përfundimit të luftës antifashiste, shqiptarët e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit do të bashkoheshin me Shqipërinë. Pra kryeideal i të gjithë shqiptarëve të kohës, edhe pse ishin të rreshtuar në kampe të ndryshme, ishte çlirimi dhe bashkimi i kombit shqiptar. Pse nuk u realizuan vendimet e Rezolutës se Bujanit, nuk ishte faji i shqiptarëve, ndonëse nuk munguan as ata që i mbeten besnik vendimit të Rezolutës për bashkimin e shqiptarëve. Njëri nga ata, ndonëse jo i vetmi ishte Ramiz Cernica, i cili në Kuvendin e Prizrenit të korrikut 1945 th: “Me Serbinë jo, me Shqipërinë po”, por Kuvendi i Prizrenit ishte mbajtur që Kosova ti aneksohej Serbisë. Pas këtij aneksimi u hoq gjendja e luftës që ishte vendosur ne fillim të vitit 1945. Është e saktë se shqiptarët pas Luftës së Dytë Botërore, me gjithë vështiruesit e padrejtësitë e shumta që i përjetuan, i patën edhe të arriturat e pa kontestueshme që nuk duhet mohuar, por shqiptarët më të drejt nuk u ndalen se kërkuari të drejtën e tyre të ligjshme për çlirim e bashkim. Me gjithë sukseset që kemi arritur, edhe me luftën e fundit të UCK-se të udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, dhe shpalljen e pavarësisë me 17 shkurt 2008, drejtësia për shqiptarët nuk është realizuar në plotësi.

Uji Dea

Në Tryezë për këta ngjarje, që pasqyron idealet me të cilat u morën idealistët kombëtarë para e pasj saj, kanë folur edhe personalitete të tjera të shkencës.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve të LANÇ-së, Vehap Shita, ka bërë hapjen e kësaj konference kushtuar jubileut të Konferencës së Bujanit. Ai ka theksuar para kokave shqiptare, se me miratimin e Rezolutës nga Këshilli Nacional Çlirimtar të Kosovës, popullit të Kosovës iu njoh e drejta e vetëvendosjes për fatin e vet në bazë të pjesëmarrjes aktive në Luftën Nacional Çlirimtare në anën e Aleancës së Bllokut Antifashist.

“Në bazë të së drejtës së vetëvendosjes, fituar dhe njohur nga aleatët e bllokut Antifashist, në kohën e Luftës së dytë Botërore, e mbi këtë bazë mbi luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën e NATO-së, u dëbuan përfundimisht forcat okupuese serbe, në qershor të viti 1999, dhe në shkurt të viti 2008, u shpall Pavarësia e Kosovës. Mbi këtë bazë, jam i bindur që do të arrihet njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës në OKB”, ka thënë Shita. Ndërkaq, gjeneralejttnant, Rrahman Parllaku, kryetar i Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar, ka shtuar në këtë konferencë se respekt të madh meriton populli i krahinës të Malësisë së Gjakovës që u bë strehë për luftëtarët e lirisë.

“Familja me tradita patriotike e Sali Manit, kthyen kullën e tyre duke strehuar pjesëmarrësit e Kuvendit të Bujanit. Nderime dhe respekt të veçantë meritojnë edhe dëshmorët të cilët dhanë jetën për realizimin e mendimeve të shtetit të Kosovës, për liri dhe pavarësi të plotë. Unë e quaj vetëm me fat që po marrë pjesë në kujtimin e kësaj ngjarje historike shqiptare, në kryeqytetin e Kosovës së lirë dhe demokratike”, ka deklaruar ish-luftëtari i LANÇ-së Parllaku.
Pas këtyre fjalimeve, me kumtesa janë përfshirë edhe një varg akademikësh shqiptar si: Pajazit Nushi me shkrimin e tij “Konteksti i zhvillimeve politike dhe gjeneza e shtet-formimir në Konferencën e Bujanit”, Zija Mulhaxha “Tiparet dhe objektivat e LANÇ të Kosovës, Prof. Dr. Fehmi Rexhepi, Zejnullah Gruda, Ana Lalaj, Jusuf Bajraktari e disa intelektual të tjerë. Gjatë kësaj dite me kumtesa do të paraqiten edhe Muhamet Mustafa, Aziz Abrashi, Muhamet Bicaj, Fazli Syla, Nehat Islami e shumë të tjerë.

Në fund të vitit bëhen shtatëdhjetë vjet nga dita kur, më 31 dhjetor të vitit 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës, është mbajtur Konferenca Themeluese e Këshillit Nacionalçlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit. Në këtë Konferencë, të mbajtur në kohën e luftës dhe në territor të çliruar, është miratuar Rezoluta me të cilën popullit të Kosovës i njihet e drejta për vetëvendosje./koha/