KKVITI

Të drejtat e shqiptarit

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Milaim Shefkiu – Më 10 dhjetor shënohet Dita e të Drejtave të Njeriut, një ditë e veçantë që ka simbolikën nga viti 1948 kur u miratuar Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Kjo deklaratë u miratua atëbotë kur të drejtat e njeriut shkeleshin me të dy këmbët, me idenë që të gjithë njerëzit, edhe pse janë të ndryshëm, të jenë të barabartë nëpër shtetet ku jetojnë. Mirëpo, kjo deklaratë nuk u respektua kurrë nga të fortit, ndërsa mbeti një maksimë iluzioniste për të vegjlit.

Edhe pse Kosova dhe Ballkani figurojnë në hartë si pjesë e Evropës, prapë këtu gjithçka është e konceptuar ndryshe dhe gjithçka vepron ndryshe nga shtetet evropiane.

I përbërë nga disa popuj të vegjël, Ballkani mbetet rajoni me ngarkesën më të madhe të urrejtjes ndërmjet fqinjëve në botë.
Edhe pse të gjitha shtetet aspirojnë integrimin në BE, duket se është vetëm Kosova (e cila as ëndërr nuk e sheh BE-në), që respekton deri diku të drejta e njeriut.

Madje, nëse do të kishte çmim shtetëror për të drejta të njeriut, me siguri do ta merrte Kosova, sepse është i vetmi vend ndoshta në botë, ku një pakicë me 5 për qind të popullsisë ka të drejta më të mëdha se sa vetë populli shumicë. Këtu ekziston një standard që asnjë popull në rajon nuk e ka, që mund të merret si mostër edhe për disa shtete të tjera që janë më të liga se ne.

Nuk e di nëse shqiptarët në Kosovë janë zemërgjerë dhe i respektojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, apo veprojnë me dy peshore, me njërën e matin të fortin dhe një të ligun. Kur bëhet fjalë për serbët, është tjetër standard, ndërsa kur bëhet fjalë për romët e ashkalinjtë, nuk “përtojmë’ t’i zbresim edhe nga autobusi, në gjysmën e rrugës dhe t’i fyejmë “ik more magjupi i keq”.

Ndërsa Serbia mund të konsiderohet vendi ku më së shumti shkelen të drejtat e pakicave.

Imagjinojeni, në ditën kur gjithë dynjaja shënon Ditën e Drejtave të Njeriut, shteti që nxiti katër lufta në Ballkan, vazhdon të luajë me ndjenjat e njerëzve. Janë 1700 qytetarë që presin të zbardhet fati i bijve dhe prindërve të tyre, ndërsa ajo i mban sekret.
Më skandalozja ka ndodhur të martën kur është planifikuar të nisin gërmimet në Rashkë, në lokacionin ku dyshohet se ka trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

ARKATANA

Përveç se e ka zvarritur për 14 vjet zbardhjen e fatit të të pagjeturve, dje autoritetet serbe nuk e dërguan as buldozerin për të mihur dheun. Çfarë marrëzie…

Këtë nuk mund ta bënte asnjë njeri që ka pak humanitet në shpirt.

Shkelja e të drejtave të njeriut në Serbi nuk përfundon këtu. Në Luginën e Preshevës nxënësve shqiptarë ua ka marrë librat, sepse ata po mësuakan shqip. Dhe kësaj i thonë se respektohet e drejta e njeriut, kur shqiptarit ia imponon mësimin e historisë së Car Dushanit, ose edhe të prijësve të tjerë serbë që shquhen për krime ndaj shqiptarëve.

Madje ishte ky Dushani i kthyer në skulpturë që po nxit një konflikt të ri në Maqedoni, në shtetin ku shqiptarët përbëjnë 30 për qind të popullsisë, ndërsa gjuhën zyrtare e flasin me përqindje. Nëse shqiptarët në Maqedoni janë 20 për qind mund të flasin zyrtarisht shqip, ndërsa nëse janë 19 për qind nuk kanë të drejtë. Ky standard është i marrë.

Në Kosovë është tjetër, në Maqedoni tjetër, në Shqipëri tjetër, në Mal të Zi tjetër standard i të drejtave të njeriut. Madje në Mal të Zi shqiptarët nuk kanë të drejtë që ta ngrenë as flamurin kombëtar, ndërsa malazezët në Kosovë do të hyjnë edhe në Kushtetutë.

Në këtë Ditë të të Drejtave të Njeriut nuk ka respektim të të drejtave. Ata që kërkojnë norma demokratike duhet të vendosin standarde të njëjta për të gjithë, sepse në të kundërtën do të vazhdojnë ta drejtojnë lojën me hile, sikurse arbitri i keq. Në Ballkan, shihet se eksperimenti me të drejtat e njeriut po bëhet vetëm me shqiptarë.