ARKATANA

Shëndeti i prijësve tanë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Naser Sertolli – Sikur të ishte çështje llafesh puna e të qenit evropian, në raport me prijësit tanë, Robert Schuman e Jean Monnet, që konsiderohen si baballarët themelues të Evropës së bashkuar, do të ishin harruar e nihiluar në pafundësi.

I keni parë e dëgjuar tek çirren për vlera demokratike, për transparencë e llogaridhënie, sundim të ligjit e zhvillim të qëndrueshëm, luftim të krimit të organizuar e të korrupsionit dhe mirëqenie për qytetarët, integrim e barazi, integritet e fqinjësi të mirë. Por, e kanë një cen. Harxhojnë skajshmërisht energji përballë dilemës hamletiane: si ta quajmë kontinentin në të cilin jetojmë, Evropë apo Europë?

Në vend të premtimeve elektorale për evropianizimin e vendit tonë, qyteteve, katundeve e sokakëve tanë, premtime që i ngjajnë brymës para diellit, sa mirë do të ishte sikur drejtuesit e institucioneve qendrore e lokale të bënin ndonjë veprim që do t’i dallonte të paktën nga vendet fqinje, e t’i përngjanin ndonjë demokracie të zhvilluar. Ja, po marrim një shembull shumë të thjeshtë, por që do të na bënte simpatikë në sytë e të tjerëve. Pse të mos bëhet si standard që prijësit tanë para se të kandidojnë për poste qeveritare, por edhe për drejtues të komunave, ose edhe të institucioneve të ndryshme, të paraqesin një buletin shëndetësor. Të dihet gjendja e tyre shëndetësore, psikike e fizike.

E keni parë si iu sulën mediet e opinioni francez presidentit François Hollande e qeverisë së tij pse e kishin mbajtur të fshehur një operacion të shefit të shtetit në prostatë. Ani pse ndërhyrjes kirurgjike Hollande i ishte nënshtruar rreth një viti para se të zgjidhej në krye të shtetit. Ne mund të na duket absurde, por në Francë çështja e shëndetit, sidomos e presidentit, është tejet e ndjeshme.

FIDANISHTJA

Po ashtu kemi parë se si krah presidentit iu bënë kryeministri, ministrat e zëdhënësit e qeverisë, të cilët mbroheshin me faktin se çështja e shëndetit të shefit të tyre i përket sferës së jetës private, prandaj kërkonin që ajo të respektohet. Po ashtu, pushtetarët në Paris mbroheshin edhe me faktin se presidenti nuk është i obliguar me ligj të ofrojë një pasqyrë shëndetësore. Mirëpo, pika e dobët e tyre ishte dhe mbeti transparenca, respektivisht mungesa e transparencës, sidomos asaj mjekësore. Në të vërtetë, François Hollande (sikurse edhe paraardhësit e tij), për çdo vit e publikon buletinin mjekësor, jo që e kanë obligim kushtetues, por u ka mbetur si adet.

Nëse munden francezët, pse ne si shoqëri, si demokraci e re, nuk provojmë të bëhemi të parët që vendosim një standard të tillë. Pra, që me ligj të obligohet secili kandidat ose udhëheqës në pozita të rëndësishme të publikojë raportin mjekësor. Një raport i tillë nuk është e thënë të përmbajë detaje për shëndetin e kandidatit, por së paku të tregonte në vija të trasha nëse ai eventualisht vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë, e cila mund ta pengojë në kryerjen e detyrave ose që do të mundë t’ia linte mandatin në gjysmë.

Më shumë se për shëndetin fizik, në këtë situatën tonë analizat më mirë do të ishte të fokusoheshin tek ato sëmundjet mendore e morale, sëmundjet tona të shpeshta sepse më shumë se nga trupi zakonisht lëngojmë nga mendtë. Pra të na dëshmojnë a janë mendërisht të aftë për misionin që kanë. Ndërsa, nuk do të kishte nevojë t’i nënshtroheshin për shembull poligrafit, testit të kleptomanisë apo diçkaje të ngjashme, meqë rezultatet i di paraprakisht secili prej nesh. Një raport i tillë mjekësor, a po jo, sa do të ndikonte në të mirë të kandidatët aq do të mirëpritej nga qytetarët e vendit. Të rënduar nga dertet e veta, mjafton këta që nuk do ta çonin jetën me gajlen e përditshme se, mos po thotë Zoti, e po e lë shëndeti ndonjërin nga ta.