Për eunukët që rrethojnë perandorët
Nga Berat Buzhala – Thaçi, Haradinaj, Kurti e Pacolli, për fatin e tyre të keq, kënaqën dhe ndihen mirë kur afër tyre i kanë pikërisht eunukët. Sepse vetëm ata u garantojnë siguri se kur të ngritën nga karriga nuk do të ulën në vendin e tyre. Sepse vetëm ata i sigurojnë ketë katërshe se kur t’i ftojnë t’ua fërkojnë shpinën, në vend të shpuzës me shkumë, nuk do të marrin një goditje me thikë.
Njëra prej perandorive që kishte jetuar më gjatë në historinë botërore ishte ajo e Bizantit. Periudha prej themelimit të Kostandinopojës e deri në rënien e saj ka zgjatur rreth 1100 vjet. “Kjo është një periudhë e shkurtër vetëm për astronomët dhe gjeologët”, thotë John Julius Norëich, autor i një trilogjie vuluminoze për Bizantin.
Thuhet që jeta në, dhe rreth, këtij kryeqyteti ka qenë cdo gjë tjetër, por jo monotone. Një jetë pa skrupuj dhe pa moral. Dinasti pas dinastie; perandor pas perandori; perandoreshë pas perandoreshe; e patriark pas patriarku.
Secili e zëvendësonte secilën me duart plot gjak. Shumica e linin detyrën të me sy të qorruar e me flokë të rruara në majën e kokës. Shumica përfundonin të syrgjynosur diku nëpër manastirët e harruara nëpër ishujtë e perandorisë, nëse jo ushqim për kafshë. Por nuk është vetëm kjo formë e jetesës – pse mbijetesës – që më rrënqethë aq shumë në veprën e John Julius Norëich, Bizanti.
Sepse kjo perandori në fakt nuk është sunduar prej sundimtarëve, por është udhëhequr prej eunukve. Për 1100 vjet me radhë aty ku ka qenë një eunuk ka qenë një intrigë. Ata kanë qenë muri i fundit që e ka ndarë sundimtarin prej popullit.
Për ta takuar Perandorin është dashur ta takosh patjetër eunukun. Ndryshe fenomeni i eunukëve nuk kishte filluar me bizantin, por kishte marrë një tjetër kuptim me bizantin. Eunukët ishin meshkujt e kastruar në një fazë të hershme të zhvillimit të tyre. Kastrimi në atë fazë sillte ndryshime të mëdha hormonale, e së këndëjmi edhe ndryshime të mëdha në mënyrën e tyre të të menduarit.
Në Perandorinë Bizantine, eunukët fillimisht ishin kategoria e meshkujve që ndihmonin perandorët në kryerjen e punëve të tyre më intime, si larja, veshja, qethja etj. Ishin mburoja e Perandorit në kontaktin e tij fizik me botën. Por kush ishin eunukët që përzgjidheshin për kastrim, për t’u sakrifikuar për pjesën e mbetur të tjetës? Ishin të gjithë ata që Perandori a Perandoresha mund t’i konsideronte si kandidat potencial për ta rrezikuar fronin, kur të arrinin një moshë të caktuar dhe disa të tjerë që përzgjidheshin në mënyrë të rëndomtë. Kastroheshin që kur të rriteshin të mos kishin pretendime për t’u bërë Perandorë. Sepse një eunuk që nuk kishte mundësi riprodhimi nuk mund të kishte mundësi të zgjedhej në pozitën më të lartë shtetërore.
Zakonisht këtë fat të zi e kishin fëmijtë e ish perandorëve, që kishin ngelur të mbrojtur vetëm nga e ëma, që ishte rrëzuar nga froni. Dhe raste të tjera të kësaj natyre. Duke qenë në këtë pozitë, kjo kastë shoqërore ishte tejet e besuar prej Perandorit. Fjalët e tyre kishin peshë më të madhe sepse dihej mirëfilli se ata nuk po punonin për interesa të tyre. Ata nuk kishin trashëgimtar, që nënkuptonte se angazhoheshin vec për zotriun e tyre. Për këto arsye ata ishin çdo kund.
Kërkush më të zhveshur se sa ata nuk e shihte Perandorin. Ata ishin që i fërkonin shpinën, që i këndonin e që i qethnin. Privilegje se jo mahi. Ishin kohë të tilla, kur mjaftonte që secili që kishte koqe – fizikisht dhe figurativisht – të kishte ambicie për ta rrëmbye fronin. Pabesia ishte kryefjalë dhe kallxues. Në këto 1100 vite rastet kur vëllau e therte vëllaun, e biri babën ose anasjelltas, ishin aq të shpeshta sa nuk ia vlen të përmendën. Pra, ishte një periudhë kur fobia ndaj koqeve ishte e pashembullt. Në vendin tonë eunukizmi nuk është një nocion juridik. Pra në kuptimin fizik nuk kemi eunuk që qëndrojnë afër më liderët e vendit, ose me liderët e partive.
Por në kuptimin figurativ, Kosova është duke e tejkaluar çdo kuotë të mundshme të ‘eunukëve’ që rrethojnë kryetarët e partive politike. Pra, vetëm këtu mund të ndodhë që pranë kryetarëve të partive, a kryeministrit, a secilit shef të mundshëm, që kemi një këso lloj garde pretoriane, që e ruan shefin e tij së mos po e rrëzon dikush prej pushtetit, e në anën tjetër vet janë të kastruar – fatkeqësisht vetëm figurativisht – prej mundësisë për të synuar pozicionin e të parit.
Po e përjashtoj në ketë rast Lidhjen Demokratike të Kosovës, sepse brenda kësaj partie megjithatë ka pasur disa rokada në kreun më të lartë të saj. Ka pas gara demokratike – që kishin shkuar deri në karriga – ku një kandidat e ka mundur një tjetër.
Po i marr shembull PDK’në, AAK’në, Vetëvendosjen dhe AKR’në.
Liderët e këtyre katër partive janë të rrethuar në mënyrë tipike prej kësaj kategorie shoqërore. Thaçi, Haradinaj, Kurti e Pacolli, për fatin e tyre të keq, kënaqën dhe ndihen mirë kur afër tyre i kanë pikërisht eunukët. Sepse vetëm ata u garantojnë siguri se kur të ngritën nga karriga nuk do të ulën në vendin e tyre. Sepse vetëm ata i sigurojnë ketë katërshe se kur t’i ftojnë t’ua fërkojnë shpinën, në vend të shpuzës me shkumë, nuk do të marrin një goditje me thikë.
Për mu është e pabesueshme – madje është patologjike – që njeriu të vetëprivohet prej ambicies. Për eunukët ky vetëprivim e ka një shpjegim edhe mjekësor. Por si është e mundur që njeriu të vetëshpallet eunuk? Si është e mundur që ne po rrisim fëmijë dhe familje në një vend ku profesorë doktorët – jo vetëm te Kosovës – deklarohen publikisht se janë njerëz pa ambicie – kuptohet vetëm përball Kryetarit, se përndryshe janë të sëmurë për nga ambicia? Si është e mundur që lojaliteti pa rezervë i akademikut t’i jepet e zezë mbi të bardhë banditit?


