Të bëhesh lider nga armët kimike
Nga Armand Shkullaku – Shqipëria është rikthyer në vëmendjen e medieve botërore si vendi ku do të depozitohen e më pas do të eliminohen armët kimike siriane të shkatërrimit në masë. Opinioni publik është tronditur nga një lajm i tillë, ndërkohë që qeveria shtyn ditët duke i bishtnuar përgjegjësisë më të madhe në raport me qytetarët e saj. Kryeministri Rama në stilin e tij të menaxherit dhe jo të një lideri politik që merr vendime, po tërheq zvarrë ankthin e qindra mijëra shqiptarëve, që kanë të drejtë të dinë se çfarë është vendosur për ta.
Gjuha evazive e kryeministrit që flet për detyrime ndaj aleatëve dhe SHBA në veçanti, që tregon se kush e ka çliruar Kosovën dhe kush na ka mbështetur për t’u anëtarësuar në NATO, që deklaron se do të ishte në protestë po të mos ishte në krye të qeverisë, që thotë se i kanë kërkuar diçka që nuk përbën rrezik por nuk arrin të artikulojë se çfarë, e ka shumëfishuar pasigurinë e qytetarëve për të ardhmen e tyre. Një kryeministër që e manifeston hapur ngërçin dhe pavendosmërinë e tij përpara popullit, mbjell vetëm dyshime dhe ankth.
Shqiptarët po e mësojnë nga mediat e huaja çfarë është vendosur për ta, duke u ndjerë edhe ata si mbetje kimike në raport me qeverinë e tyre. Kjo situatë absurde, ku lajmi i vendimmarrjes mbërrin nga jashtë dhe kryeministri hesht, po e kthen këtë të fundit nga Edi kimiku në Edi komiku. Sepse situata behet vërtet tragjikomike kur sheh shefin e qeverisë që deklaron paradite përpara kamerave se po zhvillon diskutime të brendshme dhe në mbrëmje Al Jazeera njofton se vendimi për të dërguar armët kimike në Shqipëri është marrë tashmë.
Paul Walker, një autoritet botëror në ndalimin e armëve kimike, deklaroi se këtë të premte do të bëhet i njohur vendimi që helmet e shfarosjes në masë të Asadit do të asgjësohen në Shqipëri. Në intervistën e tij për Al Jazeera, Walker tha se Shqipëria u tregua e vullnetshme për të marrë përsipër këtë proces dhe se i gjithë arsenali i Sirisë do të dërgohet atje. Kështu një i huaj na ka treguar jo vetëm se çfarë është vendosur për ne, por edhe ka zbuluar faktin se Tirana zyrtare mund të ketë kërkuar vetë të marrë një rol global pavarësisht se sa mbajnë supet e saj. Ky fakt e ndërlikon edhe më keq pozitën e kryeministrit Rama. Jo thjesht si një lider impotent për të marrë vendime të forta, por edhe si një kryeministër që gënjen popullin e tij duke e mbajtur pezull ndërkohë që gjithçka qenka vendosur.
Edi Rama mund të dëshirojë të jetë në qendër të medieve botërore, por efekti i armëve kimike nuk është i njëjtë me atë të bojërave mbi pallate, për të cilat rrëfeu me krenari në CNN. Vendimi personal për të lyer një qytet dhe ai për të futur armë kimike në një shtet, kanë një ndryshim shumë të madh në raport me përgjegjësinë përpara qytetarëve. Është një vendim që ka të bëjë me të ardhmen e miliona shqiptarëve.
Edi Rama mund të ketë gjithashtu nevojë të ndihet lider edhe në nivel global, të kompensojë boshllëkun që ka në këtë drejtim duke marrë një telefonatë nga John Kerry apo një letër nga Obama dhe i rëndësishëm në vendimmarrjen botërore, por këtë nuk e bën dot duke mos përfillur popullin e tij e, më keq akoma, duke e trajtuar atë si një masë pa tru që gëlltit gjithçka që i ofrohet. Opinioni publik nuk është se ka kundërshtuar thjesht futjen e armëve kimike, protesta më e madhe vjen si fakt i injorimit të tij për një çështje me rëndësi jetike. Për faktin se qeveria mendon të vendosë për fatin e qytetarëve duke mos i marrë ata në konsideratë, duke mos i informuar e madje duke i gënjyer. Lider nuk është vetëm ai që merr vendime të forta, por ai që arrin të ketë edhe mbështetje popullore për vendimet e tij.
Rama mund të ketë kërkuar vetë që Shqipëria të ketë rol në procesin e demontimit të armëve siriane ose i ka thënë po menjëherë një kërkesë të amerikanëve, por sa vlerë ka ky vendim kur thuajse gjithë opinioni shqiptar është kundër tij. A mund të jetë i respektuar një lider që merr angazhime kaq të mëdha jashtë dhe ngjall kaq reagime kundër brenda? A ka menduar Edi Rama që shqiptarët do e prisnin me brohoritje dhe entuziazëm lajmin se po u jepet mundësia të dëshmojnë devocion ndaj SHBA edhe duke u vetësakrifikuar?
Ajo që po ndodh sot në Shqipëri e kanë kryeministrin në pozitë të vështirë edhe me qytetarët edhe me aleatët. Ai nuk është lideri që ngjall besim. Ai merr vendime që nuk i del dot për zot dhe qytetarët e tij informohen për to nga mediet e huaja. Ai është një kryeministër i majtë që ndalon importin e mbetjeve urbane dhe kërkon futjen e armëve kimike.
Ai është kryeministri që nuk i jep dot përgjigje pyetjes se përse Shqipëria duhet të marrë përsipër një mision të tillë kur shumë vende të tjera e kanë refuzuar. Edi Rama është kryeministri që i ka çuar shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre në një protestë përpara ambasadës amerikane në Tiranë. Prandaj ai nuk është në pozitë të favorshme edhe me aleatët e tij. Për nga mënyra se si veproi, mungesa e kurajës, nxitimi për të qenë i përfillur ndërkombëtarisht dhe pandershmëria ndaj qytetarëve të tij, e ka shndërruar vendimin për të sjellë armët kimike në një vendim kundër Shqipërisë. SHBA nuk do të donin të gjendeshin në një situatë të tillë. Por u ka thënë po një kryeministër, i cili nuk ka guxim të informojë as popullin e tij. Al Jazeera na tha se këtë të premte do të shpallet vendimi i marrë për ne.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


