Nazim Rexhepi, për herë të tretë në parlamentin e Lagnaus
Në zgjedhjet e mbajtura më 4 nëntor për Asamblenë Komunale në Lagnau të Bernës ka fituar për herë të tretë një vend shqiptari me prejardhje nga Kosova, Nazim Rexhepi.
Për Asamblenë Komunale të Lagnaus Rexhepi ka qenë i vetmi shqiptar që ka kandiduar dhe ka fituar zgjedhjet edhe këtë herë. Politikani me prejardhje nga Kosova në një intervistë që i ka dhënë albinfo.ch tha se do të vazhdojë të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar në këtë pjesë të Zvicrës. Rexhepi thotë se do të kandidohet edhe për zgjedhjet kantonale që do të mbahen në mars të 2014 në Bernë.
Albinfo.ch: Kur keni nisur të merreni aktivisht me politikë dhe çfarë ju ka shtyrë ta bëni këtë?
Nazim Rexhepi: Që në bankat shkollore, në Kosovë, më ka interesuar politika, ngase, siç thuhet: Edhe nëse nuk merresh me politikë, ajo merret me ty! Pas ardhjes në Zvicër më 1989 e kam parë se në një shoqëri demokratike vërtet ia vlen të jesh aktiv në politikë, aty ku merren vendimet e rëndësishme për qytetarët, e në rastin tonë edhe për emigrantët. Natyrisht, më është dashur të pres disa vjet, derisa e mora nënshtetësinë zvicerane.
Albinfo.ch: Përse jeni lidhur pikërisht me Partinë Socialdemokrate (SP)? Cili është profili dhe cila është fuqia e kësaj partie në Lagnau?
Nazim Rexhepi: Partia Socialdemokrate e Zvicrës, por edhe partitë e tjera të majta, janë më të hapura ndaj të huajve dhe më të angazhuara në temat, si migrimi dhe integrimi i të huajve në shoqërinë zvicerane. Kjo parti udhëheq Komunën e Langnau-t tash e njëzet vjet (Kryetari i Komunës, z. Bernhard Antener, socialdemokrat, është tash e njëzet vjet në pushtet. Ai njëherësh është edhe kryetar i Parlamentit kantonal të Bernës).
Albinfo.ch: A ka shqiptarë të tjerë të angazhuar në këtë parti në Lagnau?
Nazim Rexhepi: Për fat të keq, në Langnau nuk është asnjë shqiptar i angazhuar në politikë, përpos meje. Megjithatë, rreth zgjedhjeve angazhohen dhe, ata që kanë të drejtë vote, më votojnë mua.
Albinfo.ch: Prej vitesh jeni këshilltar i Komunës Langnau am Emental. Çfarë mund të veçoni nga angazhimi juaj politik që ka favorizuar qytetarët me origjinë të huaj dhe për shqiptarët në veçanti?
Nazim Rexhepi: Prej vitit 1993 jam fillimisht simpatizues, e që nga viti 2004 anëtar i Partisë Socialdemokrate të Zvicrës. Më 03 nëntor 2013 me 715 vota të qytetarëve të Langnau-t u zgjodha për herë të tretë (2006 – 2009; 2010 – 2013 dhe 2013 -2017) anëtar i Asamblesë Komunale të Langnau-t. Në këto vite jam angazhuar jashtëzakonisht shumë në temat e mirëqenies sociale dhe të integrimit. Mendoj se ia kam dalë të ndikoj në përmirësimin e imazhit të emigrantëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti.
Albinfo.ch: Cilat janë shqetësimet me të cilat ballafaqohen në përditshmërinë e tyre emigrantët e komunës suaj ?
Nazim Rexhepi: Përveç shqetësimeve të përgjithshme, me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës sonë, emigrantët i kanë edhe shqetësimet specifike, si shkalla më e lartë e papunësisë, vështirësitë në pranimin nëpër shkolla adekuate, ngritja e imazhit të tyre, etj. Ndonëse e them me krenari që vitet e fundit ka gjithnjë e më shumë shqiptarë të punësuar në vende të mira pune, madje edhe në Komunë.
Albinfo.ch: Na thoni sa janë aktivë shqiptarët si komunitet i huaj dhe sa janë të integruar në komunën tuaj? Cili është imazhi i shqiptarëve në këtë regjiion?
Nazim Rexhepi: Shqiptarët në komunën tonë nuk janë aktivë në politikë. Por, kemi sportistë të dalluar, si: Florent Hadergjonaj në futboll (Young Boys Bern), Alban Rexha në hokej mbi akull (luan për HC Langnau, në ligën kombëtare të Zvicrës), etj.
Albinfo.ch: Në Langnau nga 10 mijë banorë, 10% janë të huaj. Të huajt me viza C a kanë të drejtë të votojnë në zgjedhje? Dhe a jeni angazhuar që kjo kërkesë e tyre të merret në shqyrtim në parlamentin e komunës suaj?
Nazim Rexhepi: Çështja e të drejtës së votimit për të huajt është një problem nacional në Zvicër. Në disa kantone tashmë aplikohet kjo e drejtë, ndërkaq Kantoni i Bernës, për fat të keq, ende nuk ia ka dalë t’i bindë qytetarët e vet që t’ua mundësojnë edhe bashkëqytetarëve të tyre emigrantë pjesëmarrjen në vendimmarrje demokratike.
Albinfo.ch: A e sheh Nazim Rexhepi të ardhmen e vet si politikan profesionist? A keni ambicie për zgjedhje në instanca më të larta?
Nazim Rexhepi: Natyrisht, secili që merret me politikë ka ambicie të shkojë sa më lart. Në mars 2014 mbahen zgjedhjet për në Parlamentin kantonal të Bern-it. Unë jam një nga kandidatët nga regjioni Emmental.
Nazim Rexhepi është me origjinë nga Malisheva e Gjilanit. Më 1989 ka emigruar në Zvicër. Prej vitit 1990 është anëtar aktiv i sindikatave zvicerane, ndërsa që nga viti 2004 është i punësuar si sekretar sindikal në Sindikatën UNIA. Aktualisht vepron dhe jeton në po të njëjtin qytet së bashku me familje./Sevdail Tahiri/

