Policia në Gjilan shqipton 1,683 gjoba për një javë, 48 shoferëve u ndalohet drejtimi i automjeteve
Gjilan – Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka shqiptuar 1,683 gjoba për kundërvajtje në trafik gjatë periudhës 23–29 tetor 2026, në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë rrugore.
Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kësaj periudhe, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë zhvilluar kontrolle dhe aktivitete të shtuara në gjithë rajonin, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe respektimit të rregullave të komunikacionit.
Përveç gjobave të shqiptuara, gjatë javës janë evidentuar dhe trajtuar:
8 aksidente trafiku me dëme materiale;
8 aksidente trafiku me persona të lënduar;
49 gjoba për përdorimin e telefonit gjatë vozitjes;
42 gjoba për mosvendosjen e rripit të sigurisë;
48 masa të ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike ndaj ngasësve.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, të respektojnë kufizimet e shpejtësisë dhe sinjalistikën rrugore.
Policia gjithashtu ka kërkuar që shoferët të mos përdorin telefonat gjatë drejtimit të automjeteve, të vendosin rripin e sigurisë dhe të kenë kujdes të veçantë ndaj këmbësorëve.
Siguria në trafik mbetet përgjegjësi e përbashkët, ndërsa respektimi i rregullave mund të parandalojë aksidentet dhe të shpëtojë jetë./rajonipress/

