ARKATANA

A po politizohet “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”?

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Thirrja e “Komunitetit Shqiptar të Gjenevës” lidhur me një çështje për të cilën votohet në një referendum në nivel të Zvicrës, ka ngjallur reagime nga shoqatat simotra në Gjenevë dhe nga Kuvendi Shqiptar në Zvicër.

Komuniteti Shqiptar në Gjenevë më 24 nëntor 2013 në referendumin që do të mbahet në nivel të Zvicrës duhet të deklarohet me „Po” për iniciativën e SVP-UDC-së që të hiqet nga tatimi kujdesi i fëmijëve edhe për ato familje që kujdesen vetë për fëmijët e tyre”. Ky është qëndrimi ndaj këtij objekti referendues nga shoqata shqiptare e themeluar në Gjenevë dhe që thirret me emrin «Komuniteti Shqiptar i Gjenevës». Po ashtu, sipas kësaj të fundit, shqiptarët duhet të deklarohen në referendum kundër shtrenjtimit të vinjetës për autostrada nga 40 në 100 franga. http://www.cageneve.ch/Faqet%20Shqip/sq11.htm)

Një thirrje drejtuar komunitetit shqiptar të Gjenevës nëpërmjet e-mailit e ka bërë kreu i kësaj shoqate, i cili pretendon se pozicionimi i tyre në Gjenevë është jopolitik.

“Ne nuk mendojmë se pozicionimi ynë është politik. Nuk është çështje politike kur e njëjta shtrohet para popullit në formë të referendumit. Kur një çështje shtrohet para popullit, atëherë ajo bëhet shumë më tepër sesa çështje politike. Ajo bëhet çështje e përgjithshme shoqërore, ekonomike, sociale, kulturore, madje në disa raste edhe filozofike”, thotë për albinfo.ch Ali Mehmeti, kryetar i shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”.

Madje, sipas tij, një veprim i tillë është në përputhje me statutin e shoqatës që angazhohet për integrimin e shqiptarëve të këtushëm në institucionet e vendit.

“Në Statutin e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, neni 4, pika 3, mes tjerash shkruan: “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës ka për synim… integrimin sa më efikas të komunitetit shqiptar të Gjenevës në shoqërinë zvicerane. Besoj se nga ky integrim nuk duhet përjashtuar as pjesëmarrjen në referendum, sidomos për çështje që na prekin në mënyrë direkt”, thotë Mehmeti, duke u bazuar edhe në ligj.

“Në nenin 5, paragrafi 2, mes tjerash shkruan: “. . . . në raste të ndryshme kur kërkohet deklarimi i qytetarëve në nivel komunal, kantonal apo federal, KSHGj-ja mund të pozicionohet rreth një çështjeje, në pajtim me interesat e saj“, thekson ai.

Por, ndryshe mendon kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës, Jeton Kryeziu.

Ai ka përshëndetur aktivitetin e shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”, e cila angazhohet në mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, që nënkupton ndër të tjera edhe integrimin në jetën e përbashkët këtu në Zvicër.

Avokati Kryeziu thotë se sipas statutit shoqata “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës” është shoqatë e themeluar në bazë të nenit 60, e në vijim të Kodit civil zviceran që duhet gjithashtu të respektojë nenin 52, e në vijim të Kodit civil, që përcakton qartë veprimtarinë e shoqatave.

«Neni 60, pika 1, pikërisht përcakton mundësinë e ngritjes së shoqatave politike», thotë Kryeziu.

Kryetarin e Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës nuk e befason qëndrimi politik i shoqatës, por jologjik, sipas tij, është statuti i “Komuniteti Shqiptar të Gjenevës”, pikërisht neni 5, i cili ka këtë përmbajtje:
“KSHGj është shoqatë jofitimprurëse, jopolitike, jofetare dhe pa dallime krahinore.Edhe pse jopolitike, në raste të ndryshme, kur kërkohet deklarimi i qytetarëve në nivel komunal, kantonal apo federal, KSHGj-ja mund të pozicionohet rreth një çështjeje, në pajtim me interesat e saj”.

Avokati Kryeziu mendon se është një kundërshtim në statutin e “Komunitetit Shqiptar të Gjenevës”, i cili mund të dëshmojë se qëllimet e shoqatës ende nuk janë të përcaktuara mirë.

«Nëse shoqata është ose jo politike, pra nuk merr asnjë qëndrim, nuk shpreh asnjë mendim, i cili mund të ketë ndikim te votuesit, atëherë shoqata nuk duhet të deklarohet në statut se është jopolitike. Pra, në momentin e saj kur pozicionet ose shpreh një opinion, nuk mund të jetë shoqatë më “pak” ose më “shumë” politike, por ose është, ose nuk është», thotë Kryeziu.

KKVITI

Avokati Kryeziu bën të ditur që të mos jetë e lejueshme nëse shoqata i urdhëron ose i detyron anëtarët e saj, në mënyrë direkte apo indirekte, që të votojnë, por gjithashtu të udhëzojë në një drejtim apo në një tjetër.

SVP-UDC, partia që më së shumti është marrë me iniciativa kundër të huajve.

Për avokatin nuk është problematike nëse shoqata e mbështet iniciativën e SVP-UDC-së apo të një partie tjetër, por ai thotë se duhet të mendohet mirë qëllimi i vërtetë i iniciativës së SVP-UDC-së.

„Deri sot, kjo është partia e cila ka lansuar më shumë iniciativa kundër të huajve. Në fakt, me këtë iniciativë janë më të prekur të huajt dhe këta persona do të jenë “fajtorë” të ngritjes së çmimit social në lidhje me këtë iniciativë, jo vetëm pse të huajt kanë zakonisht më shumë fëmijë, por edhe pse shumë gra të huaja do ta ndërprejnë punën. Pas 3-4 vjetësh mund të ndodhë që partia SVP-UDC do të lansojë një iniciativë tjetër, e cila do të jetë më shumë në dëm të të huajve që “përfitojnë” sot a nesër nga kjo iniciativë. Kjo iniciativë më duket si “mollë e helmuar”, thotë kryetari i Kuvendit të Shqiptarëve të Zvicrës.

“Më duket me rëndësi që shqiptarët duhet të forcojnë ende pozitën e gruas në Zvicër. Është e qartë se kjo iniciativë nuk i inkurajon çiftet apo gratë të punojnë, por edhe është argument për burrat shqiptarë që t’i ndalojnë gratë e tyre nga puna, kështu kufizohet mundësia për gratë shqiptare që të arrijnë më shumë në aspektin profesional. Më duket një hap prapa”, thotë kryetari i Kuvendit Shqiptar në Zvicër.

Krasniqi: Emri i shoqatës ka marrë peng gjithë komunitetin shqiptar të Gjenevës

Albana Krasniqi Malaj nga Universiteti Populllor Shqiptar thotë se në kushte normale një shoqatë me statutin sipas Kodit civil zviceran duhet të mbledhë Kuvendin e përgjithshëm dhe të shtrojë çështjen në votim para se të pozicionohet publikisht për të dhënë instruksione vote. Ëshë i pranueshëm vetëm pas votimit të tekstit me vullnet të lirë nga shumica e të pranishmëve në Kuvend“, thotë Krasniqi.

Vendimi i cunguar dhe jopërfaqësues i opinionit të anëtarësisë së gjerë i jep legjitimitet pozicionimit të organizatës.

„Prej momentit që vendimi merret në mënyrë demokratike, ma merr mendja se ai bëhet zë i legjitimuar i shoqatës dhe nuk mund të përflitet, pasi respektohet e drejta e shprehjes së lirë. Nuk kam dijeni mbi mënyrën e marrjes së vendimit rreth pozicionimit të Komshqip dhe nuk kam të drejtën etike dhe morale të gjykoj vendimet e marra nga një shoqatë tjetër“, thotë Krasniqi.

Për Krasniqin, çështja bëhet më delikate kur një shoqatë, e cila sipas saj vetëquhet «Komuniteti Shqiptar i Gjenevës» (frëngjisht Communauté Albanaise de Genève) krijon amalgam mes popullsisë shqiptare në Gjenevë, e cila është e shumtë në numër dhe një vendimi të marrë nga një numër i kufizuar i anëtarëve të një shoqate.

„UPSH nuk do të kishte reaguar nëse kjo ngatërresë e shkaktuar nga emri nuk do të merrte peng gjithë komunitetin shqiptar të Gjenevës, i cili përbëhet prej më shumë se 15 mijë vetash“, thotë në këtë prononcim për Albinfo.ch Albana Malaj-Krasniqi.

Madje, ajo thotë se emri i shoqatës në një farë mënyre para syve të publikut të gjerë është uzurpim identiteti i një komuniteti me shumëllojshmëri idesh politike, bindjesh fetare, origjinash sociale, regjionale, leje-qëndrimi në Zvicër, etj.

Sa i përket pozicionimin politik, ajo mendon se çdo shoqatë apo individ radhitet krashi forcave me të cilat i ndan bindjet e veta politike dhe askush nuk ka të drejtën të gjykojë apo t’i dënojë.

„Kjo është pjesë e procesit demokratik dhe, edhe nëse vendimet nuk i pëlqejnë gjithkujt, ato gjejnë legjitimitet te vota e shumicës“, tha Krasniqi.