Këshillat lokale në fokus: Dardanapress synon fuqizimin e komuniteteve dhe zhvillimit socio-ekonomik në Kamenicë
Kamenicë – Roli i këshillave lokale në përfaqësimin e qytetarëve dhe në orientimin e politikave të zhvillimit socio-ekonomik ishte në qendër të një trajnimi të organizuar nga Organizata Joqeveritare Dardanapress, në kuadër të projektit “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës”.
Trajnimi me temën “Roli i këshillave lokale në zhvillimin socio-ekonomik” kishte për qëllim fuqizimin e njohurive dhe avancimin e kapaciteteve të anëtarëve të këtyre strukturave lokale, me fokus në përgjegjësitë, rolin përfaqësues dhe mundësitë për ndikim më të drejtpërdrejtë në zhvillimin e komuniteteve.
Gjatë sesionit njëditor u diskutua rëndësia e këshillave lokale si ura lidhëse ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve komunale. Vëmendje e veçantë iu kushtua identifikimit të nevojave dhe prioriteteve të banorëve, adresimit të tyre tek institucionet lokale dhe përfshirjes aktive të komuniteteve në proceset e planifikimit dhe zhvillimit.
Në përfundim të trajnimit u evidentuan një sërë rekomandimesh, ndër të cilat rritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në dëgjimet publike, përfshirja e projekteve të këshillave lokale në buxhetin komunal dhe forcimi i komunikimit me qeverisjen lokale. Po ashtu, u kërkua trajtimi i kërkesave të këshillave brenda afateve të përcaktuara, funksionalizimi dhe pagesa e kryetarëve të këshillave lokale, sigurimi i hapësirave të punës dhe inventarizimi i tyre, si dhe zbatimi më i plotë i rregullores për funksionimin e këshillave lokale.
Në trajnim morën pjesë kryetarë të këshillave lokale, përfaqësues të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Diasporës, Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe mediave lokale.
Përmes këtij aktiviteti, Dardanapress synon të kontribuojë në fuqizimin e mekanizmave të pjesëmarrjes qytetare dhe në ndërtimin e një komunikimi më funksional ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve, në mënyrë që kërkesat dhe prioritetet e qytetarëve të kenë pasqyrim më të madh në politikat publike dhe proceset e zhvillimit socio-ekonomik të Komunës së Kamenicës.
Projekti “Promovimi i politikave të zhvillimit socio-ekonomik në Komunën e Kamenicës” është financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal./rajonipress/


