KKVITI

20 vjet të “Shotës”, rast për trokitje në ndërgjegjen e institucioneve

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

“Shota” do të vazhdojë edhe në të ardhmen nëse nuk pengohet nga vetë ne”, thotë drejtori i saj, Agron Bajrami, në 20 vjetorin e themelimit.

Të shtunën e kaluar, në Küttigen të kantonit Aargau është festuar 20 vjetori i themelimit të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit “Shota”. Ka qenë një periudhë me shumë sfida për shkollën, të cilat është dashur t`i përballojnë vetë themeluesit e saj. Si ndjehet tash, pas 20 viteve të punës, drejtori i SHSHV “Shota”, Agron Bajrami. A ka edhe më tutje energji dhe vullnet për të vazhduar? Pasi ka kaluar edhe një sprovë të lodhshme, atë të shënimit të 20 vjetorit, z. Bajrami, duke folur për albinfo.ch shprehet me një optimizëm të matur: “Ndjehem shumë mirë, edhe pse për të ardhur deri këtu, ka qenë një rrugë e gjatë dhe e mundimshme. Energjia dhe vullneti vazhdojnë të më mbajnë kur i shoh të gjithë ata të rinj dhe të reja që kanë dëshirë për të mësuar kërcimin shqiptar. Vullneti nuk më mungon por më mungon shteti!”, thotë ai, duke menduar në mbështetjen e munguar nga ana e shtetit.

Ka qenë viti 1993 kur Agron Bajrami, i ndihmuar kryesisht nga bashkëshortja e tij, Liria, ka sjellë në jetë Shkollën e Vallëzimit “Shota”, me seli në Aarau.

“Para vitit ‘93 ka qenë vetëm Shoqëria Kulturore “Luftëtarët e Lirisë” në kuadër të LPK të asaj kohe, që është marrë kryesisht me këngë dhe ku një kohë të gjatë unë i kam ushtruar vallet”, thotë Agroni. Ndryshe, në Kosovë ai ka qenë valltar në Ansamblin “Shota” dhe njëkohësisht koreograf në“Bajram Curri”, Prishtinë. “Kështu që kur kam ardhur në Zvicër kam pasur bagazh të mjaftueshëm për ta formuar një grup vallëzimi”.

Por, gjithçka në fillim i është dashur ta bëjë vetë, me ndihmën e familjes. “Më vonë, kur filluan nxënësit të inkuadrohen në Shkollën e Vallëzimit, filluan edhe disa prindër të ndihmojnë, kryesisht moralisht. Pastaj, kemi filluar me një strategji të re, me anë të anëtarësisë. Kështu, deri më tash “Shota” është vetorganizuar dhe vetëfinancuar”, thotë drejtori i “Shotës”. Ai sqaron se vetëm më vonë filluan sponsorimet. “Diku nga viti 2005 filluan të interesohen edhe sponsorët.

800 fëmijë e të të rinj, nga Shota “mësuan të ecin shqip”

“Falë pagesës së anëtarësisë që kemi aplikuar që nga paslufta, mbulesës së shpenzimeve që paguhen nga organizatorë të ndryshëm, por edhe falë sponsorit kryesor Fetaxid AG të biznesmenit Fehi Fetahu dhe disa donatorëve si “Kida Imobilien”, “Durmo Tours” etj, gjithashtu edhe falë investimeve personale, kemi mbijetuar deri sot, rithekson Bajrami. Ai u bën thirrje biznesmenëve shqiptarë që t`i ndihmojnë grupet kulturore në ato vende ku jetojnë dhe veprojnë “sepse secili grup muzikor apo vallëzues nuk e paraqet veten e vet por edhe të tjerët”.

Kështu, në këto kushte deri më sot nëpër SHSHV “Shota” kanë kaluar mbi 500 anëtarë në grupin e fëmijëve dhe të rriturve (pa i llogaritur edhe ata në grupe tjera të vallëzimit, që janë edhe mbi 300 të tjerë).

Uji Dea

“Të gjitha grupet, pa përjashtim, kanë luajtur një rol të madh për ruajtjen, zhvillimin dhe propagandimin e traditës kulturore tek brezi i ri këtu në perëndim, veçanërisht grupet me jetëgjatësi më të madhe”, thotë Agron Bajrami. Por përveç ruajtjes dhe bartjes tek brezi i ri, me rëndësi ka qenë edhe paraqitja e traditës edhe tek vendasit këtu në Zvicër dhe më gjerë, nënvizon ai.

Në këtë kuptim, ai, si sukses më të madh të deritashëm të ansamblit që udhëheq konsideron atë se “Shota” ka arritur t`i vetëdijesojë shqiptarët që të merren me vetveten ose, siç ka dëshirë ai ta përdorë një moto të Shotës “Të mësohemi të ecim shqip”. Pra sukses është që ajo i ka mësuar shqiptarët të ecin shqip, të lozin shqip, të këndojnë shqip dhe të vallëzojnë shqip. Më tutje, sukses yni është që “Shota” ka arritur ta ruaj dhe ta paraqesë traditën e kulturës në shumë qendra të ndryshme në nivele të larta, në televizionet zvicerane, në festivale, gjithandej nëpër Evropë. Por me rëndësi të veçantë është edhe pjesëmarrja e grupit të fëmijëve tanë që nga viti ‘97 në parakalimin me fëmijë në qytetin e Cyrihut, në festën tradicionale të qytetit”.

Siç u pa edhe në mbrëmjen festive të 20 vjetorit, “Shota” zhvillon bashkëpunim edhe me shoqëritë kulturore vendëse që kultivojnë folklorin. Një shoqëri e tillë nga Laufenthal-i shfaqi një program të pasur vallesh zvicerane me këtë rast.

“Shota” e Zvicrës, krahas bashkëpunimit me grupet shqiptare simotra ka bashkëpunim të mirë edhe me grupe zvicerane. Përveç me grupin e vallëzimit nga Laufenthali, bashkëpunim kemi pasur edhe me grupe tjera nga Rheinfelden në Aargau etj. Me to kemi organizuar edhe mbrëmje të përbashkëta kulturore.”

Të gjithë trumbetojnë por askush nuk ndihmon!

Tek flet për të ardhmen e “Shotës”, Bajrami, krahas besimit dhe shpresës, shpreh edhe mllefin me zhvillimet, sipas tij, dëshpëruese të pasluftës në atdhe, zhvillime të cilat prekin edhe aktivitetet në diasporë.

“Shota” do të jetë po e njëjta edhe në vitet e ardhshme po qe se nuk pengohet nga vetë ne. Më parë kemi thënë se nuk kemi shtet, e duhet të vetorganizohemi, duhet të vetëfinancohemi etj. E tash që kemi shtetin, duhet të bëjmë “vetëvrasje”. Armiku na luftoi, në vend dhe jashtë tij tash e shumë shekuj, por, që shteti ynë të na injorojë, kjo është e barabartë me vdekjen. Të gjithë trumbetojnë se duhet t`i hapim shkollat shqipe në mërgatë, duhet t`i stimulojmë grupet e vallëzimit, duhet të hapim qendra kulturore por mos na prekni aty ku nuk duhet (tek financat) sepse nuk ka buxhet… Kështu, ne duhet prapë të vetë financohemi. Por a thua këta ministra, dalin e shëtisin nëpër Evropë me vetëfinancim apo me paranë e popullit !? Kjo është një temë tjetër, me të cilën do të kisha pasur dëshirë të merremi ne, shqiptarët e mërgatës”.

Në shënimin e 20 vjetorit të “Shotës së Zvicrës”, në emrin e Ambasadës së Kosovës, ka folur Mustafë Xhemaili, ministër këshilltar, pastaj konsulli i Kosovës në Cyrih, Salih Sefa, studiuesi i folklorit, i ardhur nga Prishtina, dr. Zymber Neziraj, publicisti Ibish Neziri etj. Me këtë rast, individëve dhe grupeve të ndryshme u janë ndarë mirënjohje për mbështetjen e SHSHV “Shota” ndër vite./Blerim Shabani/albinfo/