ARKATANA

Maribor: Vret babë e bir nga Kosova, e pastaj edhe veten

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Sot në kohë të drekës, në qytetin verior të Sllovenisë Maribor mbretëroi gjendje e jashtëzakonshme, pas shkrepjes së armës së zjarrit dhe vdekjes së tre personave nga Kosova. Si transmeton KD shkrimin e edicionit online të gazetës Vecer, tragjedia ka ndodhur në shtëpinë e Abedin Shalës, ku gjendet edhe selia e ndërmarrjes së tij ndërtimore.

Sipas kësaj gazete, në shtëpinë e Shalës thuhet të ketë ardhur Milivoj Çuk, i punësuar në ndërmarrjen Fossor të Shalës, i cili një kohë ka qenë në pushim mjekësor.

Ai ka kërkuar t’i paguhet borxhi që pretendonte se ia kishte Abedin Shala, me ç’rast ka ndodhur fjalosja gjatë së cilës 55 vjeçari Çuk ka nxjerrë revolen dhe ka vrarë Abedinin dhe djalin e tij 28-vjeçar Gzim Shalën, kurse pas kësaj ka bërë vetëvrasje.

Të punësuarit në ndërmarrjen ndërtimore i kanë thënë gazetës së Mariborit se Shala nuk ka pasur kurrfarë borxhi, madje para ca kohësh borxhin ai ia ka kompensuar me një automjet të markës Jeep.

Hidromorava

Ndaj ndërmarrjes Fossor, e cila ka veprimtari ndërtimin e objekteve dhe infrastrukturës elektrike e telekomunikuese, në shkurt të vitit të kaluar janë aplikuar masa të marrjes së dhunshme të borxhit.

Sipas shënimeve të paraqitura, në vitin 2011 në këtë ndërmarrje private ishin të punësuar 50 punëtorë, vitin e kaluar 28, ndërsa sipas të dhënave të fundit vetëm 10 deri në 19 punëtorë.

Policia njoftoi se “në Maribor jemi duke u marrë me një ngjarje, për të cilën jemi informuar pak para orës 12:00, me ç’rast ka ndodhur përdorimi i dhunshëm i armës së zjarrit. Policia ka ndërmarrë masat përkatëse për sigurimin e objektit, ku kanë ndodhur të shtënat, mirëpo përdoruesi i armës ende nuk është kapur”.

Raportohet se në ndërkohë situata është nën kontroll dhe se nuk ka rrezik për banorët përreth.