Dënohen të miturit për dhunim të të miturës
Nga 14 të përfshirët në dhunë, 5 kanë qenë me prejardhje nga Kosova, 2 zviceranë, 1 nga Bosnja, 3 nga Serbia dhe 3 nga Maqedonia
Rasti i sulmeve seksuale të kryera për një periudhë të gjatë kohore nga 14 të mitur ndaj një vajze 14 vjeçare në Rieden, ka marrë epilogun e tij gjyqësor. Gjykata për të rinj e Lucernit u ka shqiptuar dënimet përkatëse gjashtë personave të konsideruar si udhëheqës të grupit dhunues. Ata janë ndëshkuar me dënime me kusht prej katër deri në 11 muaj.
Veç kësaj ata duhet të marrin terapi ambulante. Dënimet janë të plotfuqishme. Dënimi maksimal për të rinjtë e kësaj moshe do të ishte një vjet burg. Ata gjatë kohës për të cilën dënohen kanë qenë në moshën mes të 14 dhe 15 vjeç.
Nga 14 të përfshirët në dhunë, 5 kanë qenë me prejardhje nga Kosova, 2 zviceranë, 1 nga Bosnja, 3 nga Serbia dhe 3 nga Maqedonia.
Ndërsa ende nuk është përmbyllur procedura civile ndaj të miturve, në bazë të së cilës ata do të detyrohen të paguajnë dëmshpërblim vajzës së dhunuar, shkruan nzz.ch.
Gjashtë personat e dënuar janë gjetur fajtorë për ushtrimin e detyrimit të shumëfishtë e të përbashkët seksual. Dy prej këtyre të miturve janë dënuar veç kësaj edhe për përdhunim ndërsa një tjetër për tentim përdhunimi.
Dhuna seksuale ndaj vajzës ishte kryer në mes të 1 tetorit 2010 dhe 15 nëntorit 2011. Të dënuarit e kishin vënë viktimën nën presion psikik dhe fizik duke e detyruar të kryente veprime seksuale. Në njërin nga rastet ata kishin xhiruar aktin tyre.
Vajza e dhunuar kishte paraqitur dhunën para punëtores sociale të shkollës.
Gjithsseej në veprimet e dhunshme ndaj vajzës kishin qenë të përfshirë 14 të mitur. Prokuroria për të mitur i kishte dënuar në fillim të vitit tetë prej tyre me njësi pune dhe me burg me kusht./albinfo/


