Fundamenti

Hashim Thaçi, në depresion politik

/ 11 minuta lexim
ARKATANA

Nga Reshat Sahitaj – Çdo ditë që po kalonte, Hashim Thaçi po e forconte idenë e themelimit të ushtrisë sonë, dhe nga deklaratat e tij linte të nënkuptohej se ai ishte konsultuar me SHBA-në dhe puna ishte e përfunduar. Nëse Hashim Thaçi qenka konsultuar me partnerët tanë, si SHBA-ja dhe BE-ja, ministrave e deputetëve tanë nuk u mbetej gjë tjetër, veçse të nënshkruanin se pajtoheshin.

Ditët e ftohta të marsit i bëri të nxehta Hashim Thaçi, duke i premtuar popullit tonë se Kosova do ta krijonte ushtrinë që, sipas tij, nuk ka asnjë forcë që t’ia ndërpriste këtë iniciativë patriotike, e më shumë historike dhe vitale për vendin tonë. Në këtë proces, Hashim Thaçi ishte i bindur se askush nga opozita, e madje as vetë Albin Kurti nuk do të kishte guxim ta kundërshtonte krijimin e ushtrisë, sepse kushdo që do ta kundërshtonte do të etiketohej spiun i Rusisë (siç është bërë aktuale ky etiketim kohëve të fundit), ose tradhtar i kombit dhe interesave të popullit.

I sigurt në iniciativën e tij që kundërshtarët politikë i kishte vënë në mat pozicion, Hashim Thaçi u ekzaltua dhe jepte deklarata pompoze: Ushtrinë time do ta bëj, madje në këtë lojë qesharake e kishte futur edhe Suzana Tahirin, të dashurën e djalit te tij, të shkruante në statusin e saj në FB: “Ushtrinë do ta bëj me Hashim Thaçin dhe pikë”, e gjora ende nuk ka mësuar të shkruajë shqip pa gabime. Entuziazmit për themelimit e ushtrisë sonë, iu bashkëngjitën militantët partiakë dhe disa liderë servilë, pa logjikuar si bëhet dhe çka duhet bërë që kjo iniciativë të jetësohej. Liderët servilë, si çdo herë edhe kësaj here, ishin të zëshëm dhe i dhanë përkrahje lidershipit të tyre që të vazhdonte në rrugën e tij, të bindur apo ndoshta të trullosur, menduan se ia kishin hedhur Isa Mustafës, Ramushit e Albinit, ngase historia do t’i hapte dyert vetëm për këta, e do t’i linte pas dere të gjithë të tjerët.

Nuk shkojmë në NATO me shoqata gjuetarësh Më 17 mars 2017, Hashim Thaçi tanimë i bindur se pas tij kishte servilët partiakë që ia rrihnin shpatullat, të cilët i konsideronte si ushtarë, por të veshur me kostume e kravatë, e të gatshëm për të zhvatur buxhetin e varfër të Kosovës, e fitoi vetëbesimin se çdo gjë po i shkonte sipas dëshirës dhe pa pengesa, andaj ngriti zërin duke thënë: “Nuk shkojmë në NATO me shoqatën e gjuetarëve apo peshkatarëve, por me ushtri”. Kjo ishte një deklaratë shumë e qëlluar, që në fakt NATO nuk i grumbullon shoqatat e peshkatarëve, por ushtri të rregullta të shteteve. Më këtë potez Hashimi ua bëri me dije kundërshtarëve politikë se ju mund te krijoni shoqata të peshkatarëve e gjuetarësh për të cilët po kërkoni subvencione nga Qeveria, e unë po e krijoj ushtrinë time si dikur UÇKnë pa e pyetur askënd. Kundërshtarët e Hashimit mbetën të mahnitur se si kryetari ynë i Kosovës po përdor fakte të pakontestueshme që askush nuk po guxonte t’ia kundërshtonte, sepse nuk mbetej hapësirë për t’iu kundërvënë me argumente që deklarata e tij të hidhej. Jo. Fakt, në NATO nuk anëtarësoheshin më shoqata të peshkatarëve, andaj duhej patjetër të përkrahej kjo iniciativë kombëtare, pavarësisht se dikur tjetërkush ishte iniciator. Inate kishte sa duash, por kundërshtarët vendosën të heshtin para se t’u vihej etiketa spiun i Rusisë. Në një tryezë diskutimi të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në lidhje me procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës, presidenti Thaçi theksoi: “Unë si president e kam për detyrë që të sigurohem që Kosova të thellojë bashkëpunimin me NATO-n, sepse anëtarësimi në këtë organizatë ushtarake është qëllimi thelbësor i yni, për më tepër e kam për detyrë që të thelloj bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, sepse vetë ekzistenca dhe funksionimi i shtetit tonë është rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta”.

Çdo ditë që po kalonte, Hashim Thaçi po e forconte idenë e themelimit të ushtrisë sonë, dhe nga deklaratat e tij linte të nënkuptohej se ai ishte konsultuar me SHBA-në dhe puna ishte e përfunduar. Nëse Hashim Thaçi qenka konsultuar më partnerët tanë, si SHBA-ja dhe BE-ja ministrave e deputetëve tanë nuk u mbetej gjë tjetër veçse të nënshkruanin se pajtoheshin. Cili lider ka guxim ta kundërshtonte SHBA-në?! Asnjëri, përveç Albin Kurtit, i cili kur ka interes politik dhe personal e gjuan ambasadorin e Amerikës me vezë, siç e bënte dikur, e kur përsëri ia do interesi Albini e Visari thonë: “Qe edhe Amerika është kundër Thaçit”. Pas “fitores” së brendshme, Hashimi Thaçi për të qenë edhe më i bindur në opinionin tonë, përmes televizionit “Alsat” filloi ta kundërshtonte Vuçiqin dhe tha: “Vuçiq mund të bëjë fushatë në Serbi edhe t’i fitojë zgjedhjet, por ushtria e Kosovës do të themelohet”. Madje, i trimëruar nga heshtja e kundërshtarëve shkoi në Graçanicë dhe u tha gazetarëve të atjeshëm për vendosmërinë e tij mbi krijimin e ushtrisë.

Darkat dhe hareja në “Gizi” nuk kishin të sosur nga sejmenët dhe Presidenti, ku i komentonin thashethemet me të qeshura të harlisura, derisa zëri i Stoltenbergut nga receptori i telefonit i tha: “Nuk ka ushtri pa ndryshimin e Kushtetutës” , i cili zë ngriu të qeshurat e të pranishmëve në “Gizi” dhe kudo që u ndodhën militantët, servilët dhe të padëgjueshmit e ligjeve kosovare. Pas kundërshtimit të Stoltenbergut, dhe pas deklaratës publike të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, ëndrra për krijimin e ushtrisë u zbehë. Këto dy deklarata dhe dy kundërshtime, se nuk mund të krijonim ushtri pa ndryshime të Kushtetutës, e demoralizuan presidentin tonë, i cili kishte menduar dhe vepruar sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, ta krijonte ushtrinë dhe komunitetin ndërkombëtar ta vinte para aktit të kryer. Hashim Thaçi ka harruar se ka përfunduar koha e Kanunit dhe koha e themelimit të UÇK-së që fillimisht ndërkombë- tarët e quanin ushtri rebele e pastaj me takimet dhe ardhjen e Hollbrukut u ndryshua koncepti mbi UÇK-në, sepse ishte edhe në interes të shteteve perëndimore.

Uji Dea

Hashim Thaçi kishte shkuar aq larg dhe tepër bindshëm se ushtria do bëhej sipas propozimit të tij dhe dokumentit që solemnisht ia dorë- zoi Kadri Veselit, por vizita në Kosovë e Zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, ishte fundi që Hashimit ia përmbysi krenarinë dhe e futi në depresion. Po të ishte çdo gjë në rregull Hashim do të jepte dorëheqje, siç kishte premtuar, por si mund të jepte dorëheqje nga posti që e kishte ëndërruar?

Kthimi i Hashimit te Lista Serbe Brian Yee ishte ai që Hashimit ia theu shpresat për krijimin e ushtrisë sipas dëshirave individuale. Premtimet boshe, sterile, të kota e të papërgjegjshme, në kushte normale do ta detyronin Hashimin të jepte dorëheqje nga posti i kryetarit, mirëpo Hashim Thaçi si pehlivan që është (siç e quan Adem Demaçi), do të shpërthejë menjëherë për të gjetur rrugë tjetër për të tentuar të mos e humbë dinjitetin. Në këtë ekspeditë, kryetari ynë do të deklarojë se partnerët tanë që na çliruan do të flasin me serbët dhe ushtrinë do ta bëjë dhe pikë. Në anën tjetër, do të fillojë negociatat më Listën Serbe, që të kthehen në Kuvend. Serbët me konsulta paraprake me Beogradin, u kthyen në Kuvend dhe natyrisht ata do të kërkojnë të realizohen kërkesat e tyre, e veç- mas “Zajednica”

Krijimi i “Zajednicës” dhe i ushtrisë me pajtim të Listës Serbe është humbja e Kosovës Në momentet vendimtare, kur vendoset për fatin e tyre, serbët u kthehen institucioneve të Kosovës. Në rastin aktual, serbët janë kthyer për t’i krijuar kushte komode interesave të tyre përmes kërkesave shpeshherë absurde, por të pranueshme nga pala shqiptare e kastës politike. Çdo qytetar i Kosovës e di se serbët në Kosovë gëzojnë të drejta më shumë se që kanë gëzuar në kohën e Milosheviqit. Kjo mund të ilustrohet me shumë raste, por rasti më i freskët që po ndodh këto ditë është gjykimi i një zyrtari të Komunës së Gjakovës për të cilin kërkohet dënim vetëm pse paska pyetur dhe është interesuar për fatin e të zhdukurve, e në mesin e tyre gjendet edhe babai i të akuzuarit. Këtë zyrtar njëlloj do ta kishte akuzuar edhe Milosheviqi me ligjet kur Kosovës ia hoqi autonominë në marsin e vitit 1989.

Pra, çfarë dëshiron Hashim Thaçi tani nga deputetët e Listës Serbe, që të pajtohen me krijimin e ushtrisë?! Lista Serbe do të pajtohen për themelimin e ushtrisë, por kushtet e tyre do të jenë aq katastrofike për të ardhmen tonë, saqë më mirë të qëndrojmë pa ushtri sesa ushtri me kushtëzime nga Serbia. Kushtëzimi i parë i Listës Serbe do të jetë: Ministri shqiptar, por zëvendësministri serb, numri i ushtarëve serbë në ushtri, një gjeneral serb që merr urdhra nga Beogradi etj. Pastaj ata do kërkojnë të aplikohet marrëveshja e Brukselit për themelimin e “Zajednicës”, e jo kundërshtimet në pika të vendosura nga Gjykata Kushtetuese. Krijimi i “Zajednicës” sipas marrëveshjes se Edita Tahirit në Bruksel, është e barabartë me krijimin e një mini- Serbie në zemër të Kosovës. Andaj ushtria jonë në pajtim më Listën Serbe, do të ishte vetëvrasje, ose më mirë me u shpreh, kjo ushtri do të ishte e përdorshme për katastrofa natyrale si zjarri, uji, tërmeti dhe për asgjë tjetër.

Mirëpo, kjo gjë nuk i intereson Hashim Thaçit , se çfarë pasoja do të kemi më vonë, për të me rëndësi është që fjala e tij të zërë vend dhe se iniciativa e tij të konkretizohet. Do të ishte më efektive që tërë potenciali politik shqiptar të përqendrohej në krijimin e kushteve të mira të popullit tonë dhe që çdo serb i Kosovës të njohë Republikën e Kosovës e jo që ata të marrin paga të majme nga buxheti ynë e direktivat t’i marrin nga Serbia. Është e pamundur të krijohet një shtet i Kosovës, Kosovës stabile derisa serbët në Kosovë nuk e njohin shtetin e Kosovës, nuk e njohin flamurin, gjuhën e as ligjet e Kosovës.

Serbët e Kosovës janë qytetarë tanë dhe si të tillë ata duhet të respektojnë ligjet tona, njëlloj siç i respektojnë pakica shqiptare në Serbi, në Maqedoni e në Mal të Zi. Nëse serbët e Kosovës vazhdojnë të jenë të përkëdhelurit e Hashim Thaçit dhe nga klasës politike shqiptare, Kosova kurrë nuk do të bëhet faktor i stabilitetit, por gjithnjë serbët do të gjejnë pretekst për çrregullime të reja. Andaj në këtë kontekst, Hashim Thaçi mund të krijojë ushtri, por kjo ushtri do të mbetët vetëm si emër e jo për interesa madhore kombëtare. Çdo shqiptar është për krijimin e ushtrisë sonë, por asnjë shqiptar nuk është që të krijohet një ushtri, ku pa pëlqimin e gjeneralit serb, asgjë nuk guxohet të ndërmerret. Nëse ushtria këmbehet me “Zajednicën” , më mirë të mos kemi as ushtri, e as “Zajednicë”