Epoka e Ramës
Nga Ibrahim Rexhepi – Nuk duhet dyshuar në seriozitetin e vizionit të Edi Ramës. Tash duhet pritur që atij t’i bashkëngjitet edhe Prishtina zyrtare.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk kishte ardhur në Kosovë vetëm për kurtuazi, apo sa për t’iu treguar vëllezërve në këtë anë të kufirit se nuk i ka harruar, ose që në ditët e para të punës së tij si i pari qeverisë shqiptare të respektojë një zakon të pashkruar, që të nderojë komandantin legjendar Adem Jashari dhe presidentin e parë të Kosovës- Ibrahim Rugova.
Ndonëse përmbushi edhe këtë pjesë të protokollit, vizita e Edi Ramës në Prishtinë do të mbahet në mend për ofertën konkrete që kishte për Qeverinë e Kosovës dhe për qasje krejtësisht ndryshe në ndërtimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Këto raporte, nëse këtë qasje e pranon edhe Qeveria e Kosovës do të zhvillohen në rrethana krejtësisht tjera, ku “kufiri është një vijë në mes shteteve”, apo ku “e ardhmja s’ka kufi” .
Ndonëse gjërat e thëna në Prishtinë kërkojnë analiza shumë më të thella, madje edhe kohë, hapi më i rëndësishëm do të ndodhë në takimin e të dy qeverive, në nëntor në Prizren. Takimi do të jetë i dështuar nëse mbahet vetëm për shkak të rëndësisë historike, ose për shkak të vlerave kulturore të Prizrenit. Mirëpo, kryeministri Rama la të kuptohet se bëhet fjalë për një mbledhje operative, ku mund të pritet shpalosja e ideve e projekteve dhe marrja e vendimeve. Ndoshta jo në takimin e parë, por në ata që pasojnë, meqenëse kjo formë e punës së qeverive do të jetë e përhershme dhe operative.
Këtu qëndron edhe përparësia në krahasim me mënyrën e punës së mëhershme. Asnjëherë nuk kanë munguar takimet ndërmjet kryeministrave, apo e ministrave sektorial, përqafimet dhe shtrëngimi i duarve. Mirëpo, pos deklaratave për media nuk ka pasur vendime të tjera, të cilat do të dëshmonin për takimet përmbajtësore dhe me rëndësi për qytetarët në të dyja anët e kufirit. Kjo mënyrë e sjelljes thellonte bindjen se mungon vizioni i qartë se çfarë të bëhet me vijën kufitare, tregun unik, apo bashkimin kombëtar. Kishte plot emocione e eufori. Tani e tutje do të ketë një mënyrë tjetër të punës, të dizajnuar nga Edi Rama. Në mbledhjet e përbashkëta do të merren vendime dhe do të kërkohet llogaridhënie.
Sado që mund të ketë huti rreth mënyrës së punës , duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me dy shtet, dy qeveri, dy kushtetuta dhe dy sisteme, të cilat funksionojnë në mënyrë autonome. Çështja është shumë e thjeshtë dhe praktike. Vendimet merren nga të dy qeveritë, nënshkruhen nga të dy ministrat dhe secili prej tij merr obligimin për implementimin tyre. Do të thotë se pas Prizrenit, puna zhvillohet në Tiranë dhe në Prishtinë, ku sërish veprohet në mënyrë autonome, por në përputhje me qëndrimet e përbashkëta. Sipas nevojës, themelohen edhe trupat e përbashkët.
Sipas asaj që u dëgjua në Prishtinë, nuk duket se kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është shumë i entuziazmuar nga ideja për takime të përbashkëta. Ai këtë fakt nuk e zuri asnjëherë në gojë. Se ka pajtueshmëri ndërmjet dy kryeministrave këtë e potencoi vetëm kryeministri i Shqipërisë. Mirëpo, në esencë kryeministri Hashim Thaci dhe i tërë kabineti qeveritar i tij asnjëherë nuk kanë manifestuar papajtueshmërinë me idenë për tejkalimin e problemeve që paraqiten në kufi, apo për zhvillimin projekteve me interes të përbashkët. Ndërkaq, veprimet demantuan këtë gatishmëri. Ndodhi rasti i patates, pastaj e çimentos, i qumështit e i mishit, i grurit e i miellit…
Të gjitha këto nuk kanë vetëm një fajtor, por dy- një në Tiranë dhe një në Prishtinë. Që të gjitha vendimet, kundërshtimet, apo “mini luftërat tregtare” kishin vulën e shtetit. Kjo nuk duhet të jetë arsyeja që ideja e Ramës të merret me rezervë, meqenëse e kaluara duhet t’i mbetet historisë, ndërsa ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë fillon një kaptinë e re. Po ashtu, deri në nëntor Qeveria e Kosovës do të heq nga agjenda shumë probleme që e kanë ngarkuar deri më tani, si zgjedhjet lokale dhe dialogu me Serbinë.
Temat e përmendura në fjalën e Ramës janë mjaft serioze. Së pari është bashkimi doganor. Ide e mirë dhe e pëlqyeshme, por nuk është zbërtyer deri në fund. Mbetet që grupet operative e profesionale të tregojnë mënyrën se krijimit të këtij sistemi, pastaj kostot që duhet të paguhen, meqenëse kjo nuk mund të kaloj pa implikime financiare në buxhetet e të dyja shteteve, si edhe duhet analizuar raportin e tij me CEFTA-n. E vërteta tjetër është se të dy qeverive iu duhen para, asaj në Tiranë për shkak të jolikuiditetit që ka trashëguar, kurse kësaj në Prishtinë, për financimin mega-projekteve.
Çështjet e tjera implementohen më lehtë, posaçërisht kur bëhet fjalë për bujqësinë dhe ushqimet. Duhet vetëm përpilimi i listave të artikujve dhe shqyrtimi i mundësive që boshllëqet në treg të mbulohen duke shfrytëzuar potencialet në Kosovë dhe në Shqipëri. Kjo kërkon qasje krejtësisht të re, e jo monopole dhe konkurrencë të pandershme. Pa dyshim se në emër të patriotizmit nuk guxon të rrezikohet interesi i biznesit, e as të lejohet që qeveritë të fusin hundët në biznes, meqenëse cenohet tregu i lirë. E kaluara dëshmon për dështimet e mëdha në shkëmbimin e artikujve bujqësor dhe për ushqim. Vjet vetëm dhjetë për qind të eksportit të këtyre artikujve u realizua në Shqipëri, ndërsa në importe ky vend merr pjesë vetëm 0,3 për qind.
Pra, mundësitë janë të mëdha, por duhet një qasje tjetër. Këtë tash po e dizajnon Edi Rama, prandaj është e arsyeshme të thuhet se ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë po nisë një epokë e re, e liruar nga emocionet dhe nacionalizmi romantik.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna)


