Eko Higjiena

Përfshirje e pamjaftueshme e nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Vetëm institucionalizimi i mësimit plotësues në diasporë do të mundësojë përfshirje të kënaqshme të fëmijëve në shkollën shqipe.

Si çdo vit, edhe këtë vit shkollor mësimi plotësues në gjuhën shqipe filloi me kohë në të gjitha shkollat ku mbahet ky mësim në Zvicër, por jo me numër të mjaftueshëm të nxënësve.

Për sensibilizimin e prindërve shqiptarë që t’i dërgojnë fëmijët e tyre për të mësuar shqipen, LAPSH-i në Zvicër ka lansuar të paktën në videoklip që po emitohet në televizion.

Me vite numri i nxënësve shqiptarë nuk kalon më shumë se 3 mijë në tërë Zvicrën.

Shifër kjo që është shumë e vogël krahasuar me numrin e nxënësve shqiptarë që ndjekin mësimin në shkollat e vendit, e si gjuhë amtare e kanë deklaruar gjuhën shqipe.

“Në Zvicër thuhet se ka mbi 250 mijë shqiptarë dhe nëse një e treta e tyre janë fëmijë, atëherë ku janë edhe 80 mijë të tjerë? Problemi financiar nuk është në Gjenevë, por numri i nxënësve nuk ka shënuar rritje”, thotë për albinfo.ch Agim Paçarizi, anëtar nderi i LAPSH-it për Gjenevë dhe kryetar i shoqatës “Rrethi Shqiptar Merinas” në Meyrin-Gjenevë.

Paçarizi, i cili ishte kryetar i LAPSH-it për Gjenevë deri më 2012, këto shqetësime i kishte paraqitur edhe në seminarin e mësimdhënësve në Ulqin që ishte mbajtur gjatë verës.

Edhe në kantonin e St. Gallenit dhe Glarusit viti shkollor nisi me numrin e nxënësve që nuk është edhe aq i kënaqshëm.

Në disa pika shkollore ka një rënie të lehtë, kurse në disa të tjera një ngritje të vogël.

Për mësimdhënësin Vaxhid Sejdiu, i cili është edhe kryetar i Këshillit të arsimtarëve të St. Gallenit dhe të Glarusit, ky numër në krahasim me numrin e nxënësve shqiptarë që vijojnë mësimet në shkollën e vendit në nivel kantoni është i pakënaqshëm, sepse nuk e mbërrin as 10-përqindëshin.

Sa u përket kushteve në nivel të kantonit të St. Gallenit, një mirënjohje shkon drejt shkollave zvicerane, të cilat ofrojnë klasat për mësim plotësues në gjuhën shqipe.

Vetëdija e prindërve është nën çdo nivel

“Bashkëpunimi me institucionet shkollore të vendit është në nivel, por vetëdija e prindërve shqiptarë për t’i dërguar fëmijët në shkollën shqipe dhe për ta mësuar gjuhën e nënës është nën çdo nivel, gjë që dëshmohet edhe në praktikë, ku një numër i madh i fëmijëve shqiptarë tashmë kanë filluar ta harrojnë gjuhën amtare”, thotë mësuesi Vaxhid Sejdiu.

Megjithatë, krahasuar me kontonet e tjera të Zvicrës, shpresëdhënëse janë të dhënat ku tregojnë se janë 423 nxënës që do të vijojnë mësimin e shqipes këtë vit shkollor në 17 komunat e kantonit St. Gallen.

Në kantonin e Glarusit viti shkollor ka filluar me 83 nxënës, sipas informacioneve nga mbledhja e fundit në nivel kantonal pritet që ky numër të rritet.

ARKATANA

Mësimi në këtë kanton zhvillohet në pikat shkollore në Niederurnen, Mitlödi, Netstal dhe Glarus.

Vaudi, pa asnjë ndihmë nga shtetet e prejardhjes, ashtu edhe nga shteti mikpritës

Edhe në kantonin e Vaud-it deri më tani numri i nxënësve që vijojnë mësimin e gjuhës amtare nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar.

Madje, edhe rrethanat në të cilat zhvillohet mësimi kanë mbetur të njëjta.

“Mësimi organizohet dhe zhvillohet falë punës vullnetare të shumë aktivistëve të LAPSH-it, pa asnjë ndihmë organizative apo financiare si nga ana e shteteve të prejardhjes, ashtu edhe nga shteti mikpritës”, thotë për albinfo.ch Isni Idrizi nga LAPSH “Naim Frashëri” në Lozanë.

Kosova dhe Shqipëria vitin e kaluar kishte ofruar ndihmë në formë të materialeve mësimore, por edhe atë në një numër jo aq të madh sa ishin nevojat për nxënësit.

“Ndërsa nga shteti mikpritës, pos lokaleve shkollore (diku falas, por jo edhe aq të përshtatshme) që i japin komunat, nuk ka ndonjë ndihmë tjetër. Është interesante të ceket se në këtë aspekt, sipas analizave të bëra nga vetë CDIP, kantoni i Vaud-it është më konservativi në Zvicër”, thekson koordinatori i LAPSH “Naim Frashëri” për kantonin Vaud.

Për të njohur bashkatdhetarët tanë me shkollën shqipe janë ndërmarrë nga aktivistët e shkollave shqipe nëpër komuna të kantonit të Vaudit aktivitete në forma të ndryshme, siç janë bisedat me prindër, me drejtorët e shkollave ku mbahet mësimi apo shpërndarja e afisheve dhe fletëregjistrimeve të ndryshme.

“Po e përmend rastin e Lozanës dhe rrethinës së saj, ku për këtë vit janë përgatitur 4000 afishe dhe fletëregjistrime dhe të njëjtat janë dërguar nëpër të gjitha qendrat shkollore të Lozanës dhe komunave të tjera përreth saj”, tregon Idrizi për aktivitetet për të sensibilizuar prindërit që t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe.

Edhe manifestimet shkollore që organizohen rregullisht në kantonin e Vaud-it dhe në pjesë të tjera të Zvicrës për nder të festave kombëtare janë një formë e propagandimit të shkollës shqipe.

Këtë vit mësimi plotësues në kuadër të LAPSH “Naim Frashëri” organizohet në këto komuna të Kantonit të Vaudit: Lozanë, Crissier, Moudon, Rolle, Nyon, Morges dhe Yverdon.

Sido që të jetë, derisa mësimdhënësit të gjejnë zgjidhjen e përfshirjes më të madhe të fëmijëve shqiptarë në shkollat shqipe, procesi mësimor në gjuhën shqipe do të organizohet edhe sivjet me ata pak nxënës në 16 kantone të Zvicrës.

Në 216 klasa do të punojnë 80 mësimdhënës.

Ndërsa për mundësinë e institucionalizimit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe deri tani nuk ka ndonjë sinjal nga Prishtina./albinfo/