Fundamenti

Këmbët e Arushës

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Milaim Shefkiu – Një qytetar, duke kaluar nëpër një rrugë malore, ndeshet me një arushë. Sa po e sheh shtazën, fillon të ikë, ndërsa arusha i vihet pas. Afër një druri, qytetari e kap arushën për këmbët e para, dhe bërtet ndihmë!. Atypari kalon një malësor me sëpatë në krah dhe kur e sheh qytetari i rrezikuar, i thotë: – Bjeri sëpatë, se më fshiu!

Malësori i thotë se nuk mundet sepse nuk ka guxim. Atëherë qytetari i thotë, kapja këmbët arushës, se unë e rregulloj. Por, në kohën kur malësori ia kap këmbët arushës, qytetari me sëpatë krahut, ikë me vrap, duk ia lënë malësorit këmbët e arushës në duar. Dhe sipas këtij tregimi del metafora: “Me t’i lënë këmbët e arushës në duar”.

Ky proverb lidhet më së mirë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilit i “ra” hise për të vendosur për logon në fletëvotime.

Duke i mbetur barra institucionale, për një çështje që konsiderohet tepër e ndjeshme, KQZ vendosi që në fletëvotimet të mos shkruhet Republika e Kosovës, sepse po irritohen serbët e veriut, dhe rrjedhimisht nga mosdalja e tyre në zgjedhje, po rrezikohet marrëveshja e 19 prillit. U tha se fletëvotimet do të kenë vetëm logon e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që erdhi si solucion për t’i bindur serbo-veriorët që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Por, a është kjo parimore dhe a ka logjikë që t’u bëhen sërish lëshime serbëve, që për hatër të tyre të fshihet Republika nga fletëvotimi, e bashkë me të të fshihet edhe simbolika e shtetit të Kosovës.

Njëherë u vendos që të lëshohet pe në Bruksel, që Republikës së Kosovës t’i vendoset një yll (asterisk) ku do të shkruhet 1244 dhe GJND. Po ashtu u lëshua pe që për serbët e veriut të formohet një fond i veçantë me idenë që ky rajon të zhvillohet sa më shumë ekonomikisht. Gjithashtu Prishtina u dorëzua kur lejoi formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke iu mundësuar serbëve të krijojnë një autonomi brenda Kosovës. Prishtina lëshoi pe edhe një herë duke i amnistuar të gjithë serbët që kanë kundërshtuar dhe sfiduar Kosovën për 14 vjetet me radhë.

Ndërsa një lëshim tjetër po ashtu ndodhi disa muaj më parë, duke iu mundësuar serbëve në veri që të fusin mallra në Kosovë pa taksa doganore deri në peshën 3.5 tonë.

ARKATANA

Pardje, ndodhi edhe lëshimi i fundit duke hequr simbolin shtetëror nga fletëvotimet. Brenda një viti kanë ndodhur disa lëshime në raport me serbët e veriut dhe me vetë Beogradin.

Pyetja e secilit qytetar do të ishte: se edhe sa herë Prishtina zyrtare duhet të lëshojë pe për hatër të serbëve dhe integrimit të tyre?
Nëse integrimi është për të mirën e serbëve, atëherë “n’t’samës” le të shkojnë serbët me gjithë ndërkombëtarët. Nëse duhet të hiqen simbolet, sepse serbët nuk po e njohin shtetin e Kosovës, atëherë në cilin shtet po integrohen ata, në Kosovë apo në Serbi. Këtu nuk ka standarde të dyfishta, “edhe dua të integrohem, por nuk e njoh shtetin e Kosovës”.

Nëse serbët e veriut dhe Beogradi nuk e njohin shtetin e Kosovës, si diçka e kryer, atëherë pyetja tjetër është, se çfarë logjike ka funksionimi i marrëveshjes së Brukselit, e cila në substancë ka institucionalizimin e veriut brenda Prishtinës. Pra, brenda Prishtinës i bie brenda shtetit të Kosovës që në realitet del diçka tjetër.

E kur të analizohen të gjitha këto, siç thotë Rexhep Qosja, “pizevengje”, atëherë del se për çështjen e logos në fletëvotime nuk mund të marrë vendim KQZ-ja, por institucionet e shtetit të Kosovës.

Këtu KQZ-së i kanë mbetur “këmbët e arushës”, ndërsa kontribut për heqjen e simboleve kanë dhënë edhe ndërkombëtarët. Kjo u pa hapur, kur pas vendimit të KQZ-së doli në mbështetje ambasada e SHBA-së, e cila përshëndeti vendimin e KQZ-së. A është fer kjo… natyrisht se jo.

Sepse në vendet e rajonit simbolet shtetërore janë të padiskutueshme në fletëvotime, siç është rasti në zgjedhjet në Maqedoni dhe në Serbi. Nëse në rajon simbolet konsiderohen të natyrshme, pse në Kosovë janë problematike. Kjo është pafytyrësi.