Uji Dea

Mos e shitni tokën

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Ibrahim Rexhepi – Kuvendi i Kosovës duhet të ndërhyjë në ligjin për AKP-në dhe të bllokojë shitjen e tokave bujqësore, të evidentuara si pasuri shoqërore, ndërsa, menjëherë të nisë procedurën për kompletimin e pakos ligjore që ka të bëjë për restituimin.

Rasti i shitjes së një toke bujqësore prej më shumë se 103 hektarë në fshatin Slivovë të Ferizajt dëshmon se sa të ngatërruara janë evidencat rreth pronësisë, e njëkohësisht sa e pa kompromis është Agjencia Kosovare e Privatizimit, kur është në pyetje pasuria, e cila në janar të vitit 1989 ka qenë e evidentuar si pronë shoqërore.

Te rasti në Slivovë nuk ka ndonjë kontest pronësorë, por krejt problemi qëndron në faktin se në këtë pasuri kurrë nuk është mbjellë gruri apo ndonjë kulturë tjetër bujqësore, por ajo është mal, prej nga disa fshatra për rreth, për shumë e shumë kohë janë furnizuar me dru. Mirëpo, ajo, çuditërisht në letrat e gjykatave dhe të kadastrit qenka e evidentuar si pronë shoqërore, madje tokë bujqësore, dhe sipas mandatit që ka AKP-ja, atë mund edhe ta shesë. Nga ana tjetër, sipas Kushtetutës, pyjet janë pasuri kombëtare dhe ndaj tyre nuk mund të aplikohet asnjë transaksion që mund t’ua ndryshojë statusin pronësorë. Në situatë të caktuar, ato mund të jepen në shfrytëzim për qëllime dhe në kushte të caktuara.

Në këtë rast, por edhe kur u shitën disa dhjetëra mija hektarë tokë bujqësore, fajin më të vogël e ka AKP-ja. Ajo nuk ka bërë asgjë më shumë, pos që ka zbatuar ligjin, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ndërkaq, ai ligj është i keq. Jo vetëm tash, por prej momentit kur në Kosovë filloi procesi i privatizimit, që atëherë bëhej përmes rregulloreve të UNMIK-ut. Ai i jep mandat të plotë AKP-së që të shes, apo të likuidojë gjithçka që deri në vitin 1989 ka qenë e evidentuar si pronë shoqërore. Pa marrë parasysh nëse ajo është e kontestuar, apo ka pretendentë që janë të gatshëm ta vërtetojnë të drejtën në këtë pronë. Kur është në pyetje toka bujqësore , gjërat paksa ndryshojnë, sado që në esencë problemi mbetet gati se i njëjtë. Ato nuk shiten, por jepen në shfrytëzim për 99 vjet, ku shfrytëzuesi ka të gjitha të drejtat pronësore. Do të thotë, atij nuk mund t’i kontestohet blerja nëse ka nënshkruar kontratë me shitësin – AKP-në. Ndërkaq, ata që thonë se kemi tapitë, mund të kënaqen vetëm për të hyrë në një proces gjyqësorë të komplikuar, ku mund të fitojnë të drejtën për kompensim, e jo që ta kthejnë pronën. Madje, asgjë nuk ndryshon edhe nëse vërtetohet e drejta e tyre pronësore- ai nuk mund të kthehet në pronën e vet. Një padrejtësi shumë e madhe!

KKVITI

Në këtë rrafsh padrejtësitë më të mëdha i ka bërë Kuvendi i Kosovës, i cili ka lejuar mënyrën e privatizimit, ashtu si e ka instaluar UNMIK-u. Madje, pa dashur as që të merret me esencën e problemit- të drejtën e ish- pronarëve. Pra, nëse atyre prona u është marrë – konfiskuar në kohën e mbretit e të krajlit, nuk mund të realizojnë të drejtën në shtetin, ku është e mbrojtur e drejta në pronë. Me këtë problem, Kosova do të ketë mjaft vështirësi, së pari për integrim në Bashkësinë Evropiane, e pastaj nëse ish-pronarët të drejtën e fitojnë përmes Gjykatës së Strasburgut. Problemi më i madh do të lindë nga fakti se atëherë kur ata e fitojnë të drejtën, nuk do të ketë toka për kompensim, ndërsa buxheti i shtetit mund të hyjë në telash të mëdha për shkak të qindra miliona eurove që duhet t’i paguaj. Sado që kjo më shumë përngjanë në një situatë të paragjykuar, por shumë të mundshme.

Ende nuk është humbur shansi që kjo çështje të zgjidhet, apo të hapet mundësia që e drejta të zbatohet njëherë e përgjithmonë. Kompetent për këtë është vetëm Kuvendi i Kosovës. Ai fillimisht duhet të ndërmarrë tri veprime. Së pari, të intervenoj në ligjin aktual për AKP për të bllokuar shitjen e tokave bujqësore që janë në pronësi shoqërore. Ato mund të jepen në shfrytëzim deri në momentin kur përfundon procesi i kompensimit të ish- pronarëve. Në këtë mënyrë do të ruhej një sipërfaqe e tokës, e cila mund të përdoret që t’iu jepet atyre që dëshmojnë se kanë të drejta reale pronësore. E dyta, në ligj të thuhet qartë se nuk mund të shiten sipërfaqet e mbuluara me pyje dhe paralelisht me këtë të nxitet procedura që këto sipërfaqe të marrin statusin e pasurisë kombëtare. E treta, është edhe hapi më i madh dhe më i guximshëm- kompletimi i pakos ligjore për restituimin, përkatësisht për korrigjimin e padrejtësive, pa marrë parasysh formën, që në të kaluarën iu kanë bërë pronarëve të tokave bujqësore. Ndonëse procesi është mjaft i rëndë dhe merr shumë kohë, ai është i domosdoshëm. Ky shtet ka për detyrë që pronarët e vërtetë t’i bëjë me pronë, meqenëse , askush nuk ka të drejtë të shesë pronën e huaj. Kjo e drejtë tash duhet t’i merret edhe Agjencisë Kosovare për Privatizim, sado që ky është veprim shumë i vonuar.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)