ARKATANA

Azili dhe antologjia e Safetit

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Milaim Shefkiu – Është vështirë të vlerësohet nëse ne shqiptarët jemi popull me fat apo fatkeq. Nuk e di nëse neve si komb na ka shpëtuar mërgimi, apo është mërgimi që na ka tretur farën, na ka bërë si zogjtë e qyqes të shpërndarë gjithandej botës.

Këtu nuk mund të gjendet një kandarë që e peshon me gram këtë çështje, nëse ishin mërgimtarët ata që e bënë shtetin shqiptar, që e themeluan UÇK-në dhe po ata që po e mbajnë stabile gjendjen sociale në Kosovë me remitencat qind-milionëshe. Ose janë këta mërgimtarë që po ua shtinë “tërrpinë” shumë familjeve dhe djemve të rinj në Kosovë me veturat e reja dhe me zinxhirët rreth qafës, që ata t’ua mbathin këmbëve duke ikur drejt BE-së, me arsyen që të jetojnë “si ata”.

Tani në këtë çështje, duket se është më pak e arsyeshme të studiohet roli i mërgatës, se sa rruga e pandalshme e mërgimit. Vetëm dy muajt e fundit rrugën për në BE e kanë marrë disa mijëra kosovarë. Disa që u kanë dhënë para të majme kontrabanduesve, nga tremijë e katërmijë euro, kanë bërë një odisejadë duke kaluar nëpër disa shtete, por kanë arritur në Francë, apo vendet tjera, ndërsa disa të tjerët kanë mbetur të ngujuar nëpër kampet dhe burgjet e Hungarisë, duke u bërë “gazi i botës”.

Madje deklaratat e tyre dhënë nëpër media, të ngjallin kujtimet e hidhura të Shqipërisë së dalë nga komunizmi, ku shumë shqiptarë kacavjerrë mbi litarë, hipnin në traget për të shkuar në Itali dhe në vendet tjera të Evropës.

Edhe kujtimet e këtyre mijëra shqiptarëve që kanë mbetur në burgjet hungareze, apo në tendat franceze, të ngjallin të njëjtin emocion. Shumica prej tyre deklarohen se janë keqtrajtuar, ndërsa shteti nga kanë ikur, nuk ka treguar përkushtim, për t’iu bërë një zgjidhje së pari për të dalë nga aty, ndërsa e dyta për t’u krijuar kushte që ata të mos ikin.

Gjatë këtyre ditëve janë dhënë shumë deklarata nga politikanët dhe diplomatët vendorë e ndërkombëtarë, se nuk ka më azil në BE, ndërsa të gjithë do të kthehen në Kosovë…. Ndërsa vargjet antologjike kanë dalë nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili tha se në Kosovë nuk ka papunësi por papunëtorë.

Uji Dea

Madje sipas tij, shumica e atyre burrave e grave që kanë ikur në Hungari e Francë, janë njerëz që nuk ua do shpirti punën.

Ndërsa, presidentja Atifete Jahjaga, tha se koha e azilit ka përfunduar, ndërsa pamjet e të rinjve duke u larguar nga Kosova e të vendosur në kampe refugjatësh, siç tha ajo, janë brengë për të.

Këto pamje patjetër se duhet të jenë brengë për presidenten, sikurse duhet të jenë brengë edhe për kryeministrin dhe për të gjithë përfaqësuesit e shtetit të Kosovës, që kanë hise vendimmarrëse në këtë shtet. Natyrisht se një pjesë e vogël e peshës i takon edhe Safetit e Odës, i cili përfaqëson një grup të komunitetit të biznesit.

Gjithë ky mishmash me azilin dhe rreth azilit, është krijuar nga mungesa e perspektivës, nga papunësia shumë e madhe, e po ashtu nga izolimi total i qytetarëve. Ndoshta me liberalizim të vizave, qytetarët do ta kishin mundësinë që të lëvizin lirshëm në BE dhe me sytë e vet të shohin realitetin evropian dhe përkushtimin e qytetarëve të BE-së për të jetuar më mirë. Gjithashtu do të bindeshin se veturat e mërgimtarëve dhe zinxhirët rreth qafës, janë një kozmetikë që tejkalon realitetin e tyre objektiv.

Ndoshta do të dilte shumë më bukur epopeja e Iliadës, nëse Homeri do ta kishte parë dhe përjetuar vetë luftën e Trojës. Edhe kosovarët që kanë mbetur të ngujuar në kampet e Hungarisë, po ta dinin se në BE nuk ka azil dhe se jeta e azilkërkuesit është më e rëndë se në përpjekjet për të jetuar në Kosovë. Prandaj realiteti duhet parë, e jo duke dëgjuar për të.

Për të mos i parë skenat me refugjatë si në Shqipërinë e viteve ‘90, duhet të krijohen kushte për jetë më të mirë. Askush nuk e vë në dyshim se azili është sfida themelore e lëvizjes së lirë dhe pa viza, por të gjithë e dinë se për të mos ikur jashtë vendit, duhen të krijohen vende të lira pune, e vendet e lira bëhen në një shtet ku ka rend dhe ligj.